Një ditë pasi ka marrë zyrtarisht detyrën kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka vendosur të anulojë procedurën me objekt “Fushatë e informimit, ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit, “Fëmijët dhe Reklamat” në televizione dhe portale”.
Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të AMA-s dhe të firmosur nga kryetarja Krasniqi, sqarohet ndër të tjera se “duke mbajtur në konsideratë kërkesat dhe ankesat e ardhura vendosa anulimin e procedurës me objekt “Fushatë e informimit, ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit “Fëmijët dhe reklamat” shpallur publikisht në datën 2 korrik 2021 dhe hapur në datën 12 korrik 2021, ora 11:00”.
Ndërkaq në vendim theksohet se Krasniqi ngarkon komisionin për hartimin e dokumenteve dhe ndjekjen e procedurës, për zbatimin e këtij vendimi dhe njoftimin e agjencive të specializuara pjesëmarrëse në procedurë.
Në fillim të korrikut AMA publikoi ftesë për negociatë dhe procedurën me objekt “Fushatë e informimit, ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit “Fëmijët dhe reklamat”, në televizione dhe portale për një periudhë 90-ditore në 15 portale dhe televizione, me fond limit 24,866,667 lekë pa TVSH.
Sipas shkresës përkatëse, kjo fushatë konsiston në temat e sensibilizimit ndaj ligjit për mbrojtjen e të miturve nga pijet energjike, alkoolike dhe produkteve të tjera; përdorimi i imazhit dhe prezencës së fëmijëve në fushata promovuese si dhe në ndërgjegjësimin e grupeve të mundshme të interesit që kanë si objekt punën me të miturit, dhe në veçanti prindërit.
Emërimi i Krasniqit u shoqërua me akuza të shumta nga ana e opozitës dhe presidentit Ilir Meta, që sipas tyre gara ishte e pabarabartë dhe ajo ishte kandidatja e "preferuar" e qeverisë. Një fakt i tillë sipas tyre ishte tregues se qeveria Rama po tenton që të kapë këtë institucion të pavarur.
Nisur nga këto akuza pati reagime edhe nga ndërkombëtarët si delegacioni i BE-së në vendin tonë apo Ambasada e Britanisë së Madhe të cilët kërkuan që emërimi i saj nga Kuvendi të bëhej në legjislaturën e re të shtatorit dhe jo me opozitën e re. Megjithatë përtej këtyre thirrje, Kuvendi votoi për emërimin e Krasniqit në krye të AMA-s në seancën e fundit parlamentare, me votat e mazhorancës dhe opozitës së re. Deputetët e votuan me 83 vota pro kandidaturën e saj në krye të AMA-s.