SHKODER, NIS ME VONESE NDARJA E MATERIALEVE
Materialet zgjedhore tashmë janë gati në të gjitha KZAZ-të dhe çdo gjë duket në rregull për dorëzimin e tyre tek komisionerët. Shpërndarja e materialeve ka nisur me vonesë dhe sipas kryetarëve te KZAZ –ve, kjo ka ndodhur për shkak të mosplotësimit të komisionerëve nga subjekte të ndyshme politike, gjë e cila pritet të ndodhë në orët vijuese.
Sipas rregullores është parashikuar që shpërndarja e materialeve zgjedhore tek komisionerët duhet të nisë saktësisht 15 orë përpara startit zyrtare të procesit të votimit dhe herë pas here kanë ardhur thirrje për subjektet politike që të plotësojnë komisionet e qëndrave të votimit, në mënyrë që kjo të mos bëhet shkak për ndarjen me vonesë të materialeve zgjedhore.
LEZHE, RRITET NUMRI I VEZHGUESVE TE HUAJ
Komisionet zonale te administrimit të zgjedhjeve në Lezhë kanë përmbyllur të gjithë procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e 23 qershorit dhe sipas tyre, gjithçka është gati dhe nuk ka probleme deri tani. Shpërndarja e bazës materiale do të përfundojë në mbrëmje dhe pritet që në orën 7:00 të mëngjesit të ditës së diel të hapen të gjitha qendrat e votimit. 10 është numri i vëzhguesve të huaj të akredituar në qarkun e Lezhës, të cilët do të monitorojnë nga afër të gjithë procesin deri në numërimin e plotë te votave.
GJIROKASTER, VETEM NJE KZAZ PA KOMISIONERET E LSI
Infrastruktura zgjedhore në qarkun e Gjirokastrës është tërësisht e instaluar, ndërkohë që pritet ora 07:00 e ditës së nesërme që gjithçka të fillojë duke u dhënë mundësi qytetarëve të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese.
Ditën e nesërme janë thirrur në qendrat e votimit, 129.482 zgjedhës në qarkun e Gjirokastrës me të drejtë vote, të cilët do të votojnë në 237 qendra votimi. Numrin më të madh të votuesve e ka rrethi i Gjirokastrës me 68.640 votues ndërsa atë më të ulët, rrethi i Përmetit me 29.682 votues.
Sot në dy KZAZ-të që operojnë në rrethin e Gjirokastrës, puna ka ecur normalisht pa asnjë lloj anomalie pasi bashkëpunimi dhe bashkërendimi i anëtarëve të komisioneve përkatëse që vijnë nga subjektet politike, ka qenë shumë i mirë përveç KZAZ-së nr.79 që përqëndrohet në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Koto Hoxhi” ku LSI-ja nuk ka paraqitur ende anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit ç'ka ka pezulluar përkohësisht punën.
Koordinatori i KQZ-së për qarkun e Gjirokastrës, Afrim Mullai, shprehet për "A1 Report!" se baza materiale për qendrat e votimit do të nisë në orët e mbasdites dhe do të përfundojë deri pas mesnate. Rrethi i Gjirokastras ka dy KZAZ, atë me numër 78 dhe 79, kjo dhe për shkak të numrit të madh të votuesve në raport me rrethet e Tepelenës dhe Përmetit që kanë nga një KZAZ për secilën.
Në KZAZ nr 78 që është përqëndruar në Pallatin e Sportit të qytetit që dhe do të shërbejë si qendër për numërimin e votave, do të numërohen votat e zgjedhësve të qytetit të Gjirokastrës dhe komunave të Lazaratit, Picarit dhe Cepos, ndërsa në KZAZ 79 në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Koto Hoxhi”, do numërohen votat e zgjedhësve të bashkisë Libohovë dhe komunave Qendër Libohovë, Antigone, Pogon, Dropulli i Poshtëm, Dropulli i Sipërm, Odrije, Zagori dhe Lunxhëri.
VLORË, ENDE PEZULL KOMISIONERET, PARTITE MUND T'I NDRYSHOJNE
Qarku i Vlorës ka bërë publik emrat e 48 komisionerëve, që do të numërojnë votat në gjashtë KZAZ-të e rrethit, por emrat e tyre do t’i dërgohen KQZ-së vetëm mbasdite, pasi nga partitë deri në orët e fundit pritet që t’i ndryshojnë. Megjithatë, Vlora po përgatitet për zgjedhjet e së dielës dhe rreth orës 6:30 të mëngjesit të sotëm, të 143 qëndrat e votimit kanë bërë gati të gjitha materialet dhe infrastrukturën e duhur. Në Vlorë, nga 106 mijë votues, vetëm 43 % marrin pjesë në zgjedhje pasi ky qark, më shumë se gjysmën e popullsisë e ka në emigracion.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)