Raportojnë krerët e institucioneve/ KQZ: 5.000 emigrantë s'votuan dot më 25 prill! KLSH: 17.7 mln euro dëm ekonomik gjatë 2020! ILDKPKI: 72 denoncime dhe 33 gjoba për zyrtarët e lartë

TIRANË-Kuvendi u mblodh sot seancë plenare ku theksi u vendos te raportimi për punën e vitit 2020 të katër krerëve të institucioneve kushtetuese si dhe u shqyrtuan disa projektligje.

KLSH ishte institucioni i parë që nisi raportimin në Kuvend, ku kreu i saj Arben Shehu tha se institucionet i kanë shkaktuar shtetit 17.7 mln euro dëm ekonomik, ndërsa janë kryer 143 auditime gjatë 2020. Edhe në raportimin e ILDKPKI, Evgjeni Bashari tha se gjatë kontrollit të pasurive të zyrtarët e lartë janë bërë 72 denoncime në polici dhe janë vendosur 33 gjoba për ta. Në kuvend raportuan edhe kreu i AMA-s dhe i KQZ-së për raportin e 2020.

Kryetari i Grupit Parlamentar Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fjalën e tij e vuri theksin te vendimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian për të mos përcaktuar një datë për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Balla tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha pritshmëritë e familjes europiane dhe se vendimi erdhi prej problemeve të vetë BE-së. 

Në fund të seancës Kuvendi miratoi një sërë projektligjesh në rendin ditës, si ai për "Të huaj" apo për 'Organizatat jofitimprurëse".  

Votimi ne Kuvend sot

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:28
Ndryshimi i ligjit për OJF-të, Gjonaj: Rritet transparenca! Projektligji për përkthyes zyrtarë, risi përfshirja e statusit të interpretit të gjuhës së shenjave

 

Në seancën e sotme në Kuvend ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi projektligjin për regjistrimin e organizatave jo fitimprurëse në Shqipëri. Ky projektligj tha Gjonaj rrit transparencën e këtij sektori duke hequr rrezikun që mund të ketë në të ardhmen për pastrimin e parave.

“Projektligji për regjistrimin e Organizatave jofitimprurëse, është një nga nismat më të rëndësishme që unë, që edhe personalisht kam pasur kënaqësinë për të propozuar në Këshillin e Ministrave dhe për ta prezantuar përpara Kuvendit. Përpara përfshirjes time dhe në emërimin në detyrën e Ministrit të Drejtësisë, puna në organizata të shoqërisë civile, të bën të kuptosh vështirësitë që realisht krijohej në funksionimin e organizatave, për shkak të një kuadri ligjor që jo vetëm që nuk lehtësonte krijimin dhe funksionimin e shoqërisë civile në vend, por në fakt vendoste barriera administrative të panevojshme që ndikonin drejtëpërdrejtë në vullnetin e aktivistëve të shoqërisë civile për tu regjistruar dhe për të forcuar zërin e tyre edhe nëpërmjet organizimeve formale ligjore.

Nga ana tjetër, për shkak edhe të detyrimeve që burojnë nga MONEYVAL, ne rrisim transparencën e këtij sektori, dhe heqim një rrezik që ky sektor mundet të ketë për pastrimin e parave. Në përputhje të plotë me standartet më të mira ndërkombëtare, nëpërmjet këtij projektligji vendosen detyrime për regjistrim dhe për raportim të të dhënave që janë të nevojshme për transparencën e këtij sektori. 

Po ashtu, nëpërmjet këtij projektligji kemi gjetur edhe një zgjidhje për të ulur disi ngarkesën në gjykatën e tiranës. Sipas ligjit aktual, çdo veprim me regjistrin e OJF-ve, duhet të bëhej nga një gjyqtar i gjykatës së tiranës. Në një vit, gjykata e tiranës kishte rreth 2000 çështje që kishin lidhje me kryerjen e veprimeve në regjistrin e OJF-ve. Tashmë, këto 2000 çështje mesatare në vit nuk do të trajtohen më nga gjyqtarët, por nga kancelari i gjykatë së tiranës, i cili, me mbështetjen e zyrës së regjistrit të OJF-ve, do të kryejë këto procedura regjistrimi. Miratimi i këtij projektligji do të sjellë një ndryshim rrënjësor për sa i përket transparencës së organizatave të shoqërisë civile, por njëkohësisht dhe lehtësirave në procedura, duke lehtësuar nga njëra anë organizatat dhe qytetarët që kanë interes dhe duan të marrin informacion për të gjithë organizatat që funksionojnë në Republikën e Shqipërisë”, tha Gjonaj.

Ndërkaq Gjonaj ka prezantuar nismën për përkthimin zyrtar dhe të profesionit të përkthyesit. Gjonaj theksoi se një risi në këtë nismë është përfshirja për herë të parë në këtë ligj e statusit të interpretit të gjuhës së shenjave duke u thënë mundësinë personave që nuk dëgjojnë të kenë interpret.

“Në fushën e të drjetës, sot për herë të parë prezantoj një nismë të vonuar në kohë por jo të harruar në programin e punës, përkthimit zyrtar dhe të profesionit të përkthyesit.  Mungon ligji i përkthyesit zyrtar në funsksion të përkthimit zyrtar. Aktualisht harta e përkthyesve përmban një numër të lartë përkthyesisht. Tirana ka numrin më të lartë të përkthyesve që ka 70%. Këta përkthyes mbulojnë 27 gjuhë.  U bë për të standardizuar një shërbim në nivele evropiane. Të garantojmë shërbime përkthimi sa më cilësore. Një grup pune i koordinuar nga ministria në konsultim me përkthyesit më në zë kanë dhënë kontribut përmes oponencës duke përgatitur projektligjin.

Qëllimi i hartimit të këtij projektligji lidhet dhe me fushën e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Kjo nismë suynon rregullimin e profesionit të përkthyesit.  Është përcaktuar kurse dhe trajnime për përkthyesit. Është parashikuar ngritja e regjistrit elektronik. Me rëndësi është të përmendim një risi përfshirjen për herë të parë në këtë ligj të statusit të interpretit të gjuhës së shenjave duke u thënë mundësinë personave që nuk dëgjojnë të kenë interpret. Në regjistrin elektronik do përfshihen dhe interpretët e gjuhës së shenjave. Ky pr ligj është hartuar në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të përkthimit. Me këtë nismë i japim fund hendekut ligjor të përkthyesit zyrtar, duke u dhënë status”, tha Gjonaj.

Ora 13:14
Nisma për furnizim me gaz natyror, Balluku: Thelbi, plan veprimi për të parandaluar rreziqet dhe emergjencat

Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku prezantoi në Kuvend nismën për furnizim me gaz natyror. Siguria e furnizimit me gaz ministrja tha se është prej kohësh një prej politikave globale më të ndjeshme. Kjo nismë sipas Ballukut përmban në një pikë planin e veprimit dhe emergjencës në rast të ndërprerjes së furnizimit.

“Qeveria Shqiptare po zbaton në mënyrë strategjike politikat energjetike për zhvillim e qëndrueshëm dhe të mëtejshëm, duke parë gazifikimin e vendit si një objektiv prioritar për sigurinë dhe diversifikimin e furnizimit me energji, si dhe për përshpejtimin e depërtimit të gazit natyror dhe integrimit në rrjetet evropiane të gazit. Pas nisjes së operimeve të gazsjellësit TAP, si dhe falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, që rezultoi në fillimin e një projekti madhor atë të Termocentralit të Vlorës duke bashkëpunuar me dy kompani gjigande të fushës, Excelerate Power dhe Exxon Mobile, ne jemi çdo dite një hap më afër realizimit të këtyre objektivave.

Ne kemi punuar në mënyrë rigoroze për hartimin dhe përmbushjen e legjislacionit dhe të paketës rregullatore së sektorit, megjithatë, nevoja për përditësim është e domosdoshme, për të adresuar problematika të ngritura apo për të reflektuar zhvillime të reja në sektorin e gazit. Ndryshimet që propozojmë sot nëpërmjet këtij projektligji synojnë të prezantojnë elementë të rinj për të garantuar sigurinë e furnizimit me gaz natyror.  Shqipëria, si një anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ka marrë angazhimin për implementimin e direktivave, rregulloreve dhe parimeve europiane në fushën e energjisë.

Në kontekstin gjeopolitik, siguria e furnizimit me gaz është prej kohësh një nga tematikat globale më të ndjeshme. Në këtë kontekst, Parlamenti Evropian ka miratuar rregulloren, e cila parashikon masat që duhet të merren për të mbrojtur sigurinë e furnizimit me gaz. Thelbi i kësaj rregulloreje është miratimi i një plan-veprimi parandalues, si dhe të një plani emergjence,  për t’ju përgjigjur shpejt dhe me efikasitet çdo rasti ndërprerje apo krize të mundshme të furnizimit me gaz. Ndryshimet që propozon projektligji, parashikojnë pikërisht shtimin e këtyre parashikimeve dhe në legjislacionin tonë. Projektligji përcakton se si deklarohet një gjendje krize, duke e kategorizuar në 3 nivelet e krizës sipas përshkallëzimit të saj. Ndërkohë, masat që do duhet të ndërmerren për menaxhimin e të tillave situatave emergjente, do të përmbahen në dy plane që do të hartohen nga Ministria e linjës përgjegjëse për energjinë, në konsultim dhe me shoqëritë që operojnë në sektorin energjetik në tërësi. 

I pari është një plan-veprimi parandalues, ku përcaktohen masat e nevojshme për të mitiguar apo eliminuar rreziqet e identifikuara në sigurinë e furnizimit me gaz natyror, si dhe rregullat e standardet minimale të sigurisë së këtij furnizimi. Plani i dytë është ai i emergjencës, i cili përmban masat që duhen marrë për të reduktuar ose eliminuar ndikimin e një ndërprerjeje të furnizimit me gaz, sipas përcaktimeve të detajuara në projektligj. Çka është gjithashtu e rëndësishme për t’u theksuar, është dhe përfshirja në këtë projektligj e parimit të solidaritetit midis shteteve anëtare të Komunitetit të Energjisë, i cili nënkupton bashkëpunim rajonal për të siguruar koordinim më të mirë dhe përgjigje më efikase në raste të emergjencës”, u shpreh Balluku.

Ora 12:40
Ligji i ri për emigrantët, Bledi Çuçi: Procedura më të lehtësuara! Të huajt vijnë në Shqipëri me leje unike, lejohen dhe personat pa shtetësi

Të huajt që duan të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri do duhet të drejtohen vetëm në një sportel për t’u pajisur me një leje unike që siguron qëndrimin dhe punësimin në vendin tonë. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në foltoren e Kuvendit bëri me dije detaje të ligjit të ri për emigrantët, duke thënë se ka procedura më të lehtësuara.

“Projektligji për të huajt është një iniciativë tërësisht e re ligjore. Me këtë legjislacion të ri po krijojmë procedura më të lehtësuara për lejet e qëndrimit duke shmangur burokracitë për investitorët dhe fuqinë punëtore.  Ky projekt nuk është iniciativë e shkëputur. Bashkë me ligjin për shtetësinë dhe ligjin për azilin në republikën e Shqipërinë plotësojmë regjimin për të huajt në vendin tonë Janë kryer dëgjesat nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për të garantuar pajtueshmërinë me të drejtat dhe liritë e parashikuara në kushtetutë.

Ky projektligji adreson mangësinë duke adresuar pajisjen me leje pune dhe qëndrimi me një dokument të vetëm që do quhet leje unike për të huajt që duan të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Kjo garanton një procedurë të vetme aplikimi. Të huajt që kërkojnë punësim duhet të drejtohen vetëm në një sportel duke dorëzuar dosjen me dokumente. Për shtetasit e BE, SHBA, dhe Kosove kur aplikojnë për herë të parë lëshojmë leje qëndrimi 5-vjeçare. Ka dhe sfidat e veta ky legjislacion,. Përmirësimi i fushës së të drejtave dhe programet e integrimit për të huajt.

Ky projektligj i jep mundësi përfitimi: Personave pa shtetësi duke garantuar standardet për lëshimet e lejes së qëndrimit, kategoria e punonjësve lëvizës që janë shtetas të huaj që punojnë nga distanca në fushët e IT. Kjo do synojë tërheqjen e tyre në Shqipëri. Kjo i shërben rritjes së konsumit vendas dhe tërheqjes së tyre në Shqipëri për t’i dhënë shtysë ekosistemeve teknologjike. Një kategori tjetër janë pensionistët e huaj. Ata do aplikojnë për leje për pensionistë. Ky projektligji adreson mangësinë duke adresuar pajisjen me leje pune dhe qëndrimi me një dokument të vetëm që do quhet leje unike për të huajt që duan të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Kjo garanton një procedurë të vetme aplikimi,. Të huajt që kërkojnë punësim duhet të drejtohen vetëm në një sportel duke dorëzuar dosjen me dokumente. Për shtetasit e BE, SHBA, dhe Kosove kur aplikojnë për herë të parë lëshojmë leje qëndrimi 5-vjeçare. Ka dhe sfidat e veta ky legjislacion”, deklaroi ministri.

 

Ora 12:06
'Godet' sërish Jenishehri: Zgjedhjet e 25 prillit të anulohen, përndryshe në shtator do përsëritet '97

Deputeti i opozitës, Selami Jenishehri ka habitur me deklaratën në Kuvend ku tha se zgjedhje e 25 prillit duhet të shpallen të pavlefshme pasi nuk u garantuar vota e emigrantëve, ndërsa shtoi se kjo situatë do të prodhojë Kuvendin e ri në shtator një situatë destabilizuese si ajo e 1997.

 “KQZ ka refuzuar të bëjë detyrën e saj në zgjedhjet e 25 prillit duke lënë pa votuar emigrantët. Kjo do të prodhojë në shtatorin e 2021 situatë destibalizuese si ajo e 1997. Nuk ka parlament e qeveri legjitime. Shpresoj që presidenti nuk do i certifikojë zgjedhjet e 25 prillit 2021. Duhet të përsëritën zgjedhjet se është shkelur neni i kodit zgjedhor. Këto zgjedhje janë të pavlefshme kur shkelet neni dhe kodi zgjedhor”, u shpreh ai

Ora 11:55
Kostaq Papa habit në Kuvend: Shteti më ka marrë një shtëpi para 50 vitesh, të ma kthejë tani

Deputeti Kostaq Papa, pas raportimit të bërë nga KLSH dhe ILDKPKI në Kuvend, tha se edhe atij shteti i ka marrë një shtëpi para 50 vitesh dhe dëshiron që t'ia kthejë tani. Ai tha se i ka të listuara pasuritë e tij dhe se shteti i ka borxh, ndërsa shtoi se nëse  shteti vepron me deputetët kështu imagjino me qytetarët e thjeshtë.

“ILDKP është një institucion i rëndësishëm dhe ne i përgjigjemi sa herë na kërkon pasuritë. Unë i listova pasuritë e mia por njëra prej tyre edhe pse është e listuar nuk ekziston. Shteti ka ende pasuri që ia ka marrë qytetarëve në mënyrë të paligjshme. Kështu edhe mua para 50 vitesh kur unë isha i vogël shteti më mori rininë, fëmijërinë më mori dhe shtëpinë. Dhe ende nuk ma ka kthyer. Dhe unë iu drejtova kryeparlamentarit. Ai tha se do më ndihmonte. Për dijeni dhe kryeministrit. Takova dhe drejtues të pushtetit lokal të kryeqytetit të Tiranës ku unë jam si deputet për ta mbyllur këtë gjë sipas të drejtës që më takon. Qoftë edhe pas 50 vitesh. Dhe pse shteti nuk më kthen dot fëmijërinë por të paktën të më kthejë shtëpinë. Unë i kam listuar pasuritë e mia aty. Por shteti më mban akoma. Kur shteti vepron me ne kështu mendoni si vepron me qytetarët e thjeshtë”, u shpreh Papa në Kuvend.

Ora 11:51
Ralf Gjoni: Puna e disa ambasadorëve ka qenë kriminale dhe anti-shqiptare, të hetohet! Në një vend të BE do ishin shpallur ‘Non Grata’

Deputeti Ralf Gjoni ka hedhur akuza të forta ndaj ambasadorëve të huaj në vendin tonë duke thënë se puna e disa prej tyre ka qenë kriminale dhe anti-shqiptare, ndaj një ditë meriton të hetohet. Nëse do të ishin në një vend sipas Gjonit do të ishin shpallur “Non Grata”.

“Më takon të them 2 fjalë për ambasadorët, sepse bëjnë check kutitë për karrierën e tyre, por ata mbështetën autokracinë në kurriz të demokracisë. Demokraci do të thotë rregulla të qarta të lojës, puna e disa ambasadorëve ka qenë kriminale anti shqiptare meriton të hetohet një ditë në një vend normal të BE duhet të ishin shmangur non grata. Unë e dua shqipërinë më shumë se këta ambasadorët që vijnë dhe ikun si autobusa. Dua të rrij këtu. Dua që edhe vajza ime të jetojë këtu e  jo të shkoj të laj të pasmet e pleqeve në azilin gjerman. Nuk mundte Gjermania ti thoshte Bullgarisë mbylle gojën atje dhe hap negpociatat dhe mos blloko maqedoninë e veroiut se po na bllokohet ballkani”, tha Gjoni.

Ora 11:50
Celibashi raporton në Kuvend: 5 mijë emigrantë u lanë jashtë votimit më 25 prill, aplikuan por ne ishim me vonesë

Kreu i KQZ Celibashi tha në Kuvend nuk arriti të bënte të hartonte rregullat për votimin e emigrantëve, ndërsa zbuloi se rreth 5 mijë shqiptarë jashtë atdheut u regjistruan për të votuar, por mbetën jashtë procesit.

"KQZ ka përpunuar të gjitha të dhënat që janë marrë  nga emërimet dhe lëvizjet e anëtarëve të komisioneve të niveleve të ndryshme dhe rezulton se ndryshimi është bërë një trend i konsoliduar që ndikon drejtpërdrejtë në mënyrën e  administrimit të proceseve zgjedhore.  Kodi Zgjedhor ka parashikime ne lidhje me ushtrimin e të drejtës së votës të emigrantëve por vetëm kaq pasi i gjithë seti tjetër i rregullave në këtë aspekt nuk është i plotësua", tha ndë rtë tjera Celibashi.

’Veprimtaria e KQZ për 2020 ka qenë e varur dhe kushtëzuar nga kushtëzimet e debatet për pandeminë e kodin zgjedhor. Në fokus qendror për 2020 ka qenë plotësimi dhe reflektimi e qasja ndaj rezolutës së Kuvendit në lidhje me raportin për 2019. Sipas rezolutës, është kërkuar nga KQZ të miratojë një databazë në lidhje me shtetasit shqiptarë me të drejtë vote të angazhuar në administratën zgjedhore.

KQZ duhet të nxirrte konkluzione. Në qasje të këtij rekomandimi, KQZ ka përpunuar të gjitha të dhënat që janë marrë nga emërimet dhe lëvizjet e anëtarëve të komisioneve, rezulton se ndryshimi dhe frekuenca të anëtarëve të komisioneve është bërë trend që ka ndikuar në administrimin e proceseve zgjedhore. Vetëm për ilustrim, po sjell në vëmendje disa shifra, për 2009 janë 28% ndryshime në anëtarët e komisioneve, 26% në 2010, 36% në 2013, 18% në 2017, 18% në 2019.

E njëjta situatë edhe për anëtarët e grupeve të numërimit dhe komisioneve të qv. KQZ ka krijuar një eksperiencë solide dhe ka përmirësuar standardin e këtij ligji. I është kërkuar KQZ të miratojë kodin etik. Për shkak të ndryshimeve të vona tël igjit zgjedhor, riorganizimi i vonë, kodi etik do të miratohet në 2021, nuk ishte mundur në 2020.

Iu kërkua KQZ të zbatojë në praktikat rregullat e miratuara. Sa i përket veprimtarëisë nga janari në tetor të 2020, veprimtaria konsiston në post-zgjedhjet e 2019. Pjesa më e madhe e zënë aktet e të ashtuquajturës dekriminalizimi.

Ka miratuar 83 formularë vetëdeklarimi për vakancat në këshillin bashkiak, 39 kandidatë janë burra dhe 33 kandidate gra. Në 2020 refuzuan depozitimin e formularit të vetdeklarimit 38 kandidatë të subjekteve politike.

Lidhur me shqyrtimin e rezultateve të PP, kemi verifikuar rezultatet vetëm për 4 raste. KQZ ka shqyrtyar kërkesat e 3 komiteteve nismëtare, referendumi, ndryshimet në kodin penal dhe krijimin e regjistrit kombëtar të autorëve të krimeve seksuale.

Janë dhe ato që kanë të bëjnë me administrimin e raporteve financiare. Nga 128 parti të regjistruara, raportin financiar e depozituan vetëm 26 parti poliike.

KQZ emëroi 34 auditues për zgjedhjet e 30 qershorit, për shpenzimet në fushatë. Ekspertët financiarë duhet të dorëzonin raportet.

22 parti nga 36 në zgjedhje depozituan raportin financuar për shpenzimet në fushatë. Në përfundim të këtij procesi, janë vetëm 14 parti që e dorëzuan brenda afatit, të tjerat më vonë.

KQZ iu dorëzuan fonde, sipas ligjit përkatës, nga tetori deri në 31 dhjetor për 2020 më së shumti kjo veprimtari konsiston me përgatitjet e zgjedhjeve të 25 prillit. Hartuam plan veprimi. Ndryshimet e shumta të bëra në Kodin Zgjedhor, 7 muaj para zgjedhjeve, diktuan detyra në periudhë mjaft të shkurtër.

Gjatë periudhës tetor-dhjetor 2020, organet drejtuese miratuan 54 akte nënligjore, Komisioner 42 vendime dhe 1 udhëzim.

Komisioni Rregullator 13 akte nënligjore, 12 vendime. Fokusi kryesor në këtë periudhë ishte realizimi projekti i identifikimit biometric dhe votimi elektronik. Vlerësojmë bashkëpunimin e KQZ me partnerët ndërkombëtare. Qeveria na mbështeti me buxhet. Në përfundim mund tët huhet se KQZ përmbushi gjitha detyrimet nga Kodi Zgjedhor. Përfshirë këto në rezolutën përkatëse.’’- tha Celibashi.

Ora 11:12
Vendimi për negociatat, Balla në Kuvend: Shqipëria i ka përmbushur të gjitha pritshmëritë e familjes europiane! Shpresojmë që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të gjejnë zgjidhje

TIRANË-Kryetari i Grupit Parlamentar Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvend e vuri theksin te vendimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian për të mos përcaktuar një datë për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Balla tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha pritshmëritë e familjes europiane.

"Ishte një pamundësi e Këshillit Europian për përcaktimin e një date.  Shqipëria i përmbushur të gjitha kushtet për tu mbajtur ky event formal i fillimit zyrtar të bisedimeve për anëtarësim. Tashmë të gjitha vendet anëtare, edhe ato që kanë qenë më skeptike, janë vlerësuara për atë që Shqipëria ka arritur. Ne jemi në kushtet e ecjes drejt përmbushjes së pritshmërive për Shqipërinë në familjen europiane.

Por, siç e kemi thënë edhe më parë, është shumë e vështirë që të gjendet konsensus unanim. Shpresa jonë është që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të gjejnë një zgjidhje, pasi të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme në Bullgari", tha Balla.

Ndërsa për raportimin në Kuvend të dy institucioneve, KLSH dhe ILDKPKI, Balla shprehur gatishmërinë e mazhorancës për të rritur performancën e tyre në dobi të transparencës dhe llogaridhënies.

"Mazhoranca e konsideron KLSH-në një institucion shumë të rëndësishëm, gjithnjë kanë qenë aty njerëz të PD-së si drejtues.  Ne na intereson një KLSH krejtësisht i pavarur. Ne duhet të rrisim kapacitetet e këtij institucioni, dhe në Kuvendin e Shqipërisë të kemi edhe nënkomisionin përkatës.  Çlirimi i këtij institucioni nga pengmarrja e një përfaqësuesi politik është gjëja më e mirë. Dua ta nxis këtë institucion të jetë më aktiv në auditimin e çdo qindarke në këtë vend.  Edhe ILDKPKI-në ne e kemi mbështetur me një legjislacion më të plotë. Duam që transparenca të vijojë dhe të rritet forca e bashkëpunimit me SPAK që të gjitha rastet  që ILDKPKI raporton ën prokurori të hetohen ashtu siç duhet", tha ndë të tjera Taulant Balla.

Ora 11:04
Murrizi thirrje Kim: Për drejtësinë e re mos zgjidh bashkëpunëtorë të ish-sigurimit! Bllokimi i negociatave, vendi s’është shkëputur nga e kaluara Komuniste

Deputeti Myslim Murrizi i ka bërë thirrje ambasadores amerikane Yuri Kim nga foltorja e Kuvendit duke thënë se shqiptarët e duan drejtësinë e re por thekson se nuk është dakord që sot të aspirohet një drejtësi  e ri 500 mln dollarë të investuar nga amerikanët por që do të bëhet nga institucionet tona.

Murrizi i tha Kim të zgjedhë mes juristëve të maturës së parë postkomuniste dhe sipas tij jo “bashkëpunëtorë të ish-sigurimit”

“Shqiptarët e duan  drejtëisnë e re. Unë sjam nga ata që qaj pse është hequr lideri nga foto e një gazete. Ishalla hiqet fare nga republika. Po sjam dakord si një nga studentët e 90 sot se kam menduar kurrë që do aspirohej një drejtësi e re me 500 mln dollarë të investuar nga amerikanët që do ta bëjnë këta. Zonja KIm, 91-95 ka qenë matura e parë post komuniste në juridik, ke 25 brezash juristësh nga 95 mbylli sytë e merr e zgjidh mes tyre kë të kesh qejf një boll më me bashkëpunëtorë të ish sigurimit”, tha Murrizi.

Duke folur për negociatat me BE, Murrizi tha se vendi jonë nuk është shkëputur nga e kaluara komuniste.

“Ka pasuri të paverifikuar në letra që hajdutliku i atyre që kanë ushtruar pushtet nga kjo sallë, ta përplasin surratit gjëne e vjedhur me arrogancë në çdo cep të Shqipërisë. Pashë me vëmendje raportin e KLSH, ai raporton se dëm ekonomik janë shumë milion euro. 32% e prrokurimeve publike janë tenderuar me 1 pjesëmarrës në garë, ky sështë tender. Duke parë raportet kam marrë të dhëna nga drejtoria e tatimeve për 3 kompani që jo pak miliona euro u kanë marrë shqiptarëve nga xhepat. Vodafonë AMC dhe eagle, pse është 94 milino euro.

Ajo që do votoni sot për të qenë kryetare e amës, nusja e kushëririt të Bashës. Ju me lulin e keni pazarin çkeni me albanën. E kemi pasur në kryeministri e do ta zgjidhni kryetare të amës.Pashë kryeministrin dje që i thoshte vëlla Zoranit. Po ça po bëhet me negociatat? Kush është arsyeja e vërtetë? Ata e shohin mirë se ky vend nuk është shkëputur dot nga e kaluara. Ndoqa një komunikim të bukur të ambasadores me një nga Tropoja që po i tregonte çka bërë Enveri. Kim dhe Soreca, kur të kenë kohë ti drejton një letër genta sulës. Të takojnë visart zhitin. Ky Dvorani që ma keni bërë si falkone, kishte qenë pro pafajësisë së Metës por edhe e kishte agrumentu. Ky falconja i famshëm i juaji. Shoh ilir pandën. Të gjithë hetuesit e regjimit komunist kanë kaluar vetingun”, tha ai.

Ora 10:51
KLSH: Shkeljet e institucionet i shkarkuan shtetit 17.7 mln euro dëm ekonomik gjatë 2020

Kreu i KLSH, Arben Shehu ka raportuar punën e institucionit që ai drejton gjatë 2020. Shehu tha se edhe pse një vit i vështirë për shkak të pandemisë, KLSH ka bërë gjatë 2020, 143 auditime, nga të cilat janë vlerësuar 91 subjekte përfshirë, institucione qendrore, ministri dhe agjenci, bashki etj. Sipas Sheut, KLSH ka konstatuar se gjatë 2020 dëmi ekonomik i shkaktuar nga institucionet gjatë 2020 është 17.7 milionë euro

" Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të auditimit të jashtëm publik, për vitin 2020 kishte planifikuar gjithsej 143 auditime, ku kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 91 subjekte. Ato kanë përfshirë, institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, etj. Nga këto 14 auditime në institucionet e qeverisjes qendrore, 18 në institucione të vetëqeverisjes vendore dhe njësi të tjera në nivel vendor, 10 autidime në institucione të tjera financiare etj. Rezultatet e punës audituese të vitit 2020 kanë pasur objektiv edhe identifikimin e shkeljeve dhe raportimin e tyre në bazë të klasifikimit si dëm ekonomik dhe si parregullsi/paligjshmëri me efekte negative në financat publike nga subjekteve nën auditim ku parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale 2,193,692 mijë lekë ose 17.7 milionë euro", tha Shehu.

Ora 10:36
Kontrolli i pasurive, ILDKPKI: Gjatë 2020 janë referuar 72 raste në polici dhe janë vendosur 33 gjoba për zyrtarë e lartë

Evgjeni Bashari ka paraqitur në Kuvend raportin e ILDKPKI për 2020 ku ha se gjatë këtij viti gjatë inspektimit të zyrtarëve të nivelit të lartë janë referua 72 raste në polici dhe janë vendosur 33 gjoba për to. Ajo tha se ky institucion do të punojë në forcimin e rolit institucional dhe hetimin e rasteve të sinjalizuara por dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

"Pas verifikimit të pasurisë nga ILDKPKI 72 raste janë referuar në polici. Pas verifikimit në ILDKPKI të pasurisë janë vendosur 33 gjoba për zyrtarë të nivelit të lartë. Do të vijojmë të forcojmë rolin institucional dhe hetimin e rasteve të sinjalizimit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve", tha Bashari

/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Helga: 24/06/2021 13:06

    Nga 1 miliard euro e con ne 10 KLSH. Kjo eshte arritje e madhe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës