Suksesi i Merck dhe Moderna me një vaksinë të personalizuar kundër kancerit, të krijuar për të mbajtur larg melanomën, hap një rrugë të re trajtimi, për të cilën mjekët shpresojnë se mund të funksionojë kundër shumë llojeve të tumoreve.

Ndryshe nga kimioterapia, e cila vret si qelizat e shëndetshme ashtu edhe ato kancerogjene, ose imunoterapia, e cila stimulon sistemin imunitar, vaksinat e personalizuara kundër kancerit e trajnojnë sistemin imunitar që të synojë në mënyrë specifike mutacionet që gjenden vetëm në tumorin e një personi.

Merck dhe Moderna thanë të mërkurën se vaksina e tyre ndihmoi në parandalimin e rikthimit dhe përhapjes së sëmundjes, sipas një studimi të madh ku morën pjesë më shumë se 1,000 pacientë me melanomë. Ata kishin tumore të lokalizuara, të cilat ishin hequr me ndërhyrje kirurgjikale, por kishin rrezik të lartë për rikthimin e sëmundjes.

Moderna pret që mijëra pacientë me melanomë të mund të përfitojnë nga vaksina gjatë viteve të para pas miratimit të saj.

Përtej melanomës, vaksinat e personalizuara kundër kancerit janë në faza të avancuara zhvillimi për një sërë llojesh tumoresh. Merck dhe Moderna kanë disa prova të mëdha në zhvillim për kancerin e mushkërive me qeliza jo të vogla, tek pacientë të cilëve tumoret u janë hequr me ndërhyrje kirurgjikale.

Ata po studiojnë gjithashtu këtë kombinim në prova të ndërmjetme te pacientët me kancer të fshikëzës urinare dhe të veshkave, si dhe në prova të fazave të hershme për kancerin e pankreasit dhe të stomakut. Sipas presidentit të Moderna-s, Stephen Hoge, për Reuters, rezultate të shumta të këtyre provave priten gjatë një ose dy viteve të ardhshme.

Roche dhe BioNTech, kompanitë që përdorën teknologjinë mRNA në vaksinat e Pfizer kundër COVID-19, po testojnë një trajtim të ngjashëm te pacientët me kancer të zorrës së trashë dhe të pankreasit, të cilëve u është hequr tumori me operacion.

Rezultatet e provës për kancerin e zorrës së trashë priten në vitin 2027, ndërsa rezultatet për kancerin e pankreasit priten në vitin 2031.