Jo gjithmonë duhet një javë pushime për t’u larguar nga rutina. Ndonjëherë mjafton një fundjavë, dhe Vlora është një nga zgjedhjet më të mira.

E vendosur aty ku takohen deti Adriatik dhe Jon, Vlora ofron një kombinim që pak qytete e kanë: plazhe, histori dhe mundësi për aventura, të gjitha në një distancë të shkurtër.

Atmosfera e këtyre ditëve me diell të fillim prillit e konfirmon më së miri këtë.

Në ditën e Pashkëve, Lungomare dhe plazhet shfaqen të mbushura me njerëz, vendas dhe të huaj në një klimë të gjallë dhe plot energji të mirë, duke shënuar kështu nisjen e hershme të sezonit veror.

Për ata që duan qetësi, Vlora ofron jo vetëm shëtitje buzë detit dhe hapësira për t’u çlodhur. 

Vetëm pak larg, mund të eksplorosh ishullin e Sazanit, gadishullin e Karaburunit apo zonën e Nartës – destinacione që e kthejnë një vizitë të thjeshtë në një eksperiencë më gjithëpërfshirëse .

Qyteti është transformuar vitet e fundit, duke u kthyer në një miks mes historisë dhe zhvillimit modern, me hapësira publike dhe një ofertë gjithnjë e më të pasur për vizitorët.

Madje vetë kryeministri Edi Rama ka premtuar se Vlora do të jetë vendi ku do të vijnë firmat më prestigjoze të hotelerisë duke e bërë bregdetin e Vlorës ndër destinacionet më të kërkuara të Mesdheut.