Ashtu siç edhe pritej, në seancën e parë të së enjtes në Kuvend, e posaçme vetëm për nismën e opozitës për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi, do të prezantohen 2 raporte. Report Tv ka siguruar raportin final të opozitës që do të paraqitet për votim, ku parashtron të gjitha argumentet pse sipas tyre ligjvënësit duhet të votojnë pro shkarkimit të Peleshit.

PD i ka përqendruar argumentet e saj në seancat plenare të 16 dhe 18 shtatorit, ku akuzon Peleshin për qëndrime të njëanshme në favor të maxhorancës, prej të cilave inicioi edhe nismën për shkarkim.

Janë 5 shkelje që evidenton PD të Peleshit, në dy seanca: atë ku u njoftua Ndryshimi i rregullores që çoi në shtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe mos-realizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës 'Rama 4'.

“Kryetari i Kuvendit ka njoftuar se për projektvendimin për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit nuk do të ketë diskutime, çka është kontestuar nga deputetët e opozitës si shkelje e nenit 75, pika 2, e Kushtetutës, e lexuar së bashku me nenet 46, pika 1, 48, pika 1, dhe 117 të Rregullores së Kuvendit, pasi i mohohet e drejta e fjalës deputetëve që dëshirojnë të diskutojnë rreth ndryshimeve të propozuara. Edhe ky qëndrim është injoruar nga kryetari i Kuvendit, i cili ka vijuar me votimin dhe miratimin e projektvendimit për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.”, thotë raporti i ligjvënësve demokratë, sipas të cilit Peleshi jo vetëm ka shkelur rregulloren, por edhe Kushtetutën.

Më pas, duke u ndalur në seancën e datës 18 shtator, kur kaloi programi qeverisës, e vetmja seancë ku kryeministri Edi Rama ishte prezent.

"Fakti që Kryeministrin e kanë lëshuar nervat, është i lodhur dhe ndjehet i padenjë për të përballuar debatin parlamentar, nuk mund të nënkuptojë kurrë që ai mund t’i caktojë linjën e sjelljes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, apo mund të vijë në seancë plenare dhe të sillet siç dëshiron në kundërshtim me Kushtetutën. Salla e seancës plenare nuk mund të shndërrohet nga një Kryeministër karagjoz në një “teatër kukullash” dhe reagimi i opozitës ishte për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kërcënimi i Kryeministrit që në nisje të fjalës së tij se deputetët e opozitës duhet të bëjnë apo sillen ashtu siç ai dëshiron, ose ndryshe Kryeministri nuk do të lejojë debatin parlamentar, është i papranueshëm dhe cënon rëndë rendin kushtetutes të një Republike Parlamentare.”, thuhet në raport.

“Kryetari i Kuvendit, me veprimet dhe mosveprimet e tij, në këtë periudhë të shkurtër të drejtimit të Kuvendit të Shqipërisë, ka dëshmuar mungesë të plotë të angazhimit për të ushtruar funksionin në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendi, si dhe duke u sjell si një vartës i Kryeministrit, i cili mori defacto edhe drejtimin e seancës së datës 18.09.2025, herë duke urdhëruar kush do fliste, herë duke urdhëruar kush deputet do të fliste për procedurë dhe herë duke urdhëuar Kryetarin e Kuvendit për procedurën që duhet të ndiqte”, akuzon PD Peleshin.

Por ndryshe nga demokratët për socialistët Niko Peleshi në asnjë moment nuk ka shkelur rregulloren, por ka vepruar në çdo rast konform saj. Madje për PS ishin opozitarët ata që e bënë të pamundur zhvillimin normal të seancës.

“Përdorimi i fjalëve fyese,  zënia me dhunë e foltores së Kuvendit apo pengimi i marrjes së fjalës nga ana e deputetëve, janë metoda që çojnë pikërisht në bllokimin e punës së Kuvendit dhe sjellin pasoja të rënda për sistemin demokratik. Për këtë arsye është detyra parësore e Kryetarit së Kuvendit që të ruajë funksionimin e Kuvendit, si organi i vetëm legjislativ, duke garantuar në këtë mënyrë vijimin e ushtrimit të kompetencave kontrolluese dhe ligjbërëse të këtij organi”

Në fund socialistët i kërkojnë seancës plenare rrëzimin e kërkesës për shkarkimin e Peleshit. PS-së i mjaftojnë vetëm 71 vota për të mbajtur në detyrë kryeparlamentarin.

Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë të opozitës për shkarkimin e Peleshit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:49
Shkarkimi i Peleshit/ Report Tv siguron raportin e PS: Nuk ka kryer asnjë shkelje, debatin për programin e qeverisë e pengoi opozita

1761558435_nikopeleshi.jpg

Report Tv ka siguruar raporton e Partisë Socialsite për nismën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Në raportin e PS thuhet se nuk provohet asnjë shkelje nga ato që pretendon PD.

“Deputetët e shumicës parlamentare vlerësojnë se Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, në drejtimin e seancave plenare të datave 16.9.2025 dhe 18.9.2025 nuk ka kryer asnjë shkelje të parashikuar në ndonjë dispozitë të Kushtetutës dhe as të Rregullores së Kuvendit, por ka kryer çdo funksion në respektim të parashikimeve kushtetuese dhe atyre ligjore” nënvizon raporti.

Mazhoranca thotë se kryetari i Kuvendit e ka zbatuar me përpikmëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancës plenare.

“Kryetari i Kuvendit ka zbatuar me përpikëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancës plenare. Kryetari i Kuvendit ka treguar frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës në drejtimin e veprimtarisë parlamentare në tërësi, duke respektuar më së pari kolegët deputetë të opozitës dhe duke qëndruar mbi palët gjatë drejtimit të seancës”, thuhet në raport.

PD e akuzon Peleshin se në seancat e PD 16 dhe 18 shtatorit ka penguar opozitën të marrë fjalën, por PS thotë se ishte opozita që e bëri të pamundur zhvillimin normal të seancës, mes tyre edhe seancën për programin e qeverisë.

“Përdorimi i fjalëve fyese,  zënia me dhunë e foltores së Kuvendit apo pengimi i marrjes së fjalës nga ana e deputetëve, janë metoda që çojnë pikërisht në bllokimin e punës së Kuvendit dhe sjellin pasoja të rënda për sistemin demokratik. Për këtë arsye është detyra parësore e Kryetarit së Kuvendit që të ruajë funksionimin e Kuvendit, si organi i vetëm legjislativ, duke garantuar në këtë mënyrë vijimin e ushtrimit të kompetencave kontrolluese dhe ligjbërëse të këtij organi”, thuhet në raport.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë