TIRANE- Një gropë e stërmadhe mbi urën e lumit Erzen në autostradën Tiranë-Elbasan është kthyer në makthin e shoferëve dhe në një rrezik permanent për aksidente. “A1 Report” sjell pamjet ku në urë ndodhet një gropa dhe nuk ka asnjë tabelë sinjalizuese për të, ndërsa sipas drejtuesve të mjeteve që frekuentojnë këtë rrugë, s’ka ditë që mbi 10 mjete të dëmtohen duke rrezikuar jo pak dhe daljen nga rruga.
 
Ura mbi lumin Erzen ndodhet në dalje të kryeqytetit, në autostradën Tiranë-Elbasan, ku sipas tabelës në kë aks duhet të udhëtosh me 40 km në orë nga një kah i rrugës, ndërsa në kthim nga Elbasani drejt Tiranës duhet të lëvizësh me 80 km.
 
Por realiteti këtu është krejt ndryshe, pasi në pamjet e fokusuara me kamerën e “A1 Report” shfaqet një automjet i cili sapo është dëmtuar pasi ka rënë në gropën e ndodhur mbi urë me një perimetër afro 1 metër.
 
Por rreziku nuk është vetëm në këtë aks, pasi në rrugën dytësore të “Unazës së Re” e cila lidh Tiranën me autostradën paraqitet e njëjta situatë.
 
Për shoferët të cilët këtë aks e bëjnë çdo ditë, zgjidhja më e mirë është saldimi i pusetave se sa lënia në këtë gjendje të rrezikshme.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)