Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, po mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat për progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se fati europian i Shqipërisë është në duart tona dhe se vendi ka hyrë në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim.
"Mundësia që kemi sot për të përmbyllur negociatat është unike, është historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme njëherë e përgjithmonë. Historia nuk do të na e falte kurrë vjedhjen e kësaj historie për shkakun tonë, të shqiptarëve. Unë do të bëj çmos që të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur mundësinë të ngjitet lart dhe që askush dhe asgjë të mos e vërë në pikëpyetje këtë mundësi historike për mustaqet e asnjë Çeloje", tha Rama.
Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa nënvizoi se korrupsioni mbetet një sfidë reale për vendin. Ajo foli edhe për protestat duke thënë se dhuna nuk ka vend në protesta.
"Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike është të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog.” tha ajo
Lajm në përditësim...
Kryeministri Edi Rama i krahasoi me “zhurmat e makinave në bulevard” akuzat që Erion Veliaj i ka drejtuar nga burgu duke thënë se e ka kërcënuar përmes ministrit Toni Gogu dhe i ka kërkuar dorëheqjen nga Bashkia e Tiranës, duke i thënë se ai qëndronte pas protestave. Rama tha se qeveria është në krye të detyrës dhe po punon për objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Rama: Dua të them që raporti i progresit është, në radhë të parë, pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë. Një dëftesë që mua më gëzon. Sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe kanalet e dezinformimit publik.
Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë, me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur sot në këtë konferencë. Objektivin historik të bashkimit të vendit tonë me Europën dhe moslejimin e humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë.
Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju.
Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, tha se protestat paqësore janë pjesë e demokracisë, por dhuna nuk ka vend në të. Sipas saj, çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin. Ajo nënvizoi se pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë dhe se institucionet demokratike duhet të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog.
“Ishin shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore të majit, që më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë dhe llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin. Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike është të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog.”
Ambasadorja e BE-së Sofia Moreira de Sousa gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama vlerësoi punën e qeverisë për integrimin në BE.
Dje KE miratoi progresraportin e Shqipërisë që unë sapo i dorëzova Ramës, më pas do ta paraqes në Kuvend. Raporti është tashmë publik dhe të gjithë shqiptarët mund ta lexojnë. Mesazhi i këtij raporti është shumë i thjeshtë: Shqipëria ka ecur përpara’. Ky raport paraqet punën tuaj, vijimi i kësaj rruge kërkon përpjekje të vazhdueshme. Sa i takon drejtësisë, korrupsionit, raporti evidenton një punë të mirë. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë, sepse korrupsioni mbetet një sfidë reale. Çdo reformë apo sfidë reale duhet të mbetet në reformën e vitit 2016. Sa i përket demokracisë, raporti vë në dukje një klimë të polarizuar. Reforma kërkon përmbushjen e OSBE/ODIHR. Në lidhje me të drejtat themelore, përbëjnë hapa realisht pozitivë. Për sa i përket lirisë së medias, shpifja është dekriminalizuar, financimi i medias mbetet ende jo transparent. Përdorimi i forcës së policisë ndaj gazetarëve duhet hetuar. Dispozitat që bien ndesh me njëra-tjetrën. Projektligjet madhore, që përfshijnë edhe atë të BE-së, duhet që të shqyrtohen sipas standardeve të BE-së", tha ajo.
Kryeministri Edi Rama tha se shqiptarët për vite me radhë kanë jetuar mes një kontrasti të madh, duke gjetur jashtë vendit mundësi për një jetë më të mirë që nuk i kanë pasur në Shqipëri.
Gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e BE-së, Rama theksoi se për shumë familje emigracioni ka qenë rruga drejt shërbimeve më të mira dhe një marrëdhënieje më të sigurt me shtetin.
Sipas tij, integrimi në Bashkimin Europian nuk është një proces që bëhet për Brukselin, Parisin apo Berlinin, por për të ndërtuar një shtet europian në Shqipëri, ku qytetarët të kenë mundësi ekonomike, institucione, siguri juridike dhe kushte për rritjen e fëmijëve si në vendet e BE-së.
"“Shqiptarët kanë jetuar për shumë vite në një kontrast të madh, mes mundësive jashtë vendit dhe atyre brenda vendit. Për shumë familje, emigracioni ka qenë rruga drejt një jete më të mirë, një shërbimi më të mirë apo një marrëdhënieje më të sigurt me shtetin.
Ndaj nuk dua të hyj te gjërat që kanë ndryshuar dhe as sa dhe si duhet të ndryshojnë akoma, por s’mund të flasim me seriozitetin e duhur për bashkimin me BE-në pa pasur parasysh këtë realitet.
I gjithë ky proces nuk është për Brukselin, Parisin, Berlinin, por për shtetbërjen europiane të Shqipërisë, ku shqiptarët të kenë institucionet, mundësitë ekonomike, sigurinë juridike dhe vendrritjen e fëmijëve si në Europë.
Progresi duhet të mbajë parasysh këtë thelb të këtij procesi, që është përmirësimi i standardeve të jetës së tij personalisht, kudo ku ndodhet këtu në Shqipëri.
Kjo është arsyeja që unë jam kaq i përkushtuar ndaj këtij procesi, por edhe arsyeja pse mua më gëzon shumë ky raport i progresit, si një dëftesë shumë objektive e përparimit të madh të Shqipërisë.” tha Rama
Kryeministri Edi Rama tha se Komisioni Europian e konsideron ambicioz, por të arritshëm objektivin për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Rama tha se kjo mundësi nuk duhet të vihet në pikëpyetje “për mustaqet e asnjë Çeloje”.
“Për herë të parë, KE ka paraqitur udhërrëfyesin orientues për katër vendet më të përparuara në procesin e negociatave. Për Shqipërinë, ky udhërrëfyes përcakton etapat dhe objektivat e punës për vitin sfidues që kemi përpara, duke i dhënë procesit shumë qartësi dhe parashikueshmëri. KE e konsideron objektivin për t’i përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027 si ambicioz, por të arritshëm. Vlerësim tejet i rëndësishëm për Shqipërinë.
Udhërrëfyesi nuk përcakton datë anëtarësimi, se nuk ka si ta përcaktojë, se nuk e paracakton dot as rezultatin e negociatave. Por na tregon, centimetër për centimetër, kilometrin e fundit të rrugës për të përmbushur këtë objektiv kombëtar dhe historik. Kjo do të thotë që koha merr çdo ditë më shumë rëndësi. Dhe çdo ditë bëhet më e çmuar në raport me këtë objektiv. Këtë duhet ta kuptojnë mirë ata që janë përfshirë në vijë të parë të këtij procesi: Parlamenti, qeveria, gjyqësori. Dhe, para të gjithëve, duhet ta kuptojë shumica jonë qeverisëse.
Mundësia që kemi sot për të përmbyllur negociatat është unike, është historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme njëherë e përgjithmonë. Historia nuk do të na e falte kurrë vjedhjen e kësaj historie për shkakun tonë, të shqiptarëve. Unë do të bëj çmos që të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur mundësinë të ngjitet lart dhe që askush dhe asgjë të mos e vërë në pikëpyetje këtë mundësi historike për mustaqet e asnjë Çeloje", tha Rama.
Kryeministri Rama tha se progres-raporti i KE-së ka vlerësuar me nota pozitive punën e Shqipërisë, teksa vuri në dukje edhe problematikat e tij.
“Kush e njeh historinë e shtetit shqiptar dhe kthen kokën deri në vitin 2016, kur mori jetë reforma në drejtësi, kupton rëndësinë që ka ky raport. Raporti po ashtu vlerëson vonesën në gjykata, çështjet e korrupsionit, po kështu raporti ngre shqetësime serioze për funksionimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit. Ai trajton edhe protestat e kohëve të fundit, duke vendosur gishtin te plagët e dhunës.
Kurse dialogu vlerësohet si dhuna, ku duhet të angazhohemi të gjithë seriozisht. Asnjë konstatim i progresraportit nuk mund të anashkalohet. E drejta për protestë duhet garantuar dhe dhuna duhet anashkaluar. Ndërsa dialogu është një etikë për bashkëjetesën demokratike dhe mazhoranca jonë e ka për detyrim që ta garantojë këtë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi progresraportin e Komisionit Europian si më të mirin që Shqipëria ka marrë ndonjëherë. Në konferencën e përbashkët me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, Rama tha se vendi ka hyrë në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim.
“Raporti më i mirë i progresit që Shqipëria ka marrë në dorë ndonjëherë, çka tregon edhe këmbën tuaj të mbarë në misionin e përfaqësimit të BE-së në Shqipëri. Për një kohë të gjatë, rrëfimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë është përcaktuar nga çfarë ne prisnim të ndodhte. Statusi i kandidatit: po, jo, kur? Hapja e negociatave: po, jo, kur? Miratimi i piketave të ndërmjetme: po, jo, kur?
Sot, ky raport i publikuar dje nga KE përcakton një rrëfim të ri. Jo më mbi atë që ne presim të ndodhë, por mbi hapat që duhet të hedhim për ta kryer këtë rrugëtim. E thënë ndryshe, fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona. Ky është lajmi kryesor i raportit. Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE. Ky kilometër i fundit ka një mijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer.
Raporti tregon se, krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton përparim nga ekonomia, transformimi digjital, energjia, arsimi dhe përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së", tha Rama,
Ambasadorja e BE-së i ka dorëzuar sot kreut të qeverisë Edi Rama progres-raportin e KE-së për Shqipërinë.
Një ditë më parë Komisioni Europian vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, pavarësisht disa shqetësimeve për funksionimin e demokracisë dhe mungesën e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa e cila i dorëzoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Gjatë takimit, kreu i shtetit e vlerësoi progres-raportin si dëshmi të avancimit të vendit në procesin e integrimit evropian dhe si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe politikën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
Ai rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Në fokus të diskutimit ishte edhe vijimi i reformave, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e lirisë së medias.
Begaj theksoi gjithashtu se respektimi i shtetit të së drejtës, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik mbeten elementë thelbësorë për përmbushjen e objektivit strategjik të integrimit evropian.







Komente
Komento