NJU JORK - Mark Gjonaj, një agjent imobiliaresh në Nju Jork, po tenton të jetë i pari shqiptaro-amerikan i zgjedhur në një detyrë publike, shkruan New York Daily Mail. Gjonaj, i lindur nga prindër shqiptarë të Malit të Zi, po garon për një vend në asamblenë e shtetit të Nju Jorkut, për distriktin 80, që përfshin Bronksin. Asambleja është dhoma e ulët e përfaqësuesve të shtetit dhe përbëhet nga 150 të zgjedhur.

Por Gjonaj ka përballë një kandidate që vjen nga një familje e fuqishme politike dhe ka mbështetjen e komitetit lokal të demokratëve, të dy në fakt janë demokratë dhe partia demokratike ka shumicën që prej ‘75-ës në asamblenë e Nju Jorkut. Konkurrentja e Mark Gjonaj është Naomi Rivera e cila mban prej dy legjislaturash vendin e përfaqësueses së distriktit 80 në asamblenë e shtetit.

Gjonaj thotë për gazetën se fushata e tij do përqëndrohet te programet për të moshuarit, sigurinë publike dhe punësimin.
“Në jetë, ose i pranojmë gjërat ashtu siç janë, ose bëhemi pjesë e saj dhe përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për gjërat që nuk na pëlqejnë”, thotë Mark Gjonaj.

Komuniteti shqiptar në Bronks është në rritje, 9500 banorë të Bronksit deklarojnë tashmë se identifikohen si shqiptarë, në krahasim me 7000 në vitin 2000. Megjithatë 45% e popullsisë në këtë zonë përbëhet nga hispanikë. Gjonaj do ta ketë të vështirë të zgjidhet nëse nuk merr një mbështetje nga figura të fuqishme.

Mark Gjonaj u rrit në Belmont, ku babai I tij emigrant punonte si përgjegjës në ndërtim. Më pas prindërit hapën një agjenci të vogël imobiliare, e cila drejtohet tani nga Marku dhe ka në zotërim disa qindra apartamente. Mes të tjerash Gjonaj do bëjë fushatë për ndërtime më të lira të shtëpive dhe për më pak rregulla mbi biznesin e vogël.

(Në foto Mark Gjonaj)

(ep/shqiptarja.com)