TIRANE- Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka reaguar pas nismes së mazhorancës për të bërë ndryshime në ligjin për betimin e anëtarëve të intstitucioneve si SPAK apo Gjykata Kushtetuese.

Blushi thotë se kjo është një ide gjenial për të përshpejtuar Ramaformën, ndërsa shprehet se Presidenti do të jetë atje në parlament, i pari bashkë me popullin shqiptar.

"Të dashur kolegë gazetarë! Ju kërkoj ndjesë për reagimin e vonuar pas insistimit tuaj për një koment lidhur me sihariqin që i ka dhënë mbrëmë Tao Tao mbarë vendit tonë, se Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend.

Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.

Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e Lana Kushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit! Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!", shkruan Blushi.