Një javë luftë, dhe Vladimir Putini që tani ka humbur. Sido që të përfundojë dhe sado që të zgjasë ku agresion absurd dhe i tmerrshëm, ka humbur sepse Ukraina tani ekziston. 

Ukrainasit e dinin, tani e dinë edhe rusët, e di Evropa, e di Amerika, e di e gjithë bota.

Teza e tiranit me vështrim të akullt, ishte se ai komb nuk ekziston, se ai ka qenë një shpikje sovjetike. “Lenini dhe të tijtë kanë krijuar Ukrainën moderne duke i shkëputur territore Rusisë”, ka thënë Putini. Nuk është e vërtetë.

Ukraina ka një histori të gjatë, një identitet, një gjuhë, arte dhe traditë por bota ishte e shpërqëndruar dhe e kishte harruar.

Për Ukrainën, ky është fundi i fillimit. Për Putinin ndoshta është fillimi i fundit.  Edhe për Evropën është një fillim i ri. Bashkimi Evropian lindi nga një krizë shumë e madhe, që ishte Lufta e Dytë Botërore dhe ka shfaqur shpesh herë shenja lodhjeje, çdohap përpara ka përkuar me një krizë.

Nga tronditja e naftës e viteve shtatëdhjetë lindi ideja e një tregu të përbashkët. Nga kaosi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik erdhi zgjerimi drejt lindjes. Nga kriza financiare 2008-2009, erdhi reforma bankare. Nga kërcënimi i ISIS erdhën marrëveshjet mbi sigurinë. Nga pandemia rregulla të përbashkëta shëndetësore dhe përdorim i huave për të shpëtuar vendet anëtare. 

Tani do të vijnë një mbrojtje e përbashkët, masa të përbashkëta sa i përket energjisë dhe një qasje e re ndaj refugjatëve. Kjo falë njeriut të Kremlinit.

Ai motivoi Evropën, i dha një tjetër hov NATO-s, konsakroi Ukrainën./ Bota.al