Nisma për furnizim me gaz natyror, Balluku: Thelbi, plan veprimi për të parandaluar rreziqet dhe emergjencat

Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku prezantoi në Kuvend nismën për furnizim me gaz natyror. Siguria e furnizimit me gaz ministrja tha se është prej kohësh një prej politikave globale më të ndjeshme. Kjo nismë sipas Ballukut përmban në një pikë planin e veprimit dhe emergjencës në rast të ndërprerjes së furnizimit.

“Qeveria Shqiptare po zbaton në mënyrë strategjike politikat energjetike për zhvillim e qëndrueshëm dhe të mëtejshëm, duke parë gazifikimin e vendit si një objektiv prioritar për sigurinë dhe diversifikimin e furnizimit me energji, si dhe për përshpejtimin e depërtimit të gazit natyror dhe integrimit në rrjetet evropiane të gazit. Pas nisjes së operimeve të gazsjellësit TAP, si dhe falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, që rezultoi në fillimin e një projekti madhor atë të Termocentralit të Vlorës duke bashkëpunuar me dy kompani gjigande të fushës, Excelerate Power dhe Exxon Mobile, ne jemi çdo dite një hap më afër realizimit të këtyre objektivave.

Ne kemi punuar në mënyrë rigoroze për hartimin dhe përmbushjen e legjislacionit dhe të paketës rregullatore së sektorit, megjithatë, nevoja për përditësim është e domosdoshme, për të adresuar problematika të ngritura apo për të reflektuar zhvillime të reja në sektorin e gazit. Ndryshimet që propozojmë sot nëpërmjet këtij projektligji synojnë të prezantojnë elementë të rinj për të garantuar sigurinë e furnizimit me gaz natyror.  Shqipëria, si një anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ka marrë angazhimin për implementimin e direktivave, rregulloreve dhe parimeve europiane në fushën e energjisë.

Në kontekstin gjeopolitik, siguria e furnizimit me gaz është prej kohësh një nga tematikat globale më të ndjeshme. Në këtë kontekst, Parlamenti Evropian ka miratuar rregulloren, e cila parashikon masat që duhet të merren për të mbrojtur sigurinë e furnizimit me gaz. Thelbi i kësaj rregulloreje është miratimi i një plan-veprimi parandalues, si dhe të një plani emergjence,  për t’ju përgjigjur shpejt dhe me efikasitet çdo rasti ndërprerje apo krize të mundshme të furnizimit me gaz. Ndryshimet që propozon projektligji, parashikojnë pikërisht shtimin e këtyre parashikimeve dhe në legjislacionin tonë. Projektligji përcakton se si deklarohet një gjendje krize, duke e kategorizuar në 3 nivelet e krizës sipas përshkallëzimit të saj. Ndërkohë, masat që do duhet të ndërmerren për menaxhimin e të tillave situatave emergjente, do të përmbahen në dy plane që do të hartohen nga Ministria e linjës përgjegjëse për energjinë, në konsultim dhe me shoqëritë që operojnë në sektorin energjetik në tërësi. 

I pari është një plan-veprimi parandalues, ku përcaktohen masat e nevojshme për të mitiguar apo eliminuar rreziqet e identifikuara në sigurinë e furnizimit me gaz natyror, si dhe rregullat e standardet minimale të sigurisë së këtij furnizimi. Plani i dytë është ai i emergjencës, i cili përmban masat që duhen marrë për të reduktuar ose eliminuar ndikimin e një ndërprerjeje të furnizimit me gaz, sipas përcaktimeve të detajuara në projektligj. Çka është gjithashtu e rëndësishme për t’u theksuar, është dhe përfshirja në këtë projektligj e parimit të solidaritetit midis shteteve anëtare të Komunitetit të Energjisë, i cili nënkupton bashkëpunim rajonal për të siguruar koordinim më të mirë dhe përgjigje më efikase në raste të emergjencës”, u shpreh Balluku.


Lajmi kryesor:

Raportojnë krerët e institucioneve/ KQZ: 5.000 emigrantë s'votuan dot më 25 prill! KLSH: 17.7 mln euro dëm ekonomik gjatë 2020! ILDKPKI: 72 denoncime dhe 33 gjoba për zyrtarët e lartë


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit