Më këto shënime në xhep, vite më vonë kur u kthye në Amerikë botoi një libër. Gazetare dhe shkrimtare Rose Wilder Lane dinte shumë sekrete të të shkruarit. Me mbresat e ditëve të saj në shqipëri ndërtoi nëj libër që e titulloi “Majat e Shalës”, një libër për të gjithë kureshtarët. “Nuk do të kisha marrë këtë libër tepër seriozisht. Kjo nuk është një përpjekje për të shkokolepsur ndonjë fije prej lëmshit ballkanik, nuk është një studim për popujt primitivë; nuk është një kontribut në ndonjë pjesë të dijes botërore dhe unë shpresoj se askush nuk do ta lexojë atë me qëllimin për të pasuruar mendjen e vet. Ai duhet lexuar ashtu sikurse u jetuan aventurat e tij, me një mendje të shkujdesur kureshtare, me shijen për njerëz të çuditshëm dhe shtigje të panjohura, si dhe me kënaqësinë e së papriturës.
Këtu unë ju jap vetëm çka pashë, ndieva dhe, shumë rrallë, mësova në kuturisjen time midis fiseve në brendësi të maleve të Shqipërisë së Veriut”.
Dhe Rose, e thotë qartë që në fillim të shënimeve të saj “...kjo nuk është aspak e gjithë Shqipëria, ky vend tepër i vogël për t’u gjendur në çdo hartë. Eshtë thjesht një fragment i kësaj bote të madhe, të larmishme dhe romantike që një udhëtar ua dërgon atyre që qëndrojnë në shtëpi”.
“Majat e Shalës” është dëshmia e shkruar e kësaj udhëtareje, jeta e së cilës ishte e mbushur me aventura. Historitë e shënimeve të Rose Wilder Lane kanë si bosht një udhëtim të ndërmarrë nga një grup misionarësh të huaja në viset veriore të vendit, nga Shkodra në Shalë, Theth e Shosh. Në sfondin e një bukurie mahnitëse të natyrës malore, përpara syve të tyre shpaloset një botë e çuditshme, magjepsëse dhe ekzotike karakteresh njerëzore, dokesh dhe kulture. Lakmitë e huaja dhe qëndresa shqiptare, intrigat europiane dhe lindja e shtetit të pavarur, Kanuni dhe dëshira për arsim e progres, gjakmarrja dhe besa, këngë, legjenda dhe besime të lashta, përkrah konfliktesh dhe rreziqesh të reja.
I shkruar si një roman tërheqës aventure, libri i Rose Wilder Lane-it zbulon shumë anë tëpanjohura të jetës së këtyre anëve. Është e vërtetë që Rose Wilder lane, ecën në gjurmët e punës së Edit Durhamit, për t’i thënë botës perëndimore të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Pjesa e zgjedhur për botim nga shënimet e saj i përket pikërisht fillimit të shënimeve, kontaktet e para të këtij gupi misionaresh të huaj me botën e shqiptarëve të fillim shekullit të kaluar.
E sjellim për lexuesit këtë fragment, si një ftese për ta lexuar këtë libër këto ditë kur lajme të dhimbshme vijnë nga alpet magjepsësë shqiptare, ku eskavatorët kanë nisur të gërmojnë e të dhunojnë një bukuri që s’duhet lejuar kurrësesi të preket...
[gallery]18940[/gallery]
Shqipëria, e keqkuptuara
Nga Rose Wilder Lane
- Pesë javë në Serbi dhe vetëm pesë ditë në Shqipëri! - tha Betsi Klivlendi me pasion. - Oh, kjo nuk është e drejtë! Kjo është mizore! Ju nuk i njihni shqiptarët. Askush nuk i njeh shqiptarët. Askush nuk merr mundimin të mësojë për shqiptarët. Oh...! - Dukej se në mendjen e saj ishin ndrydhur shumë gjëra që nuk shpreheshin dot. - Oh, në dreq. - Ajo i lëshonte fjalët si bomba në qetësinë e mugët të kopshtit dhe pas shpërthimit u duk se heshtja ra përsëri si një pluhur i hollë i padukshëm.
- Betsi! - tha Aleksi e mahnitur, duke hapur fort sytë e saj të kaltër.
- Nuk më bëhet vonë! - tha Betsi, duke shkundur hirin nga cigarja me aq forcë, saqë e shoi atë. Shkrepsja në dorën e saj u ndez si një fishekzjarr dhe ajo nisi sërisht të tymoste me shtëllunga të shpeshta si shpërthime të vogla. - Ky është krim! Kurrë, askush nuk i kupton shqiptarët e mi të çuditshëm!
Unë isha prej katër orësh në Shkodër, në atë qytet të ulët me rrugë të përdredhura, mure të lyera me gëlqere dhe kopshte gjetheshumë. Një djalë cigan lecka-lecka, që fliste nja katër fjalë anglisht, më kishte përshëndetur tek zbrisja nga anija dhe më kishte çuar drejt në shtëpi. Unë zbrita nga karroca dhe gjeta një urë të gurtë të harkuar, që kalonte mbi një kanal me ujë të rrjedhshëm. Në anën tjetër të urës ndodhej një portë me gdhendje të ndërlikuara, dymbëdhjetë këmbë1 e lartë, nën një hark prej guri. E interesuar dhe kurreshtare, trokita në të me një dorezë prej hekuri të punuar dhe pas portës u hap një kopsht i madh, ku zhurmonin qindra fëmijë. Ngjante sikur hyje në një përrallë magjepsëse. E vetmja mbresë që pata ishin ngjyra, drita dhe britmat dhe në plan të parë një burrë shumë i moçëm, të paktën gjashtë këmbë i gjatë, flokëbardhë, mjekërbardhë, mirëdashës, me një çallmë të bardhë, veshur me një xhaketë leshi të zezë me një numër të pabesueshëm shiritash, me një brez të kuq e të gjelbër me një thikë me dorezë argjendi dhe me pantallona të bardha leshi me një vijë të zezë. Ai më vështroi i befasuar. Unë e vështrova me frikë dhe hutim. Pastaj, ja edhe kjo, fërshëllima e mprehtë e një bilbili polici!
Nën kubenë e degëve të gjelbëra mbi një shteg të shtruar me zhur një vajzë u turr drejt meje dhe kapi duart e mia me një shtrëngim të shpejtë rinor. Një vajzë e hollë, atletike e nxirë nga dielli, që rrezatonte aq shumë energji, saqë edhe majat e gishtave të saj dukej sikur shkarkonin elektricitet. “Ne dëgjuam se ju ishit në Malin e Zi; kishim shpresë se ju do të kalonit këtej! A sollët ndopak gjalp? S’ka gjë, jemi të gëzuar. Pritni një minutë, ku është Kola?”
Roja i portës i Netëve të Arabisë ishte zbrapsur me respekt; pas shenjës së saj urdhëruese, ai u afrua dhe ajo i foli atij me shpejtësi në një gjuhë që nuk i ngjiste aspak atyre që kisha dëgjuar në Evropë. Ai u largua me nxitim. Ajo u kthye te fëmijët që përsëri qenë tërbuar nga qejfi për të luajtur në një vend që dukej si një shesh lojërash, i bëri ata të heshtnin me një fërshëllimë tjetër të bilbilit prej polici dhe iu drejtua atyre në po atë gjuhë të çuditshme.
Tani u shfaq një vajzë tjetër, një vajzë flokëverdhë me një kësulë të leshtë blu dhe një bluzë të bardhë, që lëvizte me atë shpejtësi që është e mundur, kur të gjithë fëmijët që mund të kapen pas krahëve tuaja i shtrëngojnë ata. Kjo ishte zonja Aleksandër, ndryshe “Aleksi”. Brenda dy minutash ai çka dukej një program i ndërlikuar veprimtarish u riorganizua dhe Betsi Klivlendi më mori me vete drejt karrocës dhe një shtëpie tjetër.
Kjo ishte një strehë që i ngjante një kazerme, me dysheme dhe shkallë të drunjta që kërcisnin, e veçuar prej rrugës nga një portë e hekurt dhe një kopsht. Lart, në një dhomë të zhveshur të pajisur me dy shtretër spitali, unë hapa çantat e mia, u lava në një banjë me një perde të lëvizshme, e komanduar prej një vendi të padukshëm prej zërit energjik të Betsi Klivlendit dhe e mahnitur prej çudive të udhëtimit në kohën tonë. Një trokitje në derë. Fytyra ngjyrë kafe e Betsi Klivlendit që u shfaq në të hapurën që zgjerohej. “A i ke lexuar të rejat e fundit për Brejllsfordin? Ja, ku i ke. Unë duhet të kthehem në shkollë. Darka në orën tetë, në kopsht. Po, ne vishemi për darkë; lart moralin.
Do të vi më shpejt, po munda. Po vdesim të bisedojmë me ty!”
Ne kishim dy orë që bisedonim, kur ajo tronditi qetësinë e kopshtit me atë protestë. Filxhanët e kafesë rrinin të zbrazët mbi tryezën e bardhë, trëndafilat dhe irisat dhe kaçubet në lulëzim po i humbisnin ngjyrat e veta në muzg, tri spirale tymi cigaresh u ngritën drejt degëve të lehta të pemës së shelgut mbi kokat tona. Që përtej mureve të kopshtit vinin tingujt e dobët të muzikës së trishtuar në kafenenë poshtë në rrugë.
Në planet e mia Shkodra kishte qenë thjesht një ndalesë gjatë rrugës midis Podgoricës dhe Konstandinopojës. Nocionet e mia për Shqipërinë qenë krejt të turbullta. E dija që ajo ishte anëtari më i ri dhe më i vogël i Lidhjes së Kombeve; e dija që ajo kishte nisur Luftërat Ballkanike, e cila kishte qenë fitili ndezës për shpërthimin e Luftës së Madhe - një fitil që ende nuk ishte asgjësuar - dhe e dija që kohët e fundit shqiptarët kishin përzënë prej truallit të tyre ushtrinë italiane të pushtimit. Malësorët shqiptarë janë qitës të tillë të mahnitshëm, saqë kishin rrëzuar aeroplanë me pushkët e veta, duke qëlluar drejtpërdrejt aviatorët në ndenjëset e tyre, kur këta kishin arritur në lartësitë më të mëdha.
Unë kisha pyetur doktor Foksin në Podgoricë se ç’dinte ai për shqiptarët. Ai kishte jetuar për vite të tëra në Serbi, aq pranë Shqipërisë sa edhe një biznesmen i zakonshëm pranë zyrës së vet. Ai më tha se, nga sa kishte zbuluar, shqiptarët ishin mbeturinat e Ballkanit, pasardhës të banditëve të dëbuar nga vendet e tjera ballkanike; një farë e keqe, moralisht dhe fizikisht.
Unë kisha lexuar në një gazetë socialiste franceze një tregim të frikshëm për egërsinë e serbëve, që i deportonin komunistët e tyre në Shqipëri, në “Siberinë e Ballkanit”.
Dhe kisha një shënim të nxjerrë nga një libër erudit, mbresëlënës për politikën ballkanike: “Shqiptarët, pasardhësit e ilirëve të lashtë, u goditën nga epërsia e gjuhës latine, prej së cilës rrjedh një e katërta e fjalorit të tyre të varfër. Ndonëse të shtyrë drejt veriut prej grekëve dhe drejt lindjes prej rumunëve dhe serbëve, ata kanë mbetur në kështjellat e tyre malore deri në ditët tona, rezistentë ndaj të gjitha qytetërimeve ndaj të cilave kishin qenë ekspozuar.”
Vetëm impulsi i djalit të vogël me një shkrepse mund të kishte shtyrë ndonjërin t’ia lexonte këto fjalë Betsi Klivlendit, por blloku i shënimeve qëndronte në mënyrë tepër joshëse pas kupës sime të kafesë.
- Oh, si gënjejnë! Sa gënjejnë! - Në zërin e saj kishte zemërim dhe dhimbje personale. - Kjo është vetëm propagandë, asgjë tjetër. Oh, a do ta thotë ndonjëherë dikush të vërtetën për Ballkanin? “Rezistentë ndaj qytetërimit!” Ata kanë qenë rezistentë ndaj dy mijë vjetëve pushtimi të armatosur. A e dini që shqiptarët janë populli më i vjetër arian në Evropë? A e dini që ata i mbajtën këto male kundër persëve, grekëve, romakëve, mongolëve, serbëve, turqve dhe ruajtën gjuhën, doket dhe ligjet e veta qysh para se të niste historia? A e dini që grekët i morën emrat e perëndive të tyre, orakujt dhe fatat e mitologjisë së tyre nga shqiptarët? A e dini që nëna e Aleksandrit të Madh ishte shqiptare? A e dini që shqiptarët kanë qenë pashallarë të Turqisë, sundimtarë të Egjiptit, burra shteti të Italisë? Jo, ju nuk e dini. - Befas revolta e saj u mek, u kthye në dëshpërim. - Ju nuk dini asgjë për Shqipërinë dhe ju jeni njësoj si gjithë të tjerët, ju nuk keni dëshirë të qëndroni aq sa të mësoni diçka.
- Por unë jam rrugës për në Konstandinopojë.
- Në Konstandinopojë shkojnë të gjithë, - tha Aleksi.
- S’është asgjë Konstandinopoja, - tha Betsi. - Nëqoftëse nuk shihni Shqipërinë, ju do të humbni rastin e jetës. Lart në ato male - pikërisht atje, në ato male - njerëzit jetojnë sikurse jetonin njëzet shekuj më parë, kur grekët ose romakët, ose sllavët nuk njiheshin ende. Atje lart ka qytete parahistorike, legjenda, këngë, doke të vjetra dhe askush nuk di gjë për to. Në fakt, askush nuk ka qenë ndonjëherë atje. Vetëm një i huaj i ka parë ato. Skocez i madh, grua! Kurse ju rrini këtu dhe flisni për Konstandinopojën!
- Por, nëqoftëse atje nuk shkon askush, si mund ta bëjmë ne këtë? - thashë unë.
- Si shkon çdo njeri kudo gjetkë? Thjesht merr kuaj me qira, hipjua dhe shko, - tha Betsi.
- Duke marrë me vete pushkët tona?
- Oh, mirë, pra, ne do të jemi mjaft të sigurta. Ne mund të ndeshim në nja dy gjakmarrje dhe udhërrëfyesit tanë të vriten. Por askush nuk i bën gjë një gruaje. Madje askush nuk vret një burrë në prani të saj.
- Qofshin bekuar! - tha Betsi dhe shtoi shqip: - U lumshin këmbët.
Ajo u përkul përmes tryezës, duke mbajtur një shkrepse te cigarja ime, duke pritur që unë të vendosja. Por unë nuk po mendoja për këtë çështje, po mendoja për gruan e re që kishte lindur nga lufta. Askush nuk e kishte përfshirë atë mes kapakëve të një libri; ndoshta askush nuk do ta bëjë këtë ndonjëherë. Tani ajo mund të gjendet kudo nëpër Evropë, duke kryer me shkathësi dhe mirë ndërmarrje që shkojnë larg. Ajo flet dy apo tri gjuhë të reja, ajo kalon përmes shteteve po aq me shpërfillje sa të kapërcente një rrugë, sytë e saj janë të mençur dhe në cepat e buzëve të saj ka humor. Zakonisht ajo është simpatike, gjithmonë e pashme dhe e mbajtur mirë. Ajo vishet mirë pa u kushtuar kujdes rrobave, si një biznesmen. Asaj i pëlqejnë burrat dhe nuk është sentimentale ndaj tyre. Në pjesën e pasme të orës së dorës të kësaj vajze nuk është ngjitur ndonjë fytyrë mashkullore. Ajondez ndonjë cigare, pi pak, di shumë dhe ruan gjakftohtësinë dhe logjikën e saj. Evropa mund të ishte stërpikur me gurë që shënonin karrierat e vdekura të burrave që, të shkëputur nga të gjitha lidhjet e zakonshme dhe standartet e pranuara, ishin bërë “copë e çikë”, sikurse themi ne. Vajza moderne ruan tërësinë e vet, nuk shpërbëhet. Unë pyes pse dhe, duke menduar për këtë, pyes nëse ajo është pioniere e një race të re, të lirë, të fortë grash, për të cilën do të rriten breza të rinj burrash që t’i përshtaten apo, duke pasur më pak fëmijë të barkut të saj, ajo do të ketë po aq më pak trashëgimtarë të cilësive dhe pikëpamjeve të veta dhe kështu do të zhduket si një lloj biologjik anormal, dhe këtu unë ngrita sytë dhe thashë: “Në rregull, jam me ju.”
- Në mëngjes do të shoh për kuaj dhe do të marr një shpurë xhandarësh, për të ruajtur çantat tona, - tha Betsi.
Kështu, ne u mbështetëm pas karrikeve tona dhe e lamë bisedën tonë të endej nëpër labirintet e politikës ballkanike, duke ndjekur fijet e koklavitura të intrigës dhe të kundërintrigës, skajet e padukshme të të cilave i mbajnë Londra, Parisi, Roma dhe Beogradi, një rrjetë në të cilën janë kapur, si mizat në një pezhizhkë, një numër i pallogaritshëm tregimesh për maskime dhe demaskime, tradhti, ujdi, vjedhje dhe vrasje. Ishte një bisedë e mirë, një bisedë grash, ndërkohë që yjet u shfaqën mbi malet në perëndim dhe muzika tringëllinte dhe rënkonte në kafenenë përtej mureve. Pastaj ne këndumë The Raggle-Taggle Gipsies dhe shumë balada të tjera të vjetra për rrugët e hapta dhe shpirtërat e lirë dhe më në fund ecëm nëpër shtëpinë që flinte drejt shtretërve tanë, pasi kishim rënë dakord që brenda tri ditëve do të niseshim drejt maleve.
Tri ditë mund të kalohen lehtësisht në Shkodër, veçanërisht nëse njëra prej tyre është ditë pazari. Atëherë duket sikur gjysma e rrugëve të ngushta, të përdredhura është shtruar me tregtarë të ulur në shesh dhe pirgje mallrash; batanije prej leshi dhije, cohëra prej mëndafshi shumë të hollë dhe ar, çarçafë dhe këllëfë nënkrejsash me drejtkëndësh të bardhë e të kuq, me bordura ngjyrash të ndryshme, peshqirë të hollë pambuku me vija të kuqe dhe mbulesa tavolinash me lloj-lloj ngjyrash të ndezura, që tregtoheshin me copa prej dhjetë jardësh që, duke kaluar rreth tryezës në prehërin e çdo musafiri, ishin pecetat e zakonshme; të gjitha këto të endura me dorë dhe në tezgjahë prej druri të bërë vetë.
Kishte edhe xhaketa kadifeje ngjyrë purpuri dhe mansheta të purpurta kadifeje për pantallonat e zonjave, të ngarkuara me qëndisje ari të rëndë, që mbulonin kadifenë, dhe gjendeshin edhe vetë pantallonat, sipërfaqe të stërmëdha mëndafshi të trashë, me manshetat e mbuluara me ar tre jardë larg skajeve fundore; kishte edhe byzylykë, varëse prej argjendi, masivë dhe të gungëzuar me brilante, ose të hollë dhe të gdhendur në filigramë si pëlhura merimange. Lart e poshtë, duke shkelur me kujdes midis mallrave togje-togje, një turmë, shkëlqimi i së cilës të vriste sytë me shallet ngjyra-ngjyra dhe përparëset e shkëlqyera, çallmat e të gjitha ngjyrave, çorapet e thurura me vizatime të ndritshme dhe pantoflat e purpurta e të kuqe dhe kudo një vezullim argjendi; në mes, gratë muslimane, të mbuluara, të veshura krejt në të zeza, si korbat në një kopsht lulesh, dhe gratë katolike shkodrane, të mbuluara me vello të bardha, me jelekë allë e argjend, mantele krejt të mbyllur të zinj e argjend dhe pantallona të fryra që i bënte ato të ngjanin këmbështrembëra.
Të gjitha këto janë gjëra mjaft të rëndomta për njerëzit e Shkodrës, të cilëve u ngjall habi dhe interesim të madh veshja e çuditshme primitive me kostum tuidi, bluza me mëngë të gjata dhe kapela Barberri prej lëkure, pa folur për duart e mbuluara me lëkurë - lëmimi dhe prekja e gishtave me dorshka është, po t’ju pëlqejë, një përvojë! Të gjitha gratë e bëjnë këtë, kur mundin, duke u mahnitur me rrobat e çuditshme të të huajve.
Kur shkëmben para, sheh për herë të parë që nga lufta monedha floriri dhe argjendi me shumicë. Copa e florinjtë është përsëri mes gishtave të tu dhe bashkë me të monedha të Italisë, Austrisë, Turqisë, Greqisë dhe Persisë, një napolon i Republikës së Parë Franceze, një copë argjendi e Luigjit të Tetëmbëdhjetë dhe - një pamje e pabesueshme! - një monedhë e Perandorisë së vjetër Romake, e dhënë me shpërfillje si kusur nga gruaja symprehtë rome që shet gështenja të pjekura, dhe bashkë me të edhe një monedhë tjetër bakri, katërkëndëshe dhe e shtrembëruar, me ca shenja të çuditshme, thuajse të fshira, mbi të. Qe nxjerrë diku në Azinë e Vogël, vetëm koleksionistët e monedhave e dinë se kur. Por ajo ka vlerë në tregjet e Shkodrës, sepse Shqipëria, duke mos pasur borxh kombëtar, nuk ka kartmonedhë dhe, duke mos pasur fabrikë monedhash, nuk ka monedha metalike të vetat.
Lere pazarin dhe endu gjatë rrugëve të ngushta, të pashtruara dhe të përbaltura të tregtarëve, sepse tregtia e Shkodrës nuk varet vetëm nga pazari. Këtu ka - si mund t’i quajmë ato: dyqane? punishte? klube? Ato janë radhë dhomash të vogla, me tri mure, të hapura nga ana e rrugës, ku qëndron tregtari, i cili është edhe shitës, bën artikujt që shet, duke rreshtur për të pirë cigare dhe për të bërë thashetheme me miqtë e tij që grumbullohen pas tij. Këtu është një burrë që bën sundukë dasme, një mall që me siguri është po aq i vjetër sa edhe martesa e njeriut, dhe ata janë arka të mëdha të bukura prej druri të lustruar, të zbukuruara në pjesën e sipërme me vizatime të vogla me ngjyra të ndezura. Në të majtë të këtij dyqani qëndron prodhuesi i djepave për fëmijë, objekte të ulëta me përkundëse të rrumbullakta dhe të larta në anët e kreut dhe të këmbëve, të vizatuara në të njëjtin stil të hareshëm, kurse në të djathtë është qivurbërësi, njësoj gazmor në përdorimin e ngjyrave. Lindja, martesa, vdekja, të gjitha në një rresht dhe tregtarët nuk kanë nevojë as të reklamojnë, as të shqetësohen shumë për të joshur klientët, sepse e gjithë Shkodra do të vijë një herë te secili prej tyre.
Më pas është qeleshepunuesi, i rrethuar me lesh të papunuar, duke prerë me thikat e veta kësulën e bërë rishtazi; samarbërësi, që rri midis ashklave dhe grumbujve të lëkurave, me samarët e mëdhenj prej druri të veshur poshtë me lëkurë delesh të stivosur pas tij. Dhe bakërpunuesi, tunxhpunuesi dhe hekurpunuesi, duke rrahur dhe mbërthyer prodhimet e tyre - tabaka, kazanë, enë të vockla me bisht të gjatë, për përgatitjen e kafesë turke në hirin e nxehtë të zjarrit të oxhakut, dhe mullinj të ndërlikuar kafeje, që të gjitha shndrisnin në diell ose kuqëlonin mbi kudhra. Kurse punuesit e brezave, të ulur galiç në radhë njëri pas tjetrit, duke mbajtur rripa lëkure për këpucë dymbëshjetë inç1 të gjera, te të cilët ngulin mijëra thumba të vegjël prej argjendi - gojët e tyre janë të mbushura me gozhdë; ata nuk mund të flasin - që shpaloseshin ndërsa ata punonin modelet që do të zgjidhnin nuset; sepse këta breza mbahen nga të gjitha gratë e martuara dhe tregtarët të shohin me kurreshtje, duke pyetur veten se me ç’shenjë gratë angleze tregojnë se kanë kaluar nga sundimi i babait në atë të bashkëshortit, pa e ditur që në Perëndim brezi ka përfunduar në një unazë që mbahet në gishtin e tretë.
Ndërkohë ia vlen të ndalesh dhe të vështrosh punuesin e pipave të cigareve. Pas tij, në një poçe, qëndrojnë disa duzina nga prodhimet e tij të përfunduara, dy ose tri këmbë të gjata, që ngjajnë si një buqetë lulesh të çuditshme me shiritat e ngjyrave të çelura, me zbukurimet e tyre në formë rrathësh dhe kokat e pjerrëta sa një gishtëz, pa qenë dy njësoj. Ai rri galiç dhe punon, i përqëndruar, Një copë e hollë druri tri inç e gjatë qëndron pezull para tij e mbajtur në gjilpëra të gjata në secilin skaj. Në dorën e vet të djathtë ai mban një hark të përkulur, të lidhur me një fije të butë që është mbështjellë rreth njërës prej gjilpërave. Ai e lëviz dorën e tij poshtë e lart, gjilpëra rrotullohet, copa e drurit rrotullohet gjithashtu. Me një thikë të hollë që e mban në dorën e majtë ai shpon dhe i jep formë cilindrit që rrotullohet. Ashklat e vogla fluturojnë. Punimi është aq i shpejtë, sa nuk e ndjek dot me sy. Për një çast del diçka e modeluar bukur. Tani ai do të shpojë vrimën në gjithë gjatësinë e tij dhe do t’i japë formë skajit tjetër; kështu ai do t’u bashkohet copave të tjera dhe me shpejtësi ai bën katër, pesë, gjashtë shokë për të, i bashkon me njëri-tjetrin, pastaj e le çibukun mënjanë, për ta lyer, kur të ketë dëshirë të lyejë. Ti mund të blesh një prej tyre me dy korona, që janë rreth gjashtë peni, dhe kur ta kesh bërë këtë, ai mbështetet dhe ndez një cigare dhe shijon për një kohë ndodhitë e rrugës.
A është e nevojshme të hetohet për të marrë vesh që në këtë vend të prapambetur nuk ka sindikata, dhoma tregtie, bolshevizëm, ligje për tetëorëshin e punës?
- Oh, por gjithçka është prishur tani në Shkodër, - ankohet Betsi Klivlendi. - Prit deri sa të shkojmë në male, ku ata nuk dinë asgjë për të huajt.
1 Masë gjatësie (anglisht foot) e barabartë me afër 30,5 cm.
1 Masë gjatësie e barabartë me 2,5 cm.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)