Një dorëshkrim i çmuar i Dritëro Agollit i dhurohet Akademisë së Shkencave nga e bija

Një dorëshkrim i çmuar i Dritëro Agollit i dhurohet Akademisë së Shkencave nga e bija

E bija e Dritëro Agollit dhe kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi

Një dorëshkrimi i çmuar i Dritëro Agollit i është dhuruar sot Akademisë së Shkencave nga e bija e shkrimtarit Elona Agolli gjatë zhvillimit të konferencës shkencore: Migjeni dhe Dritëroi - dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja.

I titulluar nga shkrimtari “Fletorka e Mesantës” ky dorëshkrim iu dorëzua Kryetarit të Akademisë së Shkencave akademik Skënder Gjinushit nga vajza e shkrimtarit, e cila u shpreh se nuk e pati të lehtë ta hiqte nga shtëpia këtë kujtim të vyer, por për gjestin e dhurimit ajo tha “Ndjehem mjaft e nderuar që në këtë pod të  shenjtë të mendjeve dhe shpirtrave iluminues të Akademikëve tanë të nderuar, të dorëzoj e dhuroj një Fletore të dorëshkruar, me poezi të dorëshkruara nga Dritëroi.”

Përshendetja e Elona Agollit:

Ndjehem mjaft e nderuar që në këtë pod të  shenjtë të mendjeve dhe shpirtrave iluminues të Akademikëve tanë të nderuar, të dorëzoj e dhuroj një Fletore të dorëshkruar, me poezi të dorëshkruara nga Dritëroi. E mendoj që ky dorëshkrim do të përbëjë një vlerë në arkivin e dokumenteve, apo çdo materiali tjetër studimor të Akademisë së Shkencave.

Nuk e kisha të lehtë të merrja këtë vendim, pasi këto fletore e blloqe të bukurshkruara nga babai im, për mua kanë shumë kuptime e kujtime, krijojnë përjetime e ndjesi të shumta.

Aty ndiej bojën e shkrimit dhe gishtërinjtë e  ngjyrosur të babit me bojën blu Pelikan, në fletët e blloqeve ndjej erën e duhanit dhe nikotinës, e cila siç thoshte babi, ia ngjyroste gishtërinjtë posi ajo vjeshta që ngjyros  fletët e pemëve me ngjyrën e verdhë.

Ndjej përpëlitje e zjarrmi të shpirtit kur përfshihej nga muza poetike, ndjej orët e pagjuma, gëzim e trishtim, dashuri të paplotësuar e të padhënë, forcë e dobësi. Duke dorëzuar këtë dorëshkrim, përjetoj ndjesinë e përcjelljes së një copëze shpirti, transferimit të tij në një shtëpi të re, në shtëpinë ku babai im ka kontributin e tij si atdhetar e patriot, si iluminist dhe mendjendritur, në tempullin, të cilin ai e vlerësonte më shumë se gjithçka, në Akademinë e Shkencave.

I uroj shtëpisë së re të këtij dorëshkrimi shpirti, mbrothësi e sa më tepër suksese të vyera në drejtim të hulumtimit, përçimit dhe transmetimit të vlerave shkencore e kulturore të kombit tonë. Falenderoj Kryetarin e Akademisë së Shkencave, prof. Skënder Gjinushin, dhe të gjithë akademikët tanë të nderuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:51
90-vjetori i Dritëro Agollit dhe 110-vjetori i MIgjenit/ Botimi ekskluziv i Akademisë së Shkencave: Diploma e shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg

Botimi shqip i tezës së diplomës të shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg, “Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni”, botuar ekskluzivisht nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me rastin e 90-vjetorit të Dritëro Agollit dhe 110-vjetorit të Migjenit, u paraqit në Konferencën shkencore “Migjeni dhe Dritëroi - dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja”.

Prezantimi u bë nga akademik Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave: Ç'është ky libër i panjohur i Dritëroit, që Akademia e boton sot?

Pesë vjet më parë autori, poeti ynë, akademiku ynë, na dha pëlqimin për ta përkthyer për qëllime shkencore tezën e tij të diplomës, mbrojtur në Universitetin e Petersburgut, me rezultatin "shkëlqyeshëm", me një oponente - çfarë oponentje - më të zonjën e albanologjisë ruse Desnickaja.

Titullohet "Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni" dhe ja ku është.

Botimi u përgatit nga kolegu Sh. Sinani dhe ka një parathënie sintetike të kryetarit tonë prof. Gjinushi. Një parathënie ku argumentohet se Dritëroi e zgjodhi Migjenin sepse shihte vetveten në poetikën e tij.

Po pse e botojmë sot? Jo për t'i bërë nder autorit apo subjektit, sido që dhe ky do të kishte rëndësinë e një argumenti.

Para së gjithash sepse kjo tezë diplome, duke hyrë në qarkullim në bibliotekat tona albanologjike, do të nxisë shqyrtime të reja, sepse idetë e saj jo vetëm nuk janë vjetëruar, por përmbajnë të pathëna me rëndësi si për Migjenin, ashtu dhe për Agollin vetë.

1. Ky punim, nga pikëpamja kronologjike, është i pari me karakter monografik. Agolli e kaloi stadin e studimeve migjeniane nga niveli i parathënieve dhe recensioneve në atë të kërkimit shkencor.

2. Përcaktimet që i bëri D. Agolli veprës dhe personalitetit të Migjenit si shkrimtar revolucionar i realizmit kritik, duke pasur parasysh se më vonë ai u quajt pararendës i realizmit socialist, madje edhe poet i "botës së re", janë me një vlerë referenciale për të ndrequr çfarë u shkrua keq me zell ideologjik më vonë në historitë e letërsisë, duke e quajtur madje themelues të realizmit socialist.

3. Shkruar në një periudhë ideologjikisht liberale, në një metropol europian si Shën Petersburgu, teza e Dritëro Agollit nuk i njohu tabutë e mëvonshme, krahasimet ideore me "reaksionarët" emërndaluar Niçe e Dostojevski.

Sikur vetëm këto tri vlera t'i njohim tezës së diplomës së Dritëroit, shfaqur kronologjikisht në botën e letrave me një vepër të plotë serioze para sfidës së poezisë, mjaftojnë për ta bërë nismën tonë për botimin e saj një nismë akademike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Prandaj, mirë se erdhe, Migjeni i Dritëroit. Qendroni mirë e bukur krah njëri-tjetrit.

Ora 12:20
90-vjetori i lindjes së Dritëro Agollit, Kryetari i Akademisë së Shkencave: Bashkë me Migjenin, dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi u ka uruar mirëseardhjen studiuesve dhe akademikëve në këtë përvjetor të dyfishtë të dy jubilarëve tepër të veçantë, 110-vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorit të lindjes së Dritëroit.

“Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje. Ata ishin te dy poetë me vështrim nga e ardhmja,  poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit e nderimit të brezit të tyre: Migjeni si kryeemër i brezit të viteve 1930 dhe Dritëro Agolli si fytyrë e brezit të viteve 1960.”, tha akad. Skënder Gjinushi  në konferencën shkencore kushtuar dy jubilarëve tepër të veçantë, 110-vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorit të lindjes së Dritëroit.

E veçanta e kësaj konference, veç kumtesave të pazgjedhura është paraqitja e librit "Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni" dhe Botimi shqip i Tezës së diplomës të shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg, që rrëfen një fill të bukur lidhës mes shpirtit dhe talentit dhe shpirtit të ndjeshëm të dy shkrimtarëve.

Konfrenca që po mbahet sot në Akademinë e Shkencave drejtohet nga akad. Vasil Tole,  prof. dr. Bajram Kosumi, z. Pëllumb Kulla

Fajla e e plotë e akad. Skënder Gjinushit: 

Të nderuar pjesëmarrës, akademikë, profesorë, studiues, të pranishëm këtu, ardhur nga universitete të Shqipërisë e të Kosovës; si dhe ju, dashamirës të letërsisë, që jeni bashkuar me ne online;  

Të dashur miq e familjarë të Dritëroit tonë të paharruar, si dhe ju studiues të Migjenit, poetit që e ktheu për herë të parë letërsinë në qytet;   

Të nderuar përfaqësues e pjesëmarrës prej institucioneve shkencore shtetërore dhe prej shoqatave kulturore e atdhetare,

Mirë se erdhët në këtë përvjetor të dyfishtë, të dy jubilarëve tepër të veçantë, 110-vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorit të lindjes së Dritëroit.

Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje. Ata ishin te dy poetë me vështrim nga e ardhmja,  poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit e nderimit të brezit të tyre: Migjeni si kryeemër i brezit të viteve 1930 dhe Dritëro Agolli si fytyrë e brezit të viteve 1960.

Të gjithë sot kemi marrë përsipër një detyrë të vështirë: të paraqesim nëpërmjet disa fjalëve e kumtesave vlerat e veprës e jetes së Agollit e Migjenit një mision ky gati i pamundur, por që vetë Dritëroi do të na i hiqte kete barre duke na then me shpoti: mos u merakosni se çdo të thoni ju për ne; pasi vepra e trashëgimia jonë flasin vetë.

Dritëroi ishte e mbetet një prej figurave emblamatike të letrave e te Akademise se shkencave. Ai është një ndër vlerësuesit e mbrojtësit e Akademisë e te akademizmit në Shqipëri edhe në ditë të vështira dhe është në nderin tonë të kujtojmë e vlerësojmë  figurën e veprën e tij.

 Për këtë  dëshiroj të falënderoj gjithë kontribuuesit e kësaj konference duke përmendur posaçërisht ata që vijnë nga më larg prof. e mikun tonë Pëllumb Kulla, prof. e akademikun Ali Aliu, prof. Bajram Kosumin e prof. Merxhan Avdylin, të gjithë ata që bashkëpunuan në organizimin e kësaj konference.

Ne zgjodhëm si shenjë për këtë konferencë e përvjetor botimin e diplomës së Dritëroit për Migjenin. Kjo vete një zgjedhje nga ana e Dritëroit që paraflet për çka do të bëhej ai vet.

Nuk është rastësi që dy kollosët tanë  të letërsisë Kadare e Agolli u morën me Migjenin, duke e cilësuar atë si një meteor që shkëlqeu në kalim e sipër apo si një uragan që u ndërpre, cilesime të cilat shkojnë po aq për vetë ata, por që fatmirësisht për letrat shqipe shkëlqimi e uragani krijues i tyre qëlloi jetëgjatë. Dritëroi ka shkruar pa ndërprerje për mbi 60 vjet radhazi. Ai, së bashku me Ismail Kadarenë, donte një letërsi të re, të një shekulli të ri dhe e realizoi atë.

Ky veteran i veprimit kombëtar e qytetar u bë  shumë shpejt protagonisti i ndryshimit të rrjedhës dhe të fatit të letërsisë shqipe. Bashkë me  homologet e tij ai do të bëhej shpëtimtar i nderit të letërsisë shqipe në një prej periudhave më kritike të saj.

Brezat që kanë jetuar në një kohë me shkrimtarin Dritëro Agolli; bashkëkohësit e tij, do të mbahen mend si breza me fat. Në personalitetin intelektual të Dritëro Agollit çmohet qe ne adoleshence figura e një prej antifashistëve më të rinj në moshë, që, si një partizan i vogël, siç ka shkruar ai vetë, iu bashkua një prej lëvizjeve më përparimtare të shekullit XX.

Dritëro Agolli është shkrimtar emancipues i poezisë shqipe në shqetësime dhe në teknika. Para gjashtë dekadash shkruante: Traditë po, por jo shtampë, dhe i qëndroi besnik sloganit që propozoi vetë.

Një prej kryevlerave të veprës së tij është se, e shtrirë në dy kohë, të përkundërta ideologjikisht me njëra-tjetrën, ajo ruan njëjtësinë e saj, si vepër humaniste, pa asnjë kontradiktë të brendshme dhe pa asnjë kundërthënie mes vedi.

Dritëro Agolli ishte dhe do të mbetet një figurë konvergjente për shoqërinë shqiptare. Kjo është fuqia e një karakteri të fortë njerëzor, që, me veprën e tij, hapi udhë më shumë se ndoqi udhë. Shumë është folur e do të flitet për veprën e tij. Është lëvduar e është qortuar, është laureuar e është penguar.

Vepra e tij i ka provuar të gjitha: i ka provuar dhe nuk ka luajtur nga vendi.

Përqasjen që duhet të kemi ndaj veprave e figurave të tilla si Migjeni e Agolli na e ka treguar vetë Dritëroi si studius. Në to, ashtu si në dy studimet e tij për Migjenin, ai dëshmon se si studiuesit profesionistë e opinioni i shëndoshë, dinë të vlerësojnë veprat dhe autorët e tyre nga vlerat që mbartin si të tilla, të pandikuar nga diferencat a indoktrinimet politike.  Dhe për ta, për opinionin e gjerë e atë intelektual vepra e Migjenit e ajo e  Agollit  do të vlerësohen e çmohen gjithmonë.

Nderimi ynë sot iu drejtohet atyre, iu drejtohet lartësive të dy brezave, prej të cilëve letërsia shqipe ka marrë e do të marrë frymëzim e  ndriçim. Dikur Agolli ka thënë se Akademia e Shkencave është  pasuri kombëtare, të tillë do të mbeten edhe këto dy figura të letrave shqipe Migjeni e Agolli.

Punime të mbara konferencës!  

Ora 11:50
Poeti i dashurisë, shkrimtari realist dhe politikani prej 30 vitesh! Sot 90-vjetori i lindjes së penës së artë shqiptare, Dritëro Agolli

“Në vendin tim e në vendin tënd, një i çmendur një vend e çmend”, këto janë vargjet që më kujtohen në 90-vjetorin e shkrimtarit të së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes, Dritëro Agolli.

Dritëro Agolli poet, prozator, gazetar dhe politikan i njohur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX. Ai është ndër shkrimtarët më të njohur në Shqipëri i cili ka lindur më 13 tetor 1931 në Devoll dhe është ndarë nga jeta më 3 shkurt 2017.

Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg.

Për shumë kohë, Agolli ishte gazetar në të përditshmen "Zëri i popullit", dhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ai la pas një krijimitari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.

Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij

Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.

Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik.

Në poemën Baballarët theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).

Në prozë bëri emër sidomos romani "Komisari Memo" (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani "Njeriu me top" (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme.

Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.

Dritëro Agolli u zgjodh për 30 vite me radhë deputet në Parlamentin Shqiptar.

Një ndër shkrimtarët me penën më të art shqiptare i cili do të jetë “gjallë” përmes shkrimeve të tij përgjithmonë, Dritëro Agolli!

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin