ATHINË - Po t'i besohet asaj çka është publikuar në gazetën e madhe Ethnos, Agimi i Artë ka një bashkëvendase (sepse është turp t'i quash bashkatdhetarë) të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Bëhet fjalë për një grua, e cila nuk është një tifoze dosido e partisë naziste, por shefe e seksionit të grave në degën e "Agimit të Artë" në Nikea, që konsiderohet si më agresivja nga gjithë skalionet partiake.

Më 20 shtator, gazeta Ethnos publikoi një intervistë ekskluzive me një eksponent të "Agimit të Artë", në të vërtetë ishte një rrëfim tronditës, shokues, për gjithë mënyrën e organizimit dhe të veprimit të skuadroneve të sulmit, të cilat mbajnë autorësinë e dhjetëra agresioneve ndaj emigrantëve të pafajshëm dhe që dolën zbuluar pas vrasjes së Pavlos Fyssas.

Në intervistë, ai është pyetur nga gazetarët edhe për një grua, e cila duket ka tërhequr vëmendjen me aktivitetin e saj. Nuk ia thonë emrin e plotë, por thjesht pyesin: “Cila është N. Beneki?”.

“Është e dashura e Janis Lagos” (shënimi ynë deputet nga më aktivët e Agimit të Artë). “Ai e kishte vënë në organizatën e Pireut. Ishte në zyrat qendrore, por e përzunë, pse ishte shqiptare. Është atje (në Nikea, shënimi ynë) nga shpatullat e Lagos. Unë që jam grek, nuk pranoj të më bëjë mësime ideologjie një shqiptare”,  vazhdon ish-eksponenti i Agimit të Artë duke rrëfyer për N.Beneki.

Për të shuar kuriozitetin tonë, kërkuam në internet dhe një nga gjetjet interesante (bashkë me fotografinë) ishte lajmi mbi një takim të "Agimit të Artë", të zhvilluar në Nikea, ku ndër të tjera thuhet: “Të enjten, më 27/06/2013, u mbajt me sukses të plotë ligjërata e bashkëluftëtares dhe përgjegjëses së seksionit të gruas të periferisë së Nikeas, Nikol Beneki. Tema e ligjëratës ishte “Një vit "Agimi i Artë" në parlament”. Ajo trajtoi disa prej çështjeve që ka prekur "Agimi i Artë" në parlament përmes pyetjeve dhe interpelancave, që askush prej deputetëve të tjerë që i përkasin të ashtuquajturit “bosht demokratik” nuk ka guxuar “t'i shkundë”...”.

Sigurisht, shumëkush lutet që përkatësia etnike si shqiptare e Nikol Benekit, të jetë një lapsus.

Marrë nga gazeta "Tribuna", Greqi

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)