Një hulumtim rreth udhëtareve
që dashuruan Shqipërinë

Një hulumtim rreth udhëtareve<br />që dashuruan Shqipërinë
Hulumtuesja italiane Olimpia Gargano, më datë 27 Shkurt 2015 paraqiti doktoraturën e saj në Letërsi Krahasuese në Universitetin e Nicës “Sophia Antipolis”, dhe me këtë përfundoi me “mention d’honneur” një projekt kërkimor katërvjeçar të filluar në Janar të 2011-ës.

Në këtë tezë prej 432 faqesh, të shkruar krejtësisht në frëngjisht, përfshiu tekste të letërsisë franceze, angleze, italiane dhe gjermane të shekujve XIXXX (nga Byron në 1940). Duke përfituar nga ky rast, i vyer jo vetëm për arritjet e saj, por edhe për kulturën Shqiptare (teza « L'image de l'Albanie à partir des récits de voyage des XIXe et XXe siècles, notamment à travers les œuvres de Mary Edith Durham ("High Albania", 1909), Alexandre Degrand ("Souvenirs de la Haute-Albanie", 1901), Ugo Ojetti ("L'Albania", 1902) » është e para ndër doktoratura ndërkombëtare në Letërsi Krahasuese kushtuar letërsisë së udhëtimit evropian në Shqipëri) intervistojmë autoren, historia dhe misioni i së cilës ngjan më atë të dijetares Edith Durham.

Ne shqiptarëve na bëhet gjithmonë qejfi, dhe e kemi për nder të madh, të marrim vesh që një i huaj interesohet për Shqipërinë dhe mëson rreth saj. Pra dua të filloj me një falenderim të madh. Ju kam ndjekur gjithmonë, por jo kaq afër, pra në një intervistë, dhe nuk kam pasur kurrë rastin t’ju falenderoj.

Në këtë rast, duke parë njoftimin e paraqitjes së doktoraturës në Universitetin e Nicës, që është bërë pikërisht në datën e lindjes sime, kur mbusha njezet e pesë vjet: me 27 Shkurt. Pra, patjetër do ta kujtojmë të dyja këtë ditë (qeshim)! Pra urime edhe për sukseset e arritura dhe ato që patjetër do të vijnë.
 
-E fillojmë me pyetjen që do keni dëgjuar më shpesh: si e keni njohur Shqipërinë? Si ka qenë qasja me këtë vend dhe kulturën e tij?
 
E fillojmë menjëherë me përgjigjen e pyetjes së parë. Është me të vërtetë ajo që dëgjoj të më bëhet më shpesh, nga shqiptarë dhe jo vetëm. Le të themi që kam zbuluar Shqipërinë… duke rënë nga biçikleta! (qesh) Është një histori prej romani, ashtu si mbase gjithë gjërat e rëndësisshme të jetës sonë. Ndërkohë le të themi kishte pasur, shumë kohë përpara, disa “shenja” të Shqipërisë mbi udhën time: kur isha në lice, në Amalfi, fitova çmimin e parë me një temë në një konkurs kushtuar artit të Ibrahim Kodrës, piktorit të madh shqiptar që e donte aq shumë Bregdetin Amalfitan, dhe ishte shpesh i ftuar në Positano.

Kur isha 23 vjeçe, u diplomova në Letersi Klasike me një hartim mbi luftat ilirike. E pabesueshme ta mendosh tani, por përveç këtyre dy rasteve, nuk isha marrë kurrë veçanërisht me kulturën shqiptare. Deri kur, në vitin 2008, kam rënë nga biçikleta... Isha në një periudhë shumë të dhimbshme të jetës sime; pak kohë përpara, kisha humbur tim shoq, që kishte munguar pikërisht si pasojë e një aksidenti në biçikletë.

Ato muaj, kisha humbur çdo interes për çfarëdo lloj gjëje, ndihesha mirë vetëm kur shëtisja me biçikletë përgjatë rrugëve që kishim përshkuar aq shumë herë së bashku. Deri kur, një ditë, rashë edhe unë... asgjë e rëndë, vetëm një tronditje e fortë emocionale. Isha në Sanremo, disa njerëz më ndihmuan, pastaj kur të gjithë kishin ikur kuptova që kishte mbetur vetëm një njeri ulur pranë meje, që më mbushte gotën me ujë për të pirë dhe më zgjaste shami prej letre për të tharë lotët. Ishte një i ri shqiptar. U bëmë miq, ai më tregoi historinë e tij - i ardhur si shumë nga deti gjatë viteve të tmerrshme të valëve të para të emigracionit.

Më rrëfente fëmijërinë e tij në Shqipëri, dhe mua më dukej sikur dëgjoja tregime të vjetra, të një të kaluare të largët dhe sidomos të një toke për të cilën po vetëdijësohesha që në të vërtetë nuk dija asgjë. Ishte sikur po grisej një vello në errësirën e mendjes sime. Në përfytyrimin tim - shumë të zhvilluar, e di, por fundja, pa imagjinatë nuk ka krijim - ky person po më sillte një mesazh, një ftesë në zbulimin e diçkaje që do të ma rikthente shijen e studimit dhe të kërkimit.

Kështu fillova të interesohem për Shqipërinë, gjuhën e saj dhe trashëgiminë e pabesueshme kulturore që ka. Një vit më vonë, bëra udhëtimin tim të parë në Tiranë: dhjetë ditë, gjatë të cilëve ndihesha jashtëzakonisht në shtëpi, ndonëse gjendesha në një vend të paparë ndonjëherë. Në atë pikë, vendosa t’i përkushtohem studimit të Shqipërisë në mënyrë sistematike, dhe në 2011 paraqita një projekt kërkimor në Letërsi Krahasuese në Universitetin e Nicës (Franca është vetëm dymbëdhjetë kilometra nga Ventimiglia, ku unë jetoj).

Pjesa tjetër, është ngjarje e këtyre ditëve, e kulminuar në diskutimin e mbajtur, më 27 shkurt, të tezës së parë të doktoraturës ndërkombëtare në Letërsi Krahasuese kushtuar letërsisë së udhëtimit evropian në Shqipëri në dy shekujt e fundit. Mbi këtë, dua të shtoj një udhëzim të rëndësishëm: sipërfaqja e marrë në shqyrtim nga kërkimet e mia nuk përputhet me kufijtë gjeopolitikë të Shqipërisë së sotme, por përfshin gjithë truallin e kulturës dhe gjuhës shqiptare që në shekullin e XIX-të shkonte nga veriu i Greqisë, në Maqedoni e në Kosovë. Ishte kjo Shqipëria që shkrimtarët, udhëtarët dhe artistët nga e gjithë Evropa përfaqësonin në ato vite në veprat e tyre, dhe kjo është Shqipëria me të cilën jam marrë.
 
-Hulumtimi juaj i kushton një hapësirë të veçantë udhëtimit femëror. Si i shihni këta gra që udhëtojnë në një vend si Shqipëria, dhe shkruajnë për të, e pikturojnë dhe e fotografojnë? Kush janë këto gra udhëtare, që shpesh përshkruhen si tekanjoze", "të çuditshme" apo "romantike", në rastet kur përfillen? Dhe me ç’sy e shohin Shqipërinë?
 
Kjo ka qenë një nga surprizat e shumta që dolën gjatë këtij hulumtimi. Nuk e prisja që të kishin qenë kaq të shumta gratë, piktore, shkrimtare, etnografe, të cilat kishin përshkuar Shqipërinë kryq e tërthor duke filluar që nga vitet 60-të të shekullit të XIX, duke lënë dëshmi të rëndësishme dhe më së shumti akoma të papërfillura. Në udhëtimet e saj në krahinën e liqejve shqiptare, anglezja Mary Adelaide Ëalker shkroi dëshmi të çmuara që hedhin dritë mbi nivelin e lartë të përpunimit të arritur nga prodhimi i pëlhurave dhe veshjeve shqiptare, shumë të kërkuara nga njerëzit më të pasur në gjithë Perandorinë Osmane.

Për të mos folur për ofortet e saj që përshkruanin peisazhe shqiptare dhe skena të jetës së përditshme ende të panjohura për pjesën tjetër të Evropës. Por ai i Ëalker-it është vetëm një nga emrat e grave që, për arsye të ndryshme, janë marrë me Shqipërinë në veprat e tyre. Sa veta, në Shqipëri apo gjetkë, ja dinë vlerën e punës së gjuhëtares dhe arkeologes skoceze Margaret Hasluck, apo të baroneshës gjermane Marie Amelie von Godin, të cilat kanë marrë pjesë themelore në studimin e albanistikës në pjesën tjetër të Evropës?

Në qoftë se, për fat të mirë, vepra e Edith Durham është shumë më e mirënjohur (edhe pse aspektet me të vërtetë përtëritëse dhe "specialistike" të punës së saj kanë mbetur akoma pjesërisht në hije), kur bëhet fjalë për udhëtare në Shqipëri, si me të drejtë vini në dukje në pyetjen tuaj, flitet për ta si karaktere "tekanjoze", "të çuditshme", rrallëherë të njohura për ekspertizën e tyre të veçantë.

Në një shoqëri akoma rreptësisht maskiliste (dhe nuk e kam fjalën vetëm për atë shqiptare), ende zgjat dallimi gjinor në bazë të të cilit "dijetarët" janë përgjithësisht meshkuj. Gratë, atëherë kur përmenden, vazhdojnë të përfaqësohen në mënyrë paternalistike, por pak ose aspak të njohura nga ana shkencore. Dhe për sa i përket femrave shkrimtare mbi tema shqiptare, rikujtojmë që ajo që mbahet si poema e parë epike femërore e letërsisë evropiane kishte si protagonist Skënderbeun, dhe u shkrua nga një autore napoletane me kulturë të lartë, Margherita Sarroçhi (“La Scanderbeide”, Roma, 1623).
 
-Tashmë ju kanë krahasuar me Mary Edith Durham, jeni quajtur Edith Durham i shekullit tonë. Dhe në të vërtetë kujdesni edhe një faqe të mrekullueshme dhe të përditësuar sociale në Facebook. Çfarë ndjeni të keni të përbashkët me të?
Ky krahasim më vë në vështirësi. Askush sot nuk mund të jetë as vagëllimthi e krahasuar një grua si ajo, e cila u përball me vështirësi të çfarëdo lloji duke udhëtuar praktikisht e vetme nëpër male në ato kohëra në të vërtetë të pashkelura edhe nga udhëtarët meshkuj. Edith Durham nuk është kufizuar duke bërë kërkime etnografike dhe folkloristike mbi Veriun e Shqipërisë, për të lënë një dokumentacion të madh grafik, piktorik, fotografik dhe madje zanor (ende më lë të shtangur fakti që askush nuk është marrë ende me studimin e regjistrimeve të saj të këngëve dhe muzikave tradicionale të Veriut të Shqipërisë të depozituara në British Library në Londër, një rrallësi absolute në ato kohëra).

Ajo i është përkushtuar edhe materialisht ndihmës për të sëmurët dhe nevojtarët, duke shërbyer në spitale dhe duke promovuar mbledhje fondesh ndërkombëtare. Dhe kur nuk ishte fizikisht në Shqipëri, ishte gjithmonë e angazhuar për të mbrojtur çështjen në zyrat diplomatike të të gjithë Evropës.

E vetmja gjë që ndjej të kem të përbashkët me të është pasioni për studimin dhe kërkimin në fushën e Shqipërisë.
Faleminderit që keni vënë në dukje faqen sociale të kushtuar asaj: ka lindur si një nderim për Edith Durham, një "zbavitje" për t’u çplodhur nga angazhimet e hulumtimit; më pëlqente t’u tregoja shqiptarëve pamje dhe shkrime që shpesh ata vetë nuk I njihnin. Gjatë këtyre viteve, lexuesit janë bërë të shumtë, dhe shumë shpesh komentet e tyre më kanë dhënë udhëzime të rëndësishme, për shembull në lidhje me e veshjeve dhe zakoneve që ata i njihnin në sajë të traditës familjare.

Ndër përvojat që më kanë lënë më shumë mbresa, janë mesazhet që kam marrë nga disa fëmijë që më kërkonin të dhëna për kërkimet shkollore! Kur është e mundur, përpiqem t'i përgjigjem të gjithëve: bindja ime është se, në qoftë se paraqiten kërkimet e veta në platformën më të madhe sociale në botë, duhet gjithashtu t’i japësh vëmendje lexuesve, të cilët janë vetë jeta e faqes.
 
 
-Shumë mendojnë se të studjosh tema "të prapambetura" dhe "cliché" mbi kulturën shqiptare shërben vetëm për të dhënë një pamje të stereotipuar dhe larg së tashmes….
 
Jam e lumtur për këtë pyetje që më lejon të sqaroj më mirë kuptimin e hulumtimit tim.Unë studioj Shqipërinë me mjetet e Letërsisë Krahasuese, një disiplinë që përballet me studimin e teksteve me qëllim që të identifikojë strukturat e mendimit që janë baza e disa modeleve të caktuara të përfaqësimit. Ideja themelore është se çdo tekst është një textus (në latinisht "pëlhurë", "ndërthurje") në kuptimin etimologjik të fjalës, i gërshetuar me referime, ndikim, pak a shumë të vetëdijshme që burojnë nga bagazhi kulturor dhe vetjak i një shkrimtari, i modeleve të tij të referimit.

Përballë një poezie, një romani, një tregim udhëtimi, një krahasimtar aplikon të njëjtat mjete të shqyrtimit të një gjeologu, që "lexon" një mineral, një shkëmb, për të identifikuar shtresat e ndryshme dhe lëndët që e përbëjnë. Në këtë kuptim, stereotipet dhe cliché-të, nga vetë fakti i të qenit kaq të qëndrueshëm dhe të përhapur dhe pra të "me shtresa" me kalimin e kohës, na japin të dhëna të rëndësishme për të kuptuar se si u trajtësua, gjatë shekujve, imazhi i një populli dhe i vendit të tij. Për shembull, kur Byron mbetet i magjepsur para "Arnaouts" të Tepelenës në fustanella dhe i krahason me ato të kalorësve feudalë skocez të përshkruar në romanet e Ëalter Scott, ky referim na jep të dhëna shumë të dobishme mbi mënyrën se si Byron "pa" Shqipërinë jugore, duke e filtruar atë nëpërmjet lenteve të vetë burimeve letrare referimi (mes të cilëve Ëalter Scott ishte pikërisht një nga autorët e parapëlqyer).

Me fjalë të tjera, kur një shkrimtar përshkruan një vend, nuk përfaqëson vetëm atë që ka përballë syve të tij, por "vështrimin" e tij, dhe pra imazhi që do t’i japë atij vendi, është i ndikuar nga leximet e tij vetjake dhe përfaqësimet e atyre që kanë përshkruar ato vende para tij. Nga ana e tij, një autor krijon lëndë të re që do të ndikojë vizitorët, artistët dhe udhëtarët e mëpasshëm. Pastaj, kur një shkrimtar është i njohur si Byroni, "imazhet" e tij krijojnë jehona që tingëllojnë kudo.

Një rast shembullor i kësaj është vallja e Palicarit që ai përshkruan në strofën LXXI të "Childe Harold"-it: e pra, ai përshkrim ishte aq i suksesshëm sa që do të citohej, rimerrej dhe zgjerohej në të gjithë Evropën, duke i dhënë fillesë një përfaqësimi piktoresk tërheqëse si kjo e sjellur këtu poshtë, e piktorit parizian Alexandre-Gabriel Decamps. Alexandre-Gabriel Decamps, Les danseurs albanais (1835)

Përsëritja e imazhit krijon një cliché, që e bën të udhëtojë imazhin e një vendi në tërë botën. Në studimin e tij, një krahasimtar vihet në një qëndrim neutral: nuk ka rëndësi në qoftë se ai cliché përcjell një imazh pak a shumë të bukur, ajo që ka rëndësi është të "çmontohen" përbërjet konceptuale, artistike dhe letrare nëpërmjet të cilës ky imazh është ndërtuar, për të kuptuar se në ç’mënyrë dhë në ç’mase një vend, apo një popull i tërë, është përfaqësuar gjatë shekujve.

Për të kuptuar “Tjetrin”, duhet të përpiqemi ta njohim në të gjitha pikëpamjet e tij, që në rastin e përfaqësimit letrar kalojnë pikërisht nëpërmjet veprave të shkrimtarëve të cilët kanë folur për të. Cliché-ja nuk është e mirë apo e keqe në vetvete, problemi lind atëherë kur në bazë të një clishé-je apo stereotipi të vetëm pretendohet të njihet një popull i tërë. Si gjithmonë, frikat dhe paragjykimet lindin pikërisht nga mungesa e njohurisë.
 
-Cilin aspekt do të vinit më shumë në dukje në mes të rezultateve të arritura në hulumtimin tuaj deri më tani?
 
Elementët fare të rinj janë shfaqur me shumicë, dhe shpresoj të mund t’i zhvilloj akoma më tej në vitet e ardhshme. Këtu do të doja të theksoja ndihmesën e dijetarëve, shkrimtarëve dhe udhëtarëve francezë në njohurinë e Shqipërisë. Në fakt, ngaqë hulumtimi im u zhvillua në Francë, dhe në frëngjisht, më ka ardhur natyrshëm t’i jepja një hapësirë të veçantë autorëve frankofon: ka ndodhur kështu që, për habinë time, të vija re një kënd shumë të rëndësishëm dhe deri tani pak të theksuar në fushën e studimeve albanistike, domethënë një pasuri veprash gjuhësore, historike dhe letrare vepër pikërisht e ambasadorëve francezë mes të cilëve Louis Hyacinthe Hecquard, Auguste Dozon, ose të njëjtin Alexandre Degrandi, Souvenirs de la Haute-Albanie të të cilit janë një nga tekstet themelorë të hulumtimit tim.

Të mos harrojmë, veç të tjerash, se bibliografia më e plotë shqiptare u shkrua pikërisht nga filologu i madh Émile Legrand (Bibliographie albanaise. Description raisonnée des ouvrages publiés en albanais ou relatifs à l’Albanie du Quinzième siècle à l’année 1900, Paris, H. Ëelter Editeur, 1912), dhe në kohët e fundit është rimarrë dhe përditësuar nga një tjetër dijetare franceze, Odile Daniel (Albanie. Une bibliographie historique, Paris, Éditions du Centre National de la Recherche Scientifique, 1985).

Për më tepër, rast i veçantë në historinë e letërsive kombëtare, ai që mbahet si romani i parë i letërsisë shqiptare, domethënë Bardha de Temal e Pashko Vasës, në fakt u shkrua pikërisht në frëngjisht dhe u botua në Paris në vitin 1890. E çfarë të themi në lidhje me faktin se revista e parë albanistike evropiane, pra Albania e Faik Konicës, është shkruar në frëngjisht dhe është botuar mes Parisit dhe Brukselit? Me pak fjalë, marrëdhëniet kulturore midis Francës dhe Shqipërisë kanë qenë të dendura dhe të frytshme përgjatë shekujve.
 
-Në veprat e asaj kohe, siç del dhe nga studimet tuaja, Shqipëria paraqitet në një hendek midis të kaluarës mitike dhe realitetit të kufizuar të së tashmes. Ju, që vini nga një tokë kaq e mrekullueshme, si Bregdeti Amalfitana, dhe jetoni në një vend si Bregdeti Ligur, si e shihni të ardhmen e Shqipërisë? Çfarë duhet të përmirësojë Shqipëria, dhe çfarë i mungon?
 
Bregdeti Amalfitan ka tashmë shekuj që është një nga pikësynimet e preferuara për udhëtarët nga e gjithë bota; Shqipëria i ka të gjitha numrat për t’u bërë e tillë. Vendi juaj po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë dhe konsideratë pozitive nga pjesa tjetër e botës, duke rimqarrë vonesën me të cilën e kishin dënuar shekuj pushtimi osman dhe një pesëdhjetëvjeçar diktature. Me këto ritme, në më pak se dhjetë vjet Shqipëria do të jetë një nga pikësynimet turistike më të dëshiruara në të gjithë Mesdheun.

Për sa i përket "mungesave": në qoftë se do të shprehja një dëshirë për Shqipërinë, do të dëshiroja për të, atë që do dua edhe për Italinë e këtyre viteve të fundit: ndershmëri, profesionalizëm dhe tejdukshmëri nga ana e atyre që administrojnë të mirat publike, vullnet për të përmbushur zgjedhje në emër të kombit dhe jo për përfitime vetjake.
 
-Çfarë planesh keni për të ardhmen?
 
Në të ardhmen e afërt, janë tre bisedime ndërkombëtare në të cilat do të paraqes po aq çështje që lidhen me letërsinë e udhëtimit evropian në Shqipëri: në fund të marsit, në një konferencë në Cambridge do të flas për Lucy J. Garnett, një tjetër dijetare pak e njohur e cila në fund të shekullit të XIX-të i ka kushtuar hulumtime etnografike kulturës shqiptare.

Në mes të prillit, do të kthehem përsëri në Angli (Sheffield) për të paraqitur një studim kushtuar veçanërisht kërkimit folklorik të Edith Durham-it; takim i tretë në Porto (Portugali), për një raport mbi Shqipërinë e konsullit francez François Pouqueville në një konferencë ndërkombëtare të Letërsisë Krahasuese. Më vonë, do shohim. Siç thotë një poezi e bukur e spanjollit Antonio Machado, "endacak, nuk ka asnjë rrugë: udhëtimi bëhet duke ecur." Shumë faleminderit Fioralba Duma për kohën dhe vëmendjen që më keni kushtuar.
 
Edhe ne, gjithashtu, ju falënderojmë për vëmendjen, profesionalizmin dhe pasionin që, si gra të tjera në të kaluarën, ja kushtove "çështjes" dhe kulturës shqiptare.
Olimpia Gargano



































Olimpia Gargano













Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf