Michael Jordan, sipas revistës Forbes, ka akumuluar deri me sot 2.2 miliardë dollarë nga aktiviteti i tij sportiv. Por vetëm 4.5% të këtyre të ardhurave ai i ka siguruar nga rrogat e tij si basketbollist. 95.5% të të ardhurave i ka siguruar nga sponsorizimet gjatë karrierës sportive dhe pas saj, si dhe nga artikujt e shumtë sportive me emrin Jordan, duke filluar nga atletet, bluzat, tutat etj, që shiten shtrenjtë edhe sot. Dhe të mos harrojmë që në kohen e tij, nuk kishte të ardhura nga Instagram, Facebook, Youtube etj., sepse ato nuk ekzistonin fare atë herë …
Lionel Messi, sipas revistës Forbes, ka akumuluar deri me sot 0.9 miliardë dollarë nga aktiviteti i tij sportiv. Por vetëm 35% e këtyre të ardhurave ai i ka siguruar nga sponsorizimet dhe shitja e artikujve sportive me emrin e tij. Plot 65% i ka siguruar nga rrogat e klubit të Barcelonës, klubi që investoi për ta shëruar fëmijën e sëmurë super të talentuar dhe që e pagoi me flori çdo orë të tij në fushën e stërvitjes apo, ç’është me e rëndësishme, në fushën e lojës.
I ndodhur në një krizë të paprecedente financiare, si rezultat i keqmenaxhimit të presidentit të mëparshëm dhe situatës se COVID-19, klubi i Barcelonës i ofroi një kontrate 5-vjecare, që u pranua nga Messi, por jo nga La Liga. Në këto kushte, Presidenti i Barcelonës deklaroi se klubi nuk mund ta realizonte kontratën që do t’i siguronte Messit 150 milionë dollarë për 5 vjet.
Po sikur Messi të pranonte gjysmën e 150 milionë dollarëve? Po sikur Messi të pranonte të luante falas për Barcelonën, që i dha mundësinë ta përkthente gjeninë e tij në dhjetra trofe të fituara prej tij? A do t’i zëvendësonte ai ato para me dollarët ekstra që do të merrte deri në vdekje nga sponsorizimet, bluzat me emrin e tij, Instagrami, Facebook, Youtube, etj.? Michael Jordan ndoshta do t’i përgjigjej pozitivisht kësaj pyetje. Babai i Lionelit (që është agjenti i tij sportiv) iu përgjigj negativisht…