Shemsi Prençi, nuk është i vetmi. Është i radhës. Si për ironi të fatit, emri i tij është ende te lista e të pandehurve të cilët Prokuroria e Përgjithshme i dërgon në Gjykatë, ku gjykohet bashkë me zyrtarë të tjerë të qeverisjes së PD-së për grushtin e shtetit të 13-14 shtatorit 1998. Sepse ka kontribuar për të sjellë edhe me dhunë partinë e Sali Berishës në pushtet. Por partia nuk ka më nevojë për të. Ajo sot ka nevojë për shërbëtorë, policë që i shërbejnë pushtetit dhe levave të tij për të zhvatur të mirat materiale të Shqipërisë. Denoncimi i Shemsi Prençit është direkt: Policia e Shtetit, nga Bulqiza deri te Ministria e Brendëshme është vënë nën hyqmin e mafias që po skllavëron minatorët, familjet e tyre dhe po grabit të mirat materiale që sjellin miliona euro për pushtetin dhe vdekje e mizerje për popullin. Denoncime të tilla siç bëri publikisht dje Shemsi Prençi ka botuar disa herë edhe “Shqiptarja.com” në këto pak muaj që ka hyrë në tregun e mediave të shkruara. Një polic ende në detyrë deklaronte se si vidheshin në komisariatin e Kavajës karburanti, gomat e makinave, lekët për lavazhin, deri te letrat për shkresat zyrtare dhe të gjithë e dinin, nga shefi i komisariatit deri te nëpunësi i thjeshtë. Një tjetër polic në komisariatin numër 3 në Tiranë, denoncoi pak javë më parë se si në qendër të Tiranës, ngjitur me Ministrinë e Drejtësisë, një person i njohur prej të gjithëve, policë dhe prokurorë, ka ngritur një firmë piramidale, duke dhënë fajde, duke mashtruar nevojtarët dhe askush nuk e trazon.Këto denoncime gazeta i botoi pa dhënë emrat e denoncuesve, dhe të të denoncuarve, por të dhënat e sakta iu përcollën ministrit të Brendëshëm Bujar Nishani, që ata të reagonin institucionalisht.
Rezultati? Asnjë masë. Mashtruesit dhe zhvatësit e pasurisë publike dhe të qytetarëve janë të lirë të bëjnë ç’të duan dhe në krah kanë strukturat e Policisë së Shtetit dhe të prokurorisë.
Denoncimi i ish-drejtorit të Policisë së Dibrës është i përmsave kombëtare dhe duhet trajtuar i tillë. Sepse po vidhen, mbi gjakun e njerëzve, pasuritë kombëtare të vendit, që çojnë shuma marramendëse te qeveritarët dhe njerëzit e lidhur me ta nga pushteti vendor, policia, mediat deri te zyrat e qeverisë.
Reagimi ndaj këtyre akuzave nuk mund të jetë asgjë tjetër, veç kundërakuza, që pastaj të harrohet se çka është thënë dhe të vijojë plaçkitja e vendit si më parë, pa u hyrë gjemb në këmbë. Në një vend tjetër, vërtet demokratik, ku pushtetin e ka dhe e kontrollon vërtet populli dhe vota e tij, Shemsi Prençi do të ishte hero dhe të akuzuarit do të kalbeshin burgjeve. Por nuk jemi një vend i tillë dhe Prençi e të tjerë si ai do të enden rrugëve, në pritje të ditës së drejtësisë, që vonon, por nuk harron.
(sg/shqiptarja.com)