Një frymë e re për rotacionin politik
Fryma e Re Demokratike e nisi rrugën për ta ndryshuar përfundimisht politikën. Bamir Topi në krye të një grupi politikanësh të rinj, të pakonsumuar shpalli një projekt kundër të konsumuarve.
Fryma e Re Demokratike e nisi rrugën për ta ndryshuar përfundimisht politikën. Bamir Topi në krye të një grupi politikanësh të rinj, të pakonsumuar shpalli një projekt kundër të konsumuarve. Mund të jetë një mundësi e mirë për të rigjetur votuesit e zhgënjyer, që ishin shënjestra e ish – presidentit. Me ambicien për të mos u reshtuar në partitë e vogla në përballjen elektorale të vitit të ardhshëm, Bamir Topi kërkoi rikthimin e të zhgënjyerve që nga viti 1990 deri sot. Një thirrje që nuk iu drejtua vetëm të djathtëve. Si garanci, FRD dha mospajtimin me dy “partitë e vjetra”, moslejimin e parcelizimit të qeverisjes dhe shtetit dhe ecjen në rrugën e politikës jokonfliktuale. Nuk është hera e parë që provohet joshja e votuesve me luftën kundër dy partive të mëdha. E ka provuar Lëvizja Socialiste për Integrim, po e provon edhe Aleanca Kuqezi. Në rastin e LSI-së joshja nuk pati efekt tek të larguarit e zhgënjyer nga kutitë e votimit. Aleanca Kuqezi duket sikur ka arritur të joshë votues të rinj, por ende është e vështirë të kuptohet nga vijnë dhe sa të angazhuar do të jenë ditën e votimit. Statistikat e zgjedhjeve kanë treguar për votues në rënie dhe për një ndarje të fiksuar votash mes të majtës dhe të djathtës. Nëse FRD do të kërkonte vetëm të zhgënjyerit rishtaz nga qeverisja e Berishës, nuk do të mund të arrinte më shumë se LSI-ja e Metës në vitin 2005. Do të rreshtohej tek partitë e vogla dhe do të shërbente vetëm për llogaritë dhe strategjitë elektorale të të mëdhenjve. Sigurisht për këtë do të shpërblehej po aq sa LSI, megjithëse Topi e përjashtoi shpërblimin me 20 për qind të pushtetit, duke kundërshtuar parcelizimin e qeverisë.
Me këtë plaftormë ambicioze, FRD po kërkon të renditet në krah të partive të mëdha. Kjo është një sfidë e vështirë në kushtet e Shqipërisë. Media është ndarë në shumicën e vet mes dy partive të mëdha. Pak media të pavarura dhe si rrjedhim pak hapësira mund të gjejë Topi për të shpjeguar veten, programin dhe qëllimin e tij. I sulmuar sistematikisht nga Berisha, komunikimi i FRD me elektoratin e qendrës së djathtë do të jetë shumë i vështirë. Lufta e Berishës me PAD ne vitin 1996 ishte më e fortë se lufta me Partinë Socialiste. Qëllimi i Presidentit të asaj kohe ishte që PAD të mos gjente hapësira mediatike dhe të mos numëronte dot votat. Me zgjedhjet e 26 majit ia arriti. Me kosto të lartë për veten, por shumë të lartë edhe për partinë e re të krijuar nga ish - drejtuesit e PD-së. Me kodin elektoral të tanishëm, FRD do të ketë vështirësi të mëdha për të administruar votat që pret. Nuk do të ketë anëtarë as në komisionet e qendrave të votimit as në komisionet e numërimit. Pra nuk do të kontrollojë dot, as votën që hidhet, as votën që numërohet. E ngjashme kjo me pozitën e LSI-së në vitin 2009. Dëshmitë e Dritan Priftit dhe të Ilir Metës, që u kërkonin liderëve të partive të mëdha t'u mbronin votën që të dilnin deputetë, përveçse diskretituan administrimin e proçesit zgjedhor, janë një ogur i zi për fatin e partive të reja që nuk kanë akses në administrim. Vëzhguesit kanë qenë të pamjaftueshëm në zgjedhjet e mëparshme dhe në kodin e ri nuk kanë më shumë të drejta se ato që kanë patur.
Përveç mediave dhe administrimit të votave, një tjetër pengesë drejt shndërrimit në një parti të madhe është frika për fragmentarizimin e së djathtës. Precedenti LSI, që mban Berishën në pushtet prej përçarjes së të majtës, mund të trembë të djathtët. Me votën për Topin ata do të kenë frikën e kalimit të së djathtës në opozitë. Berisha prej kohësh po e akuzon Topin si bashkëpunëtor të Edi Ramës. Ambicia për t'u renditur krahas apo përpara 2 partive të mëdha do të ishte më pranë realiztetit nëse FRD do të ishte vërtetë tribuna e të djathtëve të pakonsumuar. Eduart Selami, Besnik Mustafaj dhe figura të tjera të afirmuara që nga lëvizja studentore '90 dhe të pakonsumuar në qeverisjet e Berishës mund ta shndërronin FRD në një parti të madhe përpara zgjedhjeve. Mes figurave të së djathtës edhe Nard Ndoka, deklaroi dje në Vizion plus që mund të bashkohet me FRD në një koalicion parazgjedhor. Nëse partia e re do të heqë filtrat, mund të shndërrohet në një zhgënjim të ri.
Ende pa shpallur programin, FRD gjendet përballë sfidave të vështira. Vëmendja ndaj forcës së re lidhet edhe me mosbesimin tek forcat e opozitës aktuale. Rezultati më i sigurtë që do të prodhonte suksesi i Frymës së Re është rotacioni politik. Jo vetëm rotacioni 8 - vjeçar që largon Berishën, por edhe rotacioni 23 vjeçar i politikanëve të tranzicionit.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
Sondazhi i ditës:
10 Janar, 11:51
A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?
-
Po
68.8%
-
Jo
27.7%
-
Nuk e di
3.5%
Vota total: 1454
Votat totale janë unike
Lajme të tjera
-
Numërimi i votave, Celibashi: S’është koha që partitë të ikin! PD kundër numëruesve që vijnë nga administrata: Katastrofale
10 Dhjetor 2024, 15:29
-
Zgjedhjet 2025/ Komisioni i Venecias: Punoni të jenë të lira, OSBE: Depolitizoni administratën zgjedhore! Celibashi: Do të sillte mosnjohje rezultati
10 Dhjetor 2024, 10:23
-
Shqipëri, shqetësim transparenca e financimit në zgjedhje
9 Dhjetor 2024, 20:38
-
OSBE trajnon gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm mbi trafikimin e qenieve njerëzore
6 Dhjetor 2024, 14:15
-
OSBE, trajnim punonjësve të Burgjeve për standardet e të drejtave të njeriut
22 Nëntor 2024, 15:44
-
'Krimet me armë të lehta ndodhin kudo por në Shqipëri është më i ashpër' Ambasadori i OSBE-së: Siguria nuk është vetëm përgjegjesi e policisë
20 Nëntor 2024, 17:32
-
Goditja e korrupsionit politik, financimi i partive dhe kufizimi për punësimin e titullarëve pas mbarimit të detyrës! Zbardhen disa nga propozimet në Komisionin e Posaçëm
13 Nëntor 2024, 09:47
-
Mbahet tryeza e parë për Dokumentin Analitik, ekspertët zbulojnë gjetjet dhe rekomandimet për integritetin e administratës publike dhe konsolidimin e shërbimeve digjitale
4 Nëntor 2024, 20:27
-
'Mashkull, femër apo të tjera', OSBE flet për sondazhin: E konsultuam me Kuvendin
29 Tetor 2024, 09:18
-
Fitorja e partisë proruse, Presidentja e Gjeorgjisë thotë se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve
27 Tetor 2024, 22:27
-
'Mashkull, femër apo të tjera, çfarë gjinie je?', Tritan Shehu denoncon 'sondazhin' e OSBE-së për deputetët: Fyes, refuzoj ta plotësoj
24 Tetor 2024, 20:21
-
Prapaskenat e garës për sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, Shqipëria me kandidaturën e Igli Hasanit mund rivalin turk! Si do zgjidhet në Vjenë
26 Shtator 2024, 17:15