Parimi i barazisë para ligjit, si një parim kushtetues shtrihet në të gjithë anëtarët e shoqërisë, por ai është më i ndjeshëm për t’u zbatuar dhe garantuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individëve apo grupeve të rrezikuara dhe të margjinalizuara. Këto kategori nuk janë të afta të vetëmbrohen. As të bëjnë
që të drejtat e tyre të respektohen me efikasitet dhe në mënyrë të suksesshme, ashtu sikurse anëtarët e tjerë të shoqërisë.

Ndihma juridike falas është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi për këtë kategori personash. Ajo ndihmon në zbatimin e një parimi tjetër të rëndësishëm: atë të të drejtës së qytetarëve për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Shqipëria prej vitit 2008 ka një ligj “Për ndihmën juridike”, sipas të cilit kanë të drejtën për ndihmë juridike falas - (për ndjekjen e çeshtjeve penale, civile ose administrative) - individët që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, të cilët janë pjesë e programeve të mbrojtjes sociale apo plotësojnë kushtet për t’u përfshirë në to. Të drejtën për ndihmë juridike, sipas kushteve të përcaktuara në ligj e kanë edhe të miturit apo viktimat e dhunës në familje, personat me aftësi të kufizuara, personat të cilët i përkasin minoriteteve apo një komuniteti të caktuar shoqëror.

Gjate ketyre viteve jane bërë hapa ne drejtim te ngritjes se Komisionit Shteteror per Ndihmen Juridike, si autoriteti shteteror pergjegjes per zbatimin e politikave shteterore ne dhenien e kësaj ndihme juridike. Ky eshte edhe organi kolegjial me vendimarrjen e te cilit percaktohen grupet dhe individet te cilet perfitojne. Është për t’u përshëndetur edhe miratimi i akteve nenligjore ne zbatim te ligjit, nepermjet te cilave jane percaktuar rregullat per paraqitjen e aplikimit nga individet apo grupimet shoqerore qe kerkojne te perfitojne, rregullat e caktimit te avokateve, zyrave te avokatise dhe organizatave jofitimprurese te cilat do te ofrojne ndihmen juridike, masen e shperblimit te avokateve qe ofrojne ndihmen juridike etj.
Kohët e fundit, shpeshherë pranë Avokatit të Popullit janë paraqitur ndër të tjera, edhe kërkesa që janë jashtë funksioneve apo kompetencave të parashikuara në legjislacionin që rregullon veprimtarinë tonë, kërkesa nga individë apo grupe shoqërore, të cilët për shkak të pamundësisë financiare të ndjekjes së çështjes individualisht, apo edhe për kompleksitetin që ajo paraqet, kërkojnë që institucioni ynë t’i ndihmojë dhe asistojë në ndjekjen e procedurave administrative apo gjyqësore të tyre.
Kërkesa te këtij lloji janë orientuar prej nesh për t’u drejtuar pranë autoritetit shtetëror përgjegjës, Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike. Përveç orientimit të aplikimit në Komision, një pjesë e mirë e këtyre kërkesave të qytetarëve i janë përcjelle edhe OJF-ve në vijim të bashkëpunimit që institucioni i AP ka vendosur këto muajt e fundit me to. U kemi kërkuar të ndihmojnë, këshillojnë apo edhe të asistojnë këta individë në nevojë.

AP është maksimalisht i angazhuar për të garantuar zbatimin e parimeve kushtetuese të cituara më sipër, (sidomos garantimin e aksesit në drejtësi), por konstatojmë se edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga miratimi i ligjit "Për Ndihmën Juridike", dhe ka patur zhvillime ne zbatim te tij, perseri ka çeshtje ne te cilat zbatimi i tij është duke u kryer me hapa të ngadalta.

Ndër problematikat që institucioni ynë ka konstatuar, por bazuar edhe në shqetësimet e paraqituara nga aleatët në punën tonë (organizatat e shoqërisë civile), do të veçonim:
1 - Mendojmë se tashmë 3 vjet pas krijimit, Komisioni Shtetëror i Ndihmes Juridike duhet të ketë raste konkrete ndihme dhe suksesi në ofrimin e saj. Vlerësojmë se transparenca është një element shumë i rëndësishëm i parimit të qeverisjes së mire. 2 - Në kete kontekst, transparenca e veprimtarisë se Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike lidhur me, vendimarrjen e tij për subjektet që ju miratohet dhënia e ndihmës ose jo, fondet e akorduara nga buxheti i shtetit per ofrimin e ndihmës juridike, kontratat e lidhura me avokatët dhe organizatat jofitimprurëse që do të ofrojnë shërbimin; është e rëndësishme. 3 - Trajtimin si raste me përparësi për dhënie ndihme juridike, te grupeve të tilla si, romët, personave me aftesi te kufizuara, fëmijet, gratë e dhunuara, personat përfitues të ndihmës ekonomike etj, si shtresat shumë më të varfra dhe me nivel të ulët arsimor në shoqëri, të cilat e kanë të pamundur qe vetë të realizojnë aksesin në drejtësi; 4 - Lehtësimin e procedurave dhe të dokumentacionit që paraqitet për përfitimin e ndihmës juridike, duke shmangur shpenzimet e vetë individit, dhe ndoshta duke parashikuar marrjen e këtij informacioni në mënyrë zyrtare nga vetë Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike tek autoritetet shtetërore përgjegjëse. Mendojmë se procedurat dhe dokumentacioni kompleks, cenon aksesin por dhe venien e së drejtës në vend; 5 - Vendosjen e tarifave ligjore më të favorshme për shpenzimet gjyqësore gjatë dhënies së ndihmës juridike, për këtë kategori individësh apo grupimesh shoqërore; 6 - Krijimi i mundësisë për lista të hapura të avokatëve, me qëllim zgjedhjen nga vetë individi të avokatit që do t’i ofrojë ndihmën juridike dhe me tej kalimin e tyre per vendimarrje në Komision. Në këtë menyrë do të shmanget subjektivizmi dhe abuzivizmi në përzgjedhjen e ofruesve të ndihmës juridike; 7 - Monitorimi nga Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike i cilësisë së ndihmës juridike të ofruar nga Avokatët apo Organizatat Jofitimprurëse, si një element shumë i rëndësishëm për garantimin dhe dhënien e drejtësisë ndaj cilitdo që pretendon se i është shkelur ajo.

Shqipëria synon të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane, të cilës duhet t’i bashkohet duke u përputhur me të jo vetëm institucionalisht por dhe me praktikën dhe legjislacionin e saj. Shoqëria shqiptare dhe ne të gjithë së bashku, duhet të tregojë se jemi një shoqëri që respekton parimin e barazisë para ligjit, të drejtat e njeriut.