TIRANË- Një ditë përpara se të publikohet raporti i komisionit të Venecias, Presidenti Ilir Meta është shprehur i prerë se për të, ai vendim nuk ka asnjë rëndësi dhe se nuk është gjë tjetër veçse propagandë.

Ndryshe nga qëndrimi që ka mbajtur pak javë më parë, ku tha se do të jepte dorëheqjen nëse Venecia dilte në përfundimin se kishte shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, në një intervistë në "Open" me Eni Vasili, kreu i shtetit i ka qëndruar besnik vendimit të tij duke thënë se me atë vendim ka bërë mbrojtjen më të shkëlqyer të Kushtetutës.  Madje, me ironi Meta tha se për të më e rëndësishme është kombëtarja që pritet të luajë nesër me Turqinë, dhe shëndeti i kapitenit Elseid Hysaj, sesa vendimi i Komisionit të Venecias.

"Nuk kam asnjë lloj emocioni për ndonjë vendim të Venecias, sepse vendim im ka qenë tërësisht kushtetues dhe në mbrojtjen më të shkëlqyer të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Unë nuk pres as Venecia dhe askënd tjetër që të konfirmojë drejtësinë e vendimit tim. Unë kam Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që e njoh më mirë se kushdo tjetër. Kam qenë edhe në Komisionin Parlamentar që merret gjoja me këtë hetimin e Presidentit, pikërisht vetëm për t’u treguar të gjithëve që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, jo vetëm nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës, por përkundrazi, ka bërë mbrojtjen më të shkëlqyer të Kushtetutës. Po pa dyshim, propagandë është. Pse çfarë është? Çfarë vlere ka Venecia? Po, nëse më bind do jap dorëheqjen, por le të më bindin. Propagandë nga të gjithë. Nga mazhoranca, nga parlamenti, nga qeveria, nga të gjithë ata që duan të hyjnë në këtë propagandë. Do të jap një shkelje të qartë të Kushtetutës? Unë kam vetëm një shqetësim për nesër, Kombëtarja. Jemi të shqetësuar se na është dëmtuar Hysaj, shpresojmë ta kompensojmë këtë mungesë", tha Meta.

Report Tv bëri të ditur më herët se presidenti Ilir Meta nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Venecias që do të zhvillohet ditën e nesërme, por do të dërgojë 3 këshilltarët e tij, Bledar Dervishaj, Arben Cici dhe Ilda Zhulali. Ndërkohë, pak ditë më parë, Komisioni i Venecias doli me një draft-opinion paraprak, ku shkruhej se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, megjithatë theksohej se vendimi për ta shkarkuar i takon Kuvendit dhe më tej e Gjykatës Kushtetuese. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:19
Batuta e Metës: Nuk fle çdo natë me Monika Kryemadhin, kemi axhenda të ndryshme

Presidenti Ilir Meta në një intervistë në "Open" e ka kaluar edhe me batuta, pyetjen lidhur me vendimet e kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherazi edhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, dhe pakënaqësitë që ai ka për djegien e mandateve.

Gazetarja: Është e vërtet që ju i shprehni pakënaqësinë për djegien e mandateve bashkëshortes suaj, Kryemadhi, çdo mëngjes? Ua bëj këtë pyetje, sepse ka qenë një deklaratë e saj.

Presidenti Meta: Nuk është se fle çdo natë me Monikën, kështu që nuk ndodh çdo mëngjes kjo.

Gazetarja: Vërtet? Me kë flini çdo natë zoti President?

Presidenti Meta: Ne kemi axhenda të ndryshme.

Ai ka deklaruar më herët se nuk ka qenë dakord me vendimin e Kryemadhit për djegien e mandateve në bllok, madje tha se ishte gënjyer nga kjo e fundit. Megjithatë, pavarësisht qëndrimit të Metës, kryetarja e LSI-së iu bashkua PD-së duke lënë karriget e parlamentit dhe dalë në rrugë duke protestuar kundër qeverisë "Rama".