Në akuariumin e Parisit fantazia takon realitetin ndërsa një sirenë noton me bishtin e saj prej peshku sëbashku me peshq të tjerë tropikalë. Ajo në të vërtetë është thjesht një studente zhytjeje dhe njihet si “Sirena Klaire” për shkak se ka krijuar imazhin mitik të sirenës duke mrekulluar të gjithë vizitorët e habitur.

Vajza që luan rolin e sirenës është 25 vjeç dhe është stervitur për të mbajtur frymën nën ujë për periudha të gjata kohore. Ajo mezi arrin të shikojë kur është nën ujë, por tregon se ndihet shumë mirë kur shndërrohet në sirenë, duke u bërë njësh me ujin.

Klaire thotë se e dashuron botën ujore, dhe duke qenë se ka jetuar gjithmonë në bregdet i pëlqente shumë të zhytej në thellësinë e detit. Sirena e akuariumit të Parisit dashuron gjithashtu dhe elementin fantastik dhe magjik, me të gjitha krijesat që janë krijim i imagjinatës.

Drejtori ekzekutiv i akuariumit, Mathieu Pitou, shpjegon se përveç performancës artistike e mitike me imazhin e bukur, spektakolar dhe fantastik të sirenës, ata synojnë gjithashtu dhe të japin një mesazh pas saj. Mezazhi për mbrojtjen e specieve të veçanta dhe në rrezik zhdukje shkon si për fëmijët ashtu dhe për të rriturit, duke u kujtuar se duhet të përkujdesen më shumë për botën ujore dhe speciet brenda saj.

Madje një vogëlushe thotë se është frymëzuar aq shumë nga sirena, sa ka vendosur që kur të rritet të jetë dhe ajo një sirenë. 

Redaksia Online
(Suada B. / Shqiptarja.com)