Nga Koço Kokëdhima
E mirëkuptoj djegien e zotit Bode edhe për të mbrojtur punën e përbashkët, ashtu si edhe bindjen e tij për të spekuluar në ato aspekte që duken më të dobëta dhe më pak të rëndësishme për këtë kontratë. Unë jam dakord se këto lloj kompanish janë refuzuar nga qeveritë e Fatosit dhe të Saliut dhe kjo lidhet me faktin se asnjëherë nuk punuan në vitet e shkuara me seriozitet për të ndërtuar institucione me standarde të shtetit shqiptar në përgjithësi dhe në dogana në veçanti.
Jam dakord edhe me sensibilitetin e një kolegeje se doganat janë shumë të ndotura me rekrutime kunatash, klientësh, kushërinj militantësh e kështu me radhë. Në tetë vitet e qeverisjes tuaj sigurisht nuk e mohoj që janë bërë përpjekje pozitive për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit, por nuk u bë asnjë hap sinjifikativ për një kulturë të qëndrueshme standarde dhe procedura që do t’i jepnin një fytyrë të besueshme këtyre institucioneve të rëndësishme.

E vetmja gjë që më ka mbetur në mendje është koncesioni juaj i fundit, që e dhatë në kohën që ishit në ikje për të bërë skanimin privat në doganat e shtetit, të cilat i shkaktojnë një kosto shtesë importuesve shqiptarë prej 170 milionë euro në 15 vitet në vazhdim. Nuk ka ndonjë shembull pozitiv që ta shisni as për dështimin tuaj për transparencë në të shkuarën dhe as për të mbrojtur buxhetin e shtetit nga prokurimet e drejtpërdrejta. Po ju kujtoj zoti ish-ministër se, vetëm në një punë, vetëm në Rrugën e Kombit bëtë prokurim të drejtpërdrejtë mbi 1 miliard euro dhe vetëm në këtë punë keni një raport të KLSH-së për 300 milionë euro abuzime. Kjo kontratë ndihmon në thelb. Po ta shikojmë me kujdes, kjo nuk është kontratë për asistencë, kjo në thelbin e vet është një kontratë për performancë, që parashikon edhe trajnime edhe dije, dhe asistencën dhe vendosjen e standardeve, ashtu si parashikon edhe propozime të drejtpërdrejta dhe masa administrative, ashtu siç parashikon edhe transparencën publike nëse autoritetet publike refuzojnë t’i zbatojnë këto masa administrative që rekomandon ky kontraktor.

Edhe kjo është një gjë shumë thelbësore, edhe kjo nuk duhet t’u ikë nga vëmendja të paktën kolegëve që kanë njohuri shumë të mira për një kontratë konsulence dhe për diferencat e saj me një kontratë menaxhimi performance. Kjo kontratë është e drejtë, është e domosdoshme, edhe është e lirë. Është e lirë po të kemi parasysh objektivat dhe planifikimin që qeveria dëshiron të rrisë gati me 100 milionë euro në vit të ardhurat nga doganat. Nëse e raportojmë koston e kësaj kontrate në raport vetëm me këtë objektiv financiar, atëherë jemi në kushtet kur kjo kontratë i kushton buxhetit vetëm 4-5 % të shtesës që parashikon të arrihet në buxhet.

Qeveria jonë ka besim te kjo kompani dhe bën shumë mirë që ka besim, sepse është një kompani me reputacion. Të gjithë kolegët e njohin dhe e dinë këtë gjë. Ne besojmë se qeveria bën mirë në këtë përpjekje për t’i dhënë një ndihmesë të rëndësishme edhe drejtimit të doganave, dhe për t’i dhënë një lloj imuniteti dhe një lloj distance edhe punonjësve të doganave, një lloj mbrojtje nga gjykimet politike, nga presionet politike, nga politizimi i administratës që është lënë mbrapa këtu në të gjitha institucionet dhe nuk mund të zhduket me një të rënë të lapsit, dhe as nuk mund të zëvendësohet me një kulturë tjetër shtetërore në pak muaj apo në pak ditë.

(Fjala e deputetit të PS-së në mbledhjen e komisionit të Ekonomisë, ku diskutohej për asistencën e kompanisë “Crown Agency” në dogana)