Një grua e lirë si Ema Andrea: Dy dashnitë, që më kanë krijuar më shumë armiqësi

Çfarë duhet të bëjë një grua për të qenë e lirë? Nuk ka asnjë formulë, veçse të kërkojë lirinë brenda vetes. Regjisorja dhe aktorja, Ema Andrea, që më shumë se kushdo në qendër të krijimtarisë ka gruan, flet për udhëtimin e saj, si grua në Shqipëri. Ema Andrea rrëfen në një intervistë për “ReportTV”, se ndonëse në shoqërinë tonë gruaja përplaset me shumë absurditete për zgjedhjet që bënë për të ardhmen e saj, sërisht ajo duhet të këmbëngulë në atë që do.

Ema, gjithnjë edhe më shumë flitet për pavarësinë e gruas, por çfarë duhet ta bëjë një grua për të qenë realisht e lirë?

Çfarë duhet të bëjë një grua për të qenë e lirë? Kurrkush nuk ka formula. E para gjë, që është e rëndësishme është, që këtë liri ta gjejë brenda vetes edhe ajo do ta mësojë, se si të vazhdojë rrugëtimin e saj. Natyrisht që në shoqërinë tonë do të përplaset me shumë absurditete, që në zgjedhjet që do të bëjë për të ardhmen. Por kur je e bindur për atë që do, besoj se ja del. Duhet të fillojë, në vendin tonë, nga edukimi në nivelin personal. Pastaj, në nivele institucionale organet ligjore duhet të jenë shumë më të forta. Ligji dhe rregullat të veprojnë, sidomos për rastet ekstreme. Vajzat e vogla, djemtë e vegjël duhet të njohin të drejtat e tyre, duhet të mësojnë se çdo të thotë të jetosh në komunitet. Unë besoj se një nga problemet e mëdha që ka Shqipëria, si shoqëri, është mungesa e besimit. Mungesa e besimit në çdo nivel, dhe injoranca, mosdëshira për të ditur se ku jeton. Kjo na bën të jemi më shumë individualist, më shumë egoist. Nuk mendojmë se e mira e përgjithshme, është e mira individuale, prej kësaj ne bëhemi armiqtë e njëri-tjetrin në të gjitha nivelet. Shoqëria jonë në përgjithësi është agresive, trafiku, diskutimet politike janë po ashtu. Nuk merret askush me argumentin, por sulmojmë individin në anën personale. Tani e kuptojmë, se çfarë do të thotë ky mentalitet në mikrobotën e familjes. Është bota që duhet të na drejtojë për të bërë zgjedhjet tona. Është dhuna që po shpërthen në akte ekstreme, por mos të harrojmë se kjo dhunë ka ekzistuar gjithmonë. Të mos harrojmë se trafikimin e femrave shqiptare e kanë bërë meshkujt shqiptarë. Kanë qenë meshkujt shqiptarë, që e kanë trafikuar edhe dhunuar, që herët gruan shqiptare. Ndërsa, edhe sot janë bashkëshortët shqiptarë që e bëjnë diçka e tillë.

Ju njohim përherë, si një grua të lirë, por sa e vështirë është të jesh grua e lirë në vendin tonë?

Shumë e vështirë! Ka qenë aq e vështirë, aq sa unë nuk e kam kuptuar kohën që ka kaluar. Tani që trupi po më tregon se kanë kaluar disa vite, shpesh kthej. Nuk di as si ja kam dalë. Ka qenë  e vështirë edhe në nivelin e vogël, edhe në nivelin e madh social dhe profesional. Kanë qenë luftëra shumë banale, me të cilat nuk jam marrë . Kam humbur shumë, por kam fituar gjënë më të shtrenjtë, besoj që është:  “Të shikoj njerëzit drejt në sy”, të çfarëdolloj gjinie, posti apo klasi, dhe as nga lart -poshtë dhe as nga poshtë- lart. Besoj kjo është arritja ime më e madhe, që unë kam me veten time, pavarësisht gjithë vështirësive edhe mentalitetit maskilist, që shprehin habi se si një grua e pavarur po ecën. Pavarësisht kërkesës sime për të ecur më shumë, këtë e them sot me kokën lartë, sepse kam merituar të ecë më shumë  për aftësitë e mia profesionale, ndjeshmërinë time sociale, por kam mbërritur, kam fituar veten time.

Gjatë këtij udhëtimi ke qenë edhe nënë, cili është ai mësim, që do të doje që vajza jote, Sara, të merrte prej teje?

Nganjëherë kur shikoj Sarën më duket sikur ajo po kalon të njëjtin rrugëtim. Aty kuptoj se fatkeqësisht kjo shoqëri ka ndërruar formën, por jo përmbajtjen. Nuk kam mesazhe për të, sepse nuk përpiqem të jap mesazhe. Por, të mbërrish të jesh shembull në jetë duhet që të jetë privilegj i madh, unë këtë vetes s’ja jap dot. Nëse ma japin këtë tagër do t’u isha mirënjohëse. Besoj se përpiqem që t’i them sime bije, që atë që mundet të krijojë në hapësirën e dinjitetit edhe aftësisë së saj, ta çojë deri në fund edhe mos të dorëzohet. Me shpresën që kjo shoqëri do të ndërrojë, ose me shpresën, që fëmija im do ta vazhdojë të ardhmen jo në Shqipëri.

Gjithmonë keni qenë avangardë, qoftë në jetën e përditshme, qoftë në shfaqjet skenike. Por, sa e vështirë është që të sjellësh të renë në një vend siç është Shqipëria. Një vend ku e reja ndesh paragjykime?

Unë nuk punoj vetëm. Gjithçka që bëj, e bëj me bashkëpunëtorë, që janë në të njëjtin valë. Janë përpjekur që ta mohojnë, kjo ishte arma e tyre. Ka qenë e vështirë për të realizuar dëshirën për të qenë artiste pa gjeografi edhe pranë problemeve sociale. Jam përpjekur që të ketë diçka më tepër sesa thjesht një lavdi thjesht personale, por ka qenë shumë e vështirë. Kësaj vishi edhe faktin që jam femër. Ka qenë shumë e vështirë, sepse e para këtu nuk ekziston një sistem pavarësie, nuk ka ekzistuar kurrë. Edhe unë që në fillesat e mia kam vepruar kështu. Nuk po ju flas për anën financiare, edhe as dua që ta përmend këtë. Por  kam marrë sadisfaksionin e madh kur kam parë që këto vepra ja kanë vlejtur në nivelin jo gjeografik, në nivelin artistik avangardë ndërkombëtar, kur shfaqjet ku unë kam marrë pjesë, qoftë si aktore, qoftë si regjisore janë nderuar me çmime. Në vende ku avangarda prej vitesh zhvillohet. Unë vij nga një vend, aderoj, punoj dhe krijoj këtu, ku ti nuk e ke shansin e alternativës. Natyrisht që shpeshherë mërzitem, sepse ka shumë ekuilibra që janë prishur në jetën time. Por ajo që më trishton dhe më bën që të më prishet raporti shpirtëror, që unë e kam shumë të rëndësishëm, është mosnjohja. Jo mosmirënjohja, por mos me të njoh edhe me të lënë të bësh diçka, në raport me këdo që i ka lidhjet e shkurtra. Në të gjitha nivelet. Arti në Shqipëri po merr tatëpjetën, për të mos thënë se e ka marrë.  Fajtorë janë të gjithë. Unë po përpiqem që të bëj timen, por po shikoj se të gjithë ata që kanë drejtimin e alternativës, rrugën e kam gjithmonë edhe më të ngushtë. Alternativë nuk do të thotë vetëm vepra arti, do të thotë qasje me pushtetin, qasje me problemet sociale, është mënyra se si afrohesh tek publiku. Mënyra se si i ofrohesh politikës apo publikut. Ka shumë elementë bashkë, që të gjithë bëjnë atë që quhet alternativë në mënyrën e të shprehurit edhe të qasurit, për të gjithë ne rruga është bërë gjithmonë edhe më e ngushtë. 

E megjithatë, ju e gjeni forcën që të zgjoheni dhe të jeni energjike... Ku e gjeni forcën për ta bërë këtë?

Ëndërroj. Ëndërroj edhe ruaj shumë fort, shumë fort nivelin shpirtëror. Atë që jam betuar që do ta kem gjithmonë. Nuk përzihem me gjëra të vogla. Jetoj me ëndrrat e mia. Kur them ëndrra, nuk flas për qiellin, por ëndrra për të ndryshuar realitetin ku jetoj. Edhe kështu kam punuar gjithmonë. Me gjëra të vogla, me dashuri të madhe, por të vërteta. Të vërteta! Nëse unë do të shikoja realitetin e përditshëm timin dhe do të vetviktimizohesha, kam përshtypjen që nuk do të isha kjo që jam. Kam përshtypjen se gjithçka është çështje zgjedhjesh. Këtë kam menduar që ditën që vendosa të jem pavarur edhe deri më sot, se unë e kam bërë këtë zgjedhje në këtë shoqëri edhe kjo shoqëri kaq të ofron. Unë nuk mundem të tradhtoj veten.

Ndërkohë, ju shikojmë gjithnjë edhe në formë shumë të mirë fizike. Ndikon, dukja, pamja, qoftë në punë, qoftë në jetën e përditshme?

Në botë do të kishte ndikuar për mirë. Në Shqipëri pamja e mirë, e bukur ka qenë që në kohën e diktaturës mallkim dhe ka vazhduar që të jetë mallkim. Në vendin tonë ajo që më ka çuditur është se ne nuk e duam të bukurën. Edhe mbi të gjitha, deri para 20 e ca vitesh trupi i femrës ka qenë i përjashtuar. Femra nuk kishte trup. Duhet që të ishte e barabartë. Kur them nuk kishte trup, dua që të them gjithçka, që e bën ndryshe nga gjinia tjetër, e të folurit, të sjellurit. Kështu që unë e dua trupin tim dhe kaq. Por në Shqipëri të qenit e bukur mua më ka sjellë më shumë pengesa, se përse besoj se e dinë të gjithë; përse nga shoqëria femërore, përse nga shoqëria mashkullore. Shoqëria jonë ka problem që ta pranojë bukurinë aty ku është. Nëse nuk e posedon bëhet armiku i saj. Kjo besoj se nuk më ka ndodhur vetëm me mua. Por ka ndodhur me shumë gra, që ose kanë vendosur të largohen nga ky vend, ose të vazhdojnë jetën këtu edhe bëjnë zgjedhje të tjera. Kështu që, bukuria dhe pavarësia kanë qenë dy armë të miat, që unë i kam dashur për veten time edhe i kam përdorur për të rritur veten, por jo në raport me të tjerët. Kanë qenë të dyja, ndoshta vlera, një që ma ka dhënë Zoti, dy dashni, që mua më kanë krijuar shumë armiqësi. Nuk ka qenë e lehtë edhe nuk besoj se është e lehtë.

Jeni gjithashtu një ndër të paktat gra artiste, që jeni munduar që nëpërmjet artit tuaj, t’i  jepni zë gruas, së çfarëdolloj shtrese, përse kjo zgjedhje?

Është e natyrshme. Në të gjithë rritjen time, si njeri, si grua, si profesioniste. Unë nuk mund të rri dot pa reflektuar në atë që më rrethon. Misioni është i natyrshëm kur je artist, të reflektosh për të ndrsyhuar diçka me armët që ke, artin tënd, për të ndryshuar këtë vend. Kjo për mua është gjëja më e natyrshme, përsa kam zgjedhur  të jem artiste, përsa e dua atë që bëj edhe përsa jetoj në këtë shoqëri. Arti ka lindur për t’i folur shoqërisë në të gjitha mënyrat. Prandaj ka qenë e natyrshme, që të punoj edhe të flas me armët që unë kam, me shpresën që dikush, dikur do të ndryshojë diçka, qoftë edhe në përqindje të vogël. Sikur vetëm dy-tre njerëz të reflektojnë për jetën e tyre, me artin tënd, besoj se ja vlejnë të gjitha sakrificat. Mundimet më duket sikur i fshin me gomë.

Parë me syrin tuaj, si grua edhe si artiste. Sa të përfaqësuara janë gratë shqiptare në politikë?

Gruaja shqiptare nuk është e përfaqësuar. Jo vetëm në politikë, por në të gjitha bordet vendimmarrëse. Besoj se është një hap shumë i rëndësishëm që duhet hedhur. A përfaqësohet si numër në politikë? Po! Nëse flasim për vlerat edhe punën e përgjithshme, që kanë bërë në drejtim të artit, të përmirësimit të kushteve të gruas, të përballjes së gruas më të kaluarën besoj se e shihni vet. Besoj se nuk jemi të përfaqësuara. Pavarësisht se mund të ketë gra, që nuk janë në politikë edhe kanë bërë ndryshime pa zhurmë.

Keni pasur gra model në jetën tuaj?

E vogël po. Kam pasur jetuar me idenë e të shpëtuarit botën, sepse kam pasur mamin doktoreshë. Gjithmonë vinin urimet e jetëve, që shpëtoheshin. Kanë qenë gjithmonë personazhe librash që ja dalin, fëmijët të varfër, që vlera e tyre një ditë i shërben shoqërisë. Më pas nga ato që më kanë frymëzuar kanë qenë artistet, që edhe sot e kësaj dite janë bërë burim frymëzimesh. Kanë qenë gra artiste edhe shkencëtare. Gra që në atë që bëjnë ja delin, por jo duke u projektuar tek dikush tjetër. Njeriu sa më shpejt të heq dorë nga projektimi, aq më shpejt do ta kuptojë atë që mund të bëjë.

E megjithatë, një mesazh për të gjitha gratë shqiptare duhet ta kesh?

Unë vazhdoj që të them se duhet me dashtë veten. Nuk është e lehtë që të dish të duash veten. Nuk është e lehtë, por besoj se është dhurata më e bukur, që mund të bësh: Me dashtë veten!

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi