TIRANE-Një vit nga protesta e dhjetorit të kaluar që u mbyll pas miratimit të Paktit për Universitetin, një grup studentësh nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës bojkotuan mësimin dhe duke u mbledhur paraditen e sotme përpara Korpusit për të protestuar. Por cilat janë pakënaqësitë e tyre?

Disa nga studentët u shprehën për mediat se kushtet në konvikte vijojnë që të jenë të njëjtat, sipas tyre mizerabël, Karta e Studentit nuk është adresuar te nevojat që kanë, por pë luks, ndërkohë që pakënaqësi kanë shprehur edhe për tarifën e shkollës, bursën, bibliotekën dixhitale dhe cështje të tjera. Studentët që sot protestuan thanë se u organizuan vetë përmes lajmërimeve në rrjetet sociale, mes tyre faqja 'Rezistenca Rinore'.

 "Jemi mbledhur për të protestuar për Paktin për Universitetin, asnjë pikë nuk është përmbushur, kushtet në konvikte janë skandaloze. Jetojmë për kushte mizerabël. Tarifa për disa është përgjysmuar, për disa jo. Do ta shumëzojmë qeverinë me zero. Do të jemi më shumë se kaq. Unë jam me ndihmë sociale, por në llogarinë time kishte zero lekë nga bursa. Jemi organizuar vetë të gjithë studentët për të protestuar" tha njëri nga studentët.

Disa nga studentët paralajmërojnë se protesta do të vijojë edhe më e madhe në ditët në vijim. "Pakti nuk u mbajt në asnjë nga pikat. Tarifat u kthyen ku ishin. Ne paguajmë tarifat që paguanim para një viti. Ata që do të merrnim me ulje ishin për një vit dhe tani do të paguajmë sikur ishin për pjesën dërrumese. Ka përjashtime, por dua të marr një shembull, vetëm ata që kanë dy prindërit invalid mund të marrin bursë. Nuk mjafton një për të marrë bursë. Protesta është në dorë të studentëve. Jemi të revoltuar se asnjë nga pikat e paktit nuk është plotësuar dhe ne do të vijojmë deri kur të plotësohen".  

"Asgjë nuk ka ndryshuar. Kushtet janë njëlloj. Jemi në mjerim, tarifat janë të shtrenjta. Asnjë pikë e paktit nuk është ndryshuar, po protestojmë se askujt nuk i intereson për ne" tha një tjetër student. Akuzat nuk munguan as kundër qeverisë. Një student u shpreh u mashtruan me premtimet.

"Asnjë pikë e paktit nuk është plotësuar nuk është marrë parasysh. Thuhet se është miratuar Karta e Studentit, por ne nuk kemi nevojë për udhëtime në Dubai, nuk kemi nevojë të ulen çmimet 5% te dyqanet e Nozit, se nuk blejmë rroba që kushtojnë 120 euro. Kemi nevojë për kushte më të mira në arsim, ngrohje, jo të marrim batanije me vete. Ne fakultet, te Historia nuk ka libra, edhe pse thuhet se ka bibliotekën më të madhe, por aty ka libra rusë.

Biblioteka dixhitale është katrahurë, aty ka libra që nuk janë të vlefshëm për studentët, të pedagogëve të mi. Ka në gjuhë të huaj, frëngjisht dhe turqisht, ne mësojmë anglisht. Ai është libri 'Vrima' i Rita Petros, ndërsa nuk e di cfarë vlere ka për studentet. Për tarifën dua të bëj një lajmërim, studentët do të paguajnë 300 mijë lekë, pasi nëse ke një lëndë të mbartur tarifën do ta paguajmë të plotë. Ata na kanë mashtruar. Jemi të vjedhur dhe të mashtruar. Po flemë gjashtë veta në një dhomë në konvikte, fasada nuk e përmirëson një konvikt. Kryeministri na mashtroi për Paktin për Universitetin. Karta e Studentit nuk na jep asnjë shërbim për jetën studentore".

1579686621_protestsastudenteve.jpg