Kjo ngjarje pati impakt në të dyja shtetet si në Greqi ku ndodhi grabitja, ashtu edhe në Shqipëri. Për këtë është shqetësuar policia greke e cila ka nisur menjëherë hetimin lidhur me këtë ngjarje. Ndërkohë edhe Sigurimi i Shtetit Shqiptar arriti të dokumentonte në pranverën e vitit 1991 trafikimin drejt Greqisë të violinës të prodhuar nga mjeshtri i madh italian Antonio Stradivari.
Është një betejë paralele e policive të vëndeve fqinje, mbase bashkëpunimi i parë i përbashkët në distancë mes tyre, që ka rezultuar mjaft i suksesëshëm. Në një dokument të klasifikuar si “Top Sekret”, Sektori i Sigurimit në Degën e Punëve të Brendshme në qytetin e Korçës informonte Degën e Tetë të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, se: “Violina është e vitit 1716 me mbishkrimin “Antonius Strativarius” dhe se ishte blerë gati një shekull më parë nga shtetasi shqiptar nga qyteti i Korçës, Sotir Polena”.
DOKUMENTI
Shkresa mban datën 24 maj të vitit 1991 dhe është e regjistruar me numër 615. Në krye është shkruar lënda “Mbi tregtarin grek Leonidha Kapuranin”. Pikërisht ky tregtar i huaj ka qenë, siç e vërtetojnë edhe dokumente të tjera, nën vëzhgimin e rreptë të syrit të Sigurimit. Arsyet ishin dy: propaganda që ai bënte kundër regjimit komunist dhe interesi i tij i veçantë për objektet e rralla e të çmuara. Personi tjetër që është mbajtur nën vëzhgim ishte mjekja Ida Polena, e cila ishte njëkohësisht pronare e violinës së çmuar, e konsideruar pjesë e trashëgimisë kulturore. Sipas raportit, pazaret për blerjen e “mallit” ishin përfunduar që në Korçë, ndërsa Leonidha Kapurani i kishte siguruar Ida Polenës dhe Anesti Bellos vizë greke për të përfunduar gjithçka në shtetin fqinjë. Në thëniet e Ida Polenës ajo deklaronte përpara policisë shqiptare se: “Violinën e kishte marrë me vete për t’ia bërë peshqesh të afërmve të saj në Greqi
GRABITJA E VIOLINES STRADIVARIUS NË JANINË
Duke i u referuar dokumentit të Sigurimit të Shtetit, më 24 prill të vitit 1991 mjekja Polena, së bashku me motrën, kunatin, mbesën dhe burrin e mbesës, kanë dalë nga vendkalimi kufitar i Kakavijës dhe kanë marrë rrugën për në Janinë. Pasi ndenjën të gjithë bashkë për dy ditë në kryeqendrën e Greqisë së Veriut, të afërmit e saj u shpërndanë në Greqi, ndërsa mjekja Polena qëndroi për të vazhduar negociatat me Kapuranin.
Vetë Ida ka shpjeguar përpara policisë shqiptare se, me gjithë këmbënguljen e Kapuranit, ajo nuk pranoi ta shesë violinën dhe, pas presioneve të shumta, e detyrojnë të rikthehet në Shqipëri. Ndërsa kthehej drejt Korçës, pa dalë ende nga toka greke, Ida Polena është sulmuar nga dy persona të armatosur e të maskuar. Në deklarimet e saj në polici ajo ka treguar se nuk kishte mundur dot të identifikonte personat që i morën me forcë violinën e çmuar, ndonëse dyshimet e saj ishin për personat që i kishin kërkuar me këmbëngulje ta shiste. Pas kësaj ngjarjeje policia greke nisi hetime të thelluara, të bindur se ndodheshin përballë një veprimtarie të organizuar.
DYSHIMET
Në raportin e policisë sekrete shqiptare thuhet se Sigurimi nuk i besonte tërësisht versionit të servirur nga Ida Polena. Sipas thënieve të saj, ajo vetëm në Greqi ka marrë vesh vlerën e violinës, pasi një mik i Kapuranit i ardhur nga Gjermania ka kërkuar ta blejë me 300 mijë marka. Por vetë punonjësit e Sigurimit shprehen të bindur në raport se marrëveshja për shitjen është realizuar që në Korçë dhe nuk dihet pse Polena ka ndërruar mendje në çastine fundit duke vendosur të mos ta shesë.
AKSIONI I SHKËLQYER I POLICISE GREKE DHE ARRESTIMET
Pas denoncimit të bërë, policia greke nepërmjet një operacioni të shkëlqyer policor, ka arritur që zbulojë grupin e grabitësve si dhe te sekuestrojë violinën “Stradivarius” që i kishin grabitur nështetases shqiptare Polena. Vetëm 19 ditë pas grabitjes së armatosur, më 13 maj të vitit 1991 mediat greke bëjnë të ditur se Leonidha Kapurani dhe dy bashkëpunëtorë të tij ishin arrestuar si pjesëtarë të një bande kondrabandistësh. Ndër të tjera, shtypi bënte me dije sipas njoftimit të policisë se atyre iu sekuestrua edhe violina “Stradivarius” e cila i përkiste familjes korçare Polena dhe që përbënte një pasuri kombëtare me vlera të pallogaritëshme. Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme të Korçës, Qamil Lamaj, i rekomandonte dikasterit të veprohej në bazë të rregullave ndërkombëtare, duke i kërkuar shtetit grek rikthimin e kësaj pasurie kombëtare të sekuestruar. Hetimet për këtë ngjarje kanë vazhduar në të dyja anët e kufirit, por violina shqiptare, thuhej se mbeti në Greqi.
POLICIA GREKE I RIKTHEN PRONARES VIOLINEN E SAJË “ STRADIVARIUS ” NË VITIN 1997
Lidhur me fatin e violinës ekziston një dokument tjetër i policisë greke që është edhe një tregues i shtegëtimit të violinës drejt Shqipërisë, por mbetet enigmë nëse e kaloi kufirin drejt Korçës. Pasi në ato vite të vështira, pronarja legjitime e violinës së rrallë edhe rrezikohej me jetë po të shtegëtonte me të drejt Shqipërisë.
Është folur, por pa ndonjë burim zyrtar se Polena e la violinën në rujatje në kasat e siguris së një banke në Janinë. Një kopje e procesverbalit të kthimit si dhe një foto e kësaj violine janë gjetur rastësisht në një libër antikuar në tregun e tezgave të Tiranës. Dokumenti është një procesverbal që është formuluar më 22 shtator të vitit 1997, në orën 11.00, në Janinë, për çdyllosjen dhe dorëzimin e violinës pronares Polena.
Dokumenti është formuluar nga Drejtori i Policisë Janinës Çalokostas Kostandinos në prani të punëtorit të policisë Vitulodhiti Dhimitrios, i cili shërbente në klasin e lartë të shërbimit. Shkresa bën me dije se është marrë në dorezim kasa me numerin f-118/109/a më 4.8.1997 me firmen e hetuesit të Prokuroris së Janinës. I cili vërteton se është kontrolluar vula që rezulton të jetë e saktë dhe se objekti është i paprekur që kur është dyllosur me datën 25. 5. 1991 ora 19.40.
Bëhet fjalë për dorëzimin e veglës muzikore në ndërtesën e Ida Polenës, e bija e Sotirit dhe Terpsikoris, e datëlindjes 1938 në Korçë, Shqipëri. Bëhet e ditur se çdyllosja e veglës nisi më 10.30 (thekson dokumenti), të datës së sotme, në prani të personave të mësipërm dhe pronares dhe përfundoi në 10 e 50.
Bëhet e ditur gjithashtu se për njohjen e procesverbalit, për arësye se pronarja e violinës nuk e njeh gjuhën greke, por atë italiane, u muar përkthyesi që e njeh këtë gjuhë Kristos Kostandinos, i biri i Panajotit, lindur në Janinë, rruga Çirojoti 10. Procesverbali i dorëzimit të violinës , pasi u pa dhe u lexua nga të gjithë u vertetua dhe u nënshkrua nga 4 personat prezent.
Antonio Stradivari dhe violinat famoze “Stradivarius”
Mjeshtri i madh Italian i prodhimit të violinave Antonio Stradivari ka lindur në vitin 1644 dhe është ndarë nga jeta në vitin 1737. Ka jetuar rreth 93 vite dhe gjatë kësaj periudhe ai arriti të bëhet ideuesi dhe prodhuesi më i madh i violinave në historinë e njerëzimit. Ai lindi në Itali dhe punoi në Kremona në pjesën më të madhe të jetës së tij. Edhe pse ishte italian, ai do të nënshkruante violinat e tija në gjuhen latine, prandaj violinat u bënë të njohura si violinat “Antonius Stradivarius”, ose thjesht violina Stradivarius. Mësuesi i tij ishte Nicolo Amato, i cili gjithashtu ka qënë pjestar i një familjeje shumë të famëshme të prodhuesve të violinave.
Ekspertët kanë arritur në konkluzionin se violinat Stradivarius janë shumë të shtrenjta dhe të famshme, për shkak të cilësisë së paarritëshme të zërit të tyre. Shumë muzikantë dhe specialistë violinash të rralla, thonë se këto violina janë superiore mbi çdo lloj violine tjetër. Tingujt e këtyre violinave të famëshme rezonojnë bukur, dhe prodhojnë tone shumë të fuqishme.
Ata janë instrumente që prodhojnë tinguj të pasur, të rafinuar dhe karakterizohen nga një zë i thellë dhe depërtues me qartësi edhe në distancë. Ato janë të ideuara si instrumente me cilësi të mirë që u japin kënaqësi muzikantëve duke luajtur ato, sepse janë shumë të lehta si instrumente për të interpretuar. Ata janë të ndjeshme qoftë edhe ndaj një prekjeje të lehtë të gishtave dhe po kështu ato prodhojnë me lehtësi tingujt e magjishëm kaq të adhuruara nga dëgjuesit.
Megjithatë, disa prej violinave Stradivarius ndryshojnë në cilësi dhe zë. Jo çdo instrument Stradivarius tingëllon i njëjtë me të një instrumenti tjeter, ose të qëllojë të jetë aq i mirë sa tjetri. Ka disa që janë me cilësi të veçanta superiore nga të tjerat. Askush nuk e di saktësisht se pse tingujt e violinave Stradivarius janë aq të mrekullueshme, por ka shumë teori se çfarë e bëjnë një violinë që të jetë e mirë. Cilësia e drurit është një faktor përcaktues, po ashtu ndikon dhe forma e instrumentit, trashësia e pllakave prej druri të vendosura në barkun e sajë dhe në pjesën e prapme të instrumentit si dhe llakimi i drurit.
Trajtimin e proçesit teknologjik të prodhimit të violinave Stardivari e ruajti si sekret të madh profesional, të pazbuluar asnjëhere. Por edhe pse askush nuk e di saktësisht se si ai i prodhoi violinat e tij, ose se çfarë metodash përdorte, ekspertët kanë dalë me konkluzion se mjeshtri i madh ka inkorporuar gjeometrinë e avancuar dhe matematikën në zejtarinë e tij. Ai njihet se ka prodhuar mbi 1.100 instrumente, por vetëm 650 prej tyre kanë mbijetuar deri më sot.
Grabitja ne SHBA e violines së koncertmaestrit Frank Almond
Grabitje e violines Stardivarius ka ndodhur edhe në vënde të ndryshme. Një nder rastet e njohura është edhe një grabitje që është bërë në SHBA violinës së koncertmaestrit Frank Almond. Rreth kësaj ngjarje shtypi amerikan dhe ai boteror kanë relatuar se ora ka qënë 10.00 e natës, sipas ores lokale, kur Frank Almond, koncertmaster i Orkestrës Simfonike të Milëaukee , u largua nga Kolegji Lutheran i Eisconsin-it në një të ftohtë janari nën zero gradë.
Ai sapo kishte mbaruar një shfaqje muzikore në lagjen e qetë Eauëatosa, dhe u drejtua në shtëpi. Ndërsa Almond ka hapur derën e pasagjerëve të makinës së tij për ta vënë violinën e tij brenda, një 41 vjeçar me emrin Salah Salahadyn dyshohet se e kishte ndjekur atë dhe e goditi duke e lënë pa ndjenja. Atij i u vodhen edhe 2 harqe violine që i kishte me vete të shekullit të 19-të, të cilat kishin një vlerë prej 50,000 dollarë.
Po kështu edhe violina, një Stradivarius prodhim i vitit 1715. Me vlerë 5 milionë dollarë. Ishte një grabitje e armatosur për të cilën Almond deklaroi për “VICE News”: "Qëllova me fat" Dhe realisht që ishte me fat. Pasi policia arriti të gjejë grabitesit dhe të sekuestrojë violinen e çmuar, të cilen po e paraqesim në foto në momentin e konferencës për shtyp të dhënë nga policija. Po ndersa fati i njërës violinë dihet, fati i violinës së Korçës tashme është i zhytur në mister.
Redaksia Onkune
Al.N/Shqiptarja.com