TIRANË-Pas akuzave të mbërritura nga opozita se qeveria Rama po tenton që të kap AMA-n, Delegacioni i BE-së në Tiranë, ka kërkuar që zgjedhja e kryetarit të ri të mos bëhet në seancën e sotme parlamentare, por në shtator me Kuvendin e ri. Edhe pas këtyre kërkesave Kuvendi vijoi pa ndryshime me rendin e ditës dhe zgjodhi kreun e ri të AMA-s. Armela Krasniqi mori votën e 83 deputetëve kundrejt 9 të kandidates tjetër Alketa Dibra.
'AMA- është një institucion i pavarur, theksoi BE-ja, dhe sipas tyre dyshimet se është i kapur nga politika, janë të dëmshme për funksionimin e saj. Për rrjedhojë, BE apelon për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht.
"Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë. Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve. Ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë.
Ne kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s. Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature. Ne i ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht", shkruhet në njoftim.
Në të njëjtën linje ishin edhe OSBE dhe ambasada britanike në vendin tonë. Megjithatë pas këtij apeli Kuvendi nuk 'ka reflektuar'. Deputetët kanë votuar projektvendimet e rendit të ditës, ndër të cilat edhe për projektvendimin për zgjedhjen e kryetarit të AMA-s. Ndërkohë që zgjedhja e anëtarëve është lënë për në shtator.
Jo më larg se dje ishte deputetja e zgjedhje e PD-së, Albana Vokshi e cila tha se mazhoranca po favorizon kandidaturën e Armela Krasniqit, në krahasim me Alketa Dibrën, teksa i bëri thirrje Ramës të tërhiqet nga ky vendim antidemokratik, siç ajo e quajti.
"Nesër përmes parlamentit ilegjitim, kryeministri Edi Rama do të zyrtarizojë emrin e zëdhënëses së PS-së në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive’, tha dje Vokshi.
Armela Krasniqi është zgjedhur kryetarja e re e AMA-s, pasi mori shumicën e votave në Kuvend, me 83 vota. Ndërkohë që Alketa Dibra mori vetëm 9 vota pro.
Pas votimit në Kuvendi për kreun e ri të AMA-s, ndërkohë që BE dhe OSBE kishte kërkuar që të shtyhej në shtator, ka reaguar edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.
"'E ka fajin Europa' llomotit poshtë e lart, për të fshehur dështimin e tij dhe pengimin e Shqipërisë. Por sapo i jepet një shans për të vepruar në shërbim të interesave të vendit, sikurse kërkuan BE dhe OSBE, zgjedh të bëjë të kundërtën, duke hedhur poshtë thirrjen e partnerëve për të shtyrë në shtator votimin për AMA. Kjo nuk është forcë, po harbutëri në dëm të të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë", shkruan Basha.
Pas apelit që bënë sot Bashkimi Europian, OSBE dhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë që kreu i AMA-s të votohet në shtator dhe jo sot, Kuvendi nuk 'ka reflektuar'.
Deputetët kanë votuar projektvendimet e rendit të ditës, ndër të cilat edhe për projektvendimin për zgjedhjen e kryetarit të AMA-s.
Pavarësisht thirrjeve të BE, OSBE dhe ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar për gjithëpërfshirje etj, deputetët kanë votuar, dhe nisur nga pandemia, votimi bëhet duke hedhur fletët në kuti.
Është bërë vetëm votimi, dhe me tej pritet të numërohen votat. Projektvendimi në pikën 15 të rendit të ditës, nuk u hoq nga rendi i ditës, pavarësisht thirrjeve që pati sot para se të niste seanca plenare sot.
Zgjedhja e kreut të ri të AMA-s, ka sjellë edhe reagimin e Ambasadës Britanike.
"Ambasada Britanike ka ndjekur procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Autoritetet rregullatore të mediave kanë një rol kritik në përforcimin e standardeve, integritetit dhe pavarësisë së mediave. Procedurat transparente janë thelbësore për të siguruar besimin e publikut dhe të të gjithë aktorëve të medias te rregullat, ligji dhe autoritetet publike. Sot theksojmë thirrjen e partnerëve ndërkombëtarë për të garantuar profesionalizmin e AMA-s përmes zgjedhjes së kandidatëve të pavarur në strukturat drejtuese të institucionit", thuhet në njoftim.
Pas BE-së, edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bën thirrje që kryetari i ri i AMA-s të zgjidhet me një proces gjithëpërfshirës.
"Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka ndjekur procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Po ashtu, ne kemi qenë në kontakt me aktorët përkatës, duke theksuar nevojën për një organ të pavarur të rregullimit të medias. Ne nënvizojmë rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s, për të garantuar që AMA ta përmbushë më së miri misionin e saj të ndjeshëm", thuhet në njoftim.
Pas deklaratës së BE-së, që i kërkonte Kuvendit të mos zgjidhte kryetarin e ri të AMA-s në seancën e sotme plenare, ka ardhur edhe reagimi i deputetes së zgjedhur të PD-së, Albana Vokshi. Ajo shprehet se Rama duhet të tërhiqet sot nga tentativa për të kapur AMA-n.
"Tentativa e Edi Ramës për kapjen e plotë të Autoritetit të Medias Audiovizive është e papranueshme edhe për Bashkimin Europian. Plani për të emëruar zëdhënësen e tij në krye të AMA-s me një parlament njëpartiak është antidemokratik. Standardi i Edi Ramës për lirinë e medias nuk ka lidhje me Europën. Është koha që sot të tërhiqet", shkruan Vokshi.