Lugina e Valbonës ,përgjatë së cilës gjarpëron paralel lumi me të njëtin emër,me pamjen e një kanioni,ku zgjerimin e parë e bën në Klisyrë,e ku degëzohet rruga këmbësore që lidh fshatin e Bradozhnicës.Në të majtë shtrihet Shpaniku,shpellë karstike,që në periudhë shirash ose të shkrirjes së dëborës në pranverë,ka prurje ujore sa të lumit Valbona.
Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, ( fshati që ka marrë emrin e lumit Valbona),udhëtimi kalon nepërmjet luginës së ngushtë,në të dy anët e së cilës ka shpate malesh shkëmbore,pyje ahu e bredhi,duke u shpalosur pamje të mahnitshme që zevendësojnë njëra tjetrën përgjatë rrugës automobilistike që gjarpëron luginës.
E në njëren prej Shtatë Grykave shtrihet Dragobia,mes maleve,në rrjedhën e sipërme të lumit Valbona.Fshati Dragobi shfaqet me mbi 20 kulla karakteristike prej guri deri 200 vjeçare,me ujëvarën që rrjedh pingul nga shpati i malit.Shtëpitë karakteristike prej guri,me çati të pjerrëta,e ruajnë akoma konstruktin tradicional të krahinës.ndonëse është mesqershori dhe dielli lëshon rrezet e mesditës,fryn një erë e freskët , e cila luhat degët e lisave të moçëm.Një peisazh nga më të rrallët e Shqipërisë veriore,ku malet janë thikë drejt qiellit,thua bien mbi kokat tona.E këto janë vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna.
Udhëtimi i fundmë është Valbona,Fusha e Gjesë.Fshati mahnitës turistik shtrihet 25 km larg nga Bajram Curri , i ndodhur 900 m mbi nivelin e detit me rreth 300 banorë,kurse gjatë verës dyfishohet e trefishohet pasi kthehen në kullat e tyre,ku ndiejnë gurgullimat e zhurmshme të lumit,thithin ajrin e pastër të vendlindjes,sodisin gjelbërimin,majat e maleve të thepisura që rrethojnë luginën në formën e një hauzi madh.Lugina e Valbonës shtrihet në lindje të masivit malor të bjeshkëve të Tropojës,duke nisur nga qafa e Valbonës në perëndim e përfundon në luginën e Drinit,në jugperëndim.Karakteristikë e lumit Valbona është se fill pas burimit fluturon në një ujëvarë mbi 50 m lartësi,humbet në zallishten e Rrogamit 5 km dhe riburon në fshatin Valbonë.herë e qetë,herë e zhurrmshme,e zbret përgjatë luginës,për t’u shtruar përfundimisht pas kamnionit të Shtrenjtit.Gjatësia e saj është 51 km deri në lumin Drin,e kjo është zona turistike më e vizituar në Tropojë e në krejt Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.
Në Kika,në të djathtë ndahet rruga automobilistike e Çeremit,fshat që shtrihet 1800 m lartësi,e në të majtë,në mes pyllit me ah e pisha,ndodhet shpella e Dragobisë,ku njihet në histori si shpella e Bacë Bajramit.E prej këtu fillon fshati Valbonë.
Valbona ka 40 shtëpi tip alpin dhe shtrihet nga Kikat deri afër Fushës së Gjësë.Ajo ciklohet nga maja që bien pingul mbi luginë, e në qendër të fshatit lugina merr hark në drejtim të jugperëndimit.Kjo paraqet pamjen e një zallishteje të pyllëzuar.Djathtas shtrihen 30 shtëpitë e fshatit Rrogam,nga Fusha e Gjësë deri te ujëvara e Valbonës me ambiente për pushim e argëtim dhe pamje mahnitëse.
Banorët tashmë e kanë kuptuar se turizmi malor me krijimin e mundësive në infrastrukturë,duke përfunduar asgaltimi I rrugës automobilistike,është një mrekulli që u ka dhuruar natyra e që duhet shfrytëzuar për të siguruar të ardhura ,thotë për “Shqiptarja.com” Mark Lamthi,banor i Rrogamit të Shalës.Çdo vit numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka pësuar rritje.Shtëpitë e banorëve janë të hapura për “mysafirët”,siç dëshirojnë t’i quajnë turistë dhe vizitorët, banorët vendas.Tashmë kullat janë restauruar dhe akomodohen vizitorët e shumtë që shkelin Valbonën në këto ditë pranvere.
Gastronomia në Valbonë është tradicionale: mish keci,qingji në hell ( ferlig ),troftë Valbone,çorbë,gjizë me speca djegës,qumësht ,mjaltë dhe djathë deleje,mjaltë,maze,bukë misri ( leqenik),kos të kulluar dhe fli,pra janë të gjitha produkte biologjike të zones.Por duhet theksuar se ushqimet ,kryesisht për vendasit, janë të larta,sidomos sallatrat,ferligu,flija ( e cila shitet 2500 lekë ),turshitë e deri te kafeja turke dhe pijet .Akomodimi ka ndryshuar dhe banesat janë përshtatur kushteve bashkëkohore.
Banorët që sapo kanë marrë nismën e mundësimit të turizmit familjar,kërkojnë t’u jepet kredi nga shteti për restaurimin e banesave kundrejt projekteve që kanë paraqitur pranë organeve vendore.Krahas përmirësimit infrastrukturës,edhe energjia elektrike është e qëndrueshme dhe është përmirësuar rrjeti celular dhe interenti.
Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës,majës së Bardhë bora qëndron përjetësisht si një qeleshe e bardhë ,ndërsa ujëvara e Rrogamit pranë fshatit Valbonë,ku buron lumi me të njëjtin emër,e ku prindërit nxitojnë t’i pagëzojnë vajzat e bukura kur lindin,është një sfidë për çdo alpinist .
Valbona është një mrekulli.Banorët e saj janë vëllezërit e Omerit që tash njëmijë vjet motra e tyre kërkon varrin e pagjetur bjeshkëve të Zhaborres e Grykave të Hapuna.
Kjo është Valbona me banorët e saj zemërmirë dhe bujarë,si vetë bjeshkët kreshtëbardha.
Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)