Emri i Eric P. Wendt nuk është thjesht një emër diplomati klasik që vjen në Tiranë për darka protokollare dhe deklarata rutinë. Ai është një gjeneral i formuar në terrenet më të vështira të luftës moderne amerikane, një njeri i operacioneve speciale, i krizave globale dhe i arkitekturës së sigurisë së NATO-s. Pikërisht për këtë arsye, nominimi i tij nga Donald Trump për ambasador në Shqipëri nuk shihet si rastësi, por si një sinjal politik dhe strategjik për Ballkanin.
Në Washington, diplomatët zgjidhen shpesh sipas prioriteteve të momentit. Kur SHBA kërkon marrëdhënie të buta, dërgon diplomatë karriere. Kur kërkon kontroll strategjik, disiplinë politike dhe siguri rajonale, zgjedh njerëz të sistemit të mbrojtjes. Pikërisht këtu hyn Eric P. Wendt.
Gjeneral-lejtnanti amerikan ka mbi 34 vite shërbim aktiv, nga të cilat afro 30 vite në njësinë elitare të “Beretave të Gjelbra”, strukturë që konsiderohet ndër më të specializuarat në ushtrinë amerikane. Ai ka komanduar operacione në Afganistan, Azi dhe Lindjen e Mesme, ka qenë Koordinator i Sigurisë së SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez dhe më pas komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s. Pra, nuk kemi të bëjmë me një ambasador tradicional, por me një njeri të sigurisë amerikane që njeh mekanizmat e krizës, destabilizimit dhe luftës hibride.
Në seancën dëgjimore në Senatin amerikan, Wendt dha një mesazh shumë më të fortë sesa dukej në pamje të parë. Ai foli për Shqipërinë jo si një vend periferik të Ballkanit, por si një aleat strategjik të NATO-s dhe si një pikë kyçe në rajon. Kjo është ndoshta pjesa më e rëndësishme e gjithë deklaratës së tij.
Në logjikën amerikane të sigurisë, Ballkani nuk është më thjesht histori konfliktesh etnike. Sot ai shihet si zonë ndikimi mes Perëndimit, Rusisë, Kinës, Turqisë dhe interesave të tjera gjeopolitike. Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj në NATO, lidhjes tradicionale me SHBA-në dhe rolit në rajon, po merr një peshë më të madhe sesa vitet e mëparshme.
Kjo shpjegon edhe pse Trump ka zgjedhur një gjeneral dhe jo një figurë klasike diplomatike. Trump gjithmonë ka besuar më shumë tek njerëzit e sigurisë sesa tek burokracia tradicionale diplomatike amerikane. Për të, diplomacia duhet të funksionojë si instrument force dhe interesi strategjik. Në këtë kuptim, Wendt është profili perfekt: i ashpër, i disiplinuar, me eksperiencë në NATO dhe me lidhje direkte me strukturat e sigurisë amerikane.
Në fjalën e tij, Wendt përmendi me respekt trupat shqiptare në Afganistan, duke thënë se “forcat speciale shqiptare personifikojnë shpirtin luftarak të Skënderbeut”. Kjo nuk ishte thjesht një fjali kortezie diplomatike. Në gjuhën e sigurisë amerikane, lavdërimi publik i kapaciteteve ushtarake të një aleati është një mënyrë për të treguar se ai vend konsiderohet i rëndësishëm në arkitekturën strategjike.
Por deklaratat më interesante të tij lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe SPAK-un. Wendt e cilësoi SPAK-un si një strukturë efektive dhe theksoi se mbështetja ndaj reformës në drejtësi mbetet prioritet amerikan. Ky është një mesazh që në Tiranë lexohet politikisht.
Për herë të parë pas një kohe të gjatë, duket se SHBA po rikthen fokusin tek siguria, korrupsioni dhe institucionet e forta, jo thjesht tek stabiliteti politik. Për vite me radhë, politika shqiptare ka funksionuar me idenë se Amerika kërkonte mbi të gjitha “qetësi” dhe stabilitet. Wendt duket se sjell një qasje tjetër: stabilitet pa institucione të forta nuk ka vlerë strategjike.
Kjo është arsyeja pse shumë njerëz në politikën shqiptare e lexojnë ardhjen e tij si një zhvillim që mund të tronditë ekuilibrat e deritanishëm.
Në realitet, si Edi Rama ashtu edhe Sali Berisha kanë arsye të jenë të friksuar përballë një ambasadori me profil të tillë. Jo sepse Wendt do të bëjë politikë direkte në Shqipëri, por sepse ai vjen nga një kulturë amerikane ku rezultatet dhe institucionet vlejnë më shumë se marrëdhëniet personale me elitën politike.
Për Ramën, sfida lidhet me perceptimin ndërkombëtar mbi korrupsionin, lidhjet e politikës me oligarkinë dhe çështjet që lidhen me standardet demokratike. Nëse administrata amerikane vendos ta shtyjë më fort luftën kundër korrupsionit, atëherë presioni mbi qeverinë do të rritet ndjeshëm.
Për Berishën, situata është po aq delikate sepse ai është shpallur edhe non grata . Edhe pse Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe shumë demokratë shqiptarë shpresojnë për një ndryshim qasjeje ndaj tij, Wendt nuk dha asnjë sinjal politik favorizues. Përkundrazi, ai foli për neutralitet institucional dhe respektim të rregullave demokratike. Kjo tregon se raporti SHBA–Shqipëri nuk do të ndërtohet mbi individë politikë, por mbi interesin strategjik amerikan.
Në këtë pikë, SPAK merr rëndësi të jashtëzakonshme. Për SHBA-në, SPAK nuk është vetëm një institucion drejtësie. Është një test për funksionimin e shtetit shqiptar. Nëse reforma në drejtësi dështon, atëherë bie edhe narrativa amerikane e investimit në Shqipëri si model demokratik në rajon.
Prandaj mbështetja që Wendt i dha SPAK-ut është shumë më tepër se një deklaratë formale. Është sinjal se Uashingtoni nuk ka ndërmend të tërhiqet nga reforma në drejtësi, pavarësisht debateve politike në Tiranë.
Një tjetër element interesant është fakti që Wendt ka eksperiencë të thellë në menaxhimin e krizave dhe konflikteve hibride. Ballkani sot shihet nga SHBA si zonë ku ndikimet ruse, kineze dhe aktorë të tjerë mund të krijojnë destabilitet. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut mbeten pika kyçe për NATO-n në rajon.
Në këtë kuptim, ardhja e një gjenerali në Tiranë mund të interpretohet si paralajmërim se SHBA do të jetë më aktive në kontrollin strategjik të rajonit. Jo rastësisht, Wendt foli shumë për sigurinë, investimet në mbrojtje dhe forcimin e aleancës së NATO-s.
Ai nuk është një ambasador që vjen vetëm për fotografi ceremoniale. Ai është një njeri që vjen nga bota e operacioneve speciale, ku çdo deklaratë ka mesazh dhe çdo lëvizje ka objektiv strategjik.
Prandaj, në politikën shqiptare, emri i Eric P. Wendt po shihet si “personazhi i vitit ”. Jo vetëm për karrierën e tij ushtarake, por sepse ai mund të përfaqësojë fillimin e një faze të re në marrëdhëniet SHBA–Shqipëri, më pak tolerancë ndaj korrupsionit, më shumë fokus tek siguria dhe më shumë presion për institucione reale.
Në fund, pyetja që po bëhet në Tiranë nuk është thjesht “kush është Eric Wendt?”. Pyetja reale është tjetër: çfarë mesazhi po sjell Amerika për Shqipërinë përmes një gjenerali të hekurt?/Mapo
Komente






