FSHF ka marrë një nismë tepër të veçantë në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria, por edhe e gjithë bota. Ideja e federatës së futbollit është ftesa e hapur që u ka bërë të gjithë fëmijëve të Shqipërisë të cilët janë të aftë me topin. FSHF u ka kërkuar fëmijëve dhe prindërve të tyre që të dërgojnë videot në një email të përcaktuar nga ku më pas disa specialistë do të zgjedhin më të mirat.
Nga vendi i parë deri në vendin njëzet do të ketë dhurata për fëmijët. Për më shumë postimi i FSHF-së:
FSHF nis konkursin kombëtar për videot e fëmijëve duke luajtur futboll në shtëpi. Përkujdesja e veçantë për fëmijët tanë domosdoshmëri gjatë karantinimit!
Federata e Futbollit ka nisur një fushatë me qëllim motivimin e fëmijëve dhe kujdesin për ta gjatë periudhës së karantinimit kombëtar për shkak të virusit COVID-19. Institucioni përgjegjës për futbollin shqiptar, gjykon se kujdesi për fëmijët, si nga ana fizike ashtu edhe social-psikologjike, është shumë i rëndësishëm në këto ditë të vështira për gjithë shoqërinë tonë, dhe më gjerë. Krahas detyrave tona familjare, një vëmendje e veçantë u duket kushtuar fëmijëve tanë, dhe futbolli është rruga më e mirë, si sporti më i dashur në Shqipëri.
FSHF lançoi në kanalet sociale këtë fushatë, që u kërkon vajzave dhe djemve të rrinë në shtëpi, dhe të luajnë futboll sipas kushteve tona familjare. Prindërit dhe fëmijët kanë treguar një interes shumë të madh në 24 orët e para të fushatës, duke dërguar videot e tyre, që tashmë po publikohen në kanalet sociale të Federatës së Futbollit.
FSHF ka ngritur një juri, e cila do të vlerësojë të gjitha videot dhe do të përcakojë më të mirat prej tyre. Këto janë çmimet për 20 videot më të mira:
Vendi i parë: uniformë komplete e kombëtares me emër dhe numër
Vendi i dytë: fanelë e kombëtares me emër dhe numër
Vendi i tretë: top dhe USB
Vendet 4-5: top
Vendet 6-10: USB
Vendet 11-15: kapele e kombëtares
Vendet 16-20: çantë shpine
Videot e fëmijëve (duke specifikuar emrin e fëmijës dhe vendndodhjen) mund të dërgohen përmes WeTransfer.com në e-mailin: [email protected]