KORCE - Një javë pas tragjedisë në Devoll të Korçës, ku humbën jetën dy gra teksa kalonin me zetor lumin Devoll, ende askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për ndërtimin e urës, mungesa e së cilës u bë shkak për ngjarjen e rëndë.

Të irrituar banorët shprehen se nga komuna iu është komunikuar se nuk ka fonde për ndërtimin e urës, ndonëse ajo është nyja lidhëse mes dy fshatrave, Dobranj dhe Bracanj.

Si pasojë e kësaj situate 34 nxënës të kësaj zone nuk shkojnë dot në shkollë, pasi rrezikojnë seriozisht jetën nëse kalojnë përmes lumit Devoll.

Dy gra humbën jetën në fshatin Dobranj në 6 prill, ku rreth 20 banorë të fshatit ishin nisur për në një ceremoni mortore në fshatin Bracanj. Rryma e lumit përmbysi rimorkion e zetorit me të cilën ata udhëtonin, duke zënë poshtë tij, Mirela dhe Elena Zyfin, të cilat humbën jetën. Pas tragjedisë, policia arrestoi drejtuesin e mjetit, Gëzim Zyfin, për mungesë së leje së drejtimit, por pas peticionit të banorëve e la atë në arrest shtëpie.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)