Rreth orës 22:00, një automjet dyshohet se hyri në turmën e njerëzve në Berlin gjatë Christopher Street Day (CSD), manifestimit tradicional të krenarisë LGBTQI+, i cili çdo vit mbledh mijëra pjesëmarrës në kryeqytetin gjerman. Si pasojë e incidentit, disa persona mbetën të plagosur.
Sipas mediave gjermane Bild dhe Der Spiegel, Policia e Berlinit ka konfirmuar një "operacion të madh" në zonën e Tiergarten, ku efektivët dhe ekipet e emergjencës po u japin ndihmë të plagosurve. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pranë rrugës Lennestrasse.
Deri më tani nuk është bërë i ditur numri i të plagosurve dhe as gjendja e tyre shëndetësore. Edhe dinamika e saktë e ngjarjes mbetet ende nën hetim nga autoritetet.
Pak minuta pas incidentit, organizatorët e manifestimit njoftuan në rrjetet sociale ndërprerjen e aktivitetit dhe u bënë thirrje pjesëmarrësve të largohen nga zona në mënyrë të qetë.
"Ju lutemi të largoheni nga zona me qetësi dhe në mënyrë të rregullt. Shmangni Kolonën e Fitores dhe zonën e Tiergarten. Largohuni në drejtim të Stacionit Qendror", shkruhet në mesazhin e publikuar nga organizatorët e Christopher Street Day në Instagram.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e incidentit dhe për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes.
Komente








