Një kambanë që bie, ogur i zi për të ardhmen europiane

Një kambanë që bie, ogur i zi për të ardhmen europiane

Hashim Thaç dhe Recep Tayyip Erdogan

Ndërsa autoritetet turke pohojnë se arrestimi dhe deportimi i pesë mësueseve dhe një mjeku turk që punonin në Kosovë është bërë me pëlqimin dhe miratimin e krerëve të shtetit të Kosovës, nuk vonojnë të vijnë reagimet mohuese: Presidenti dhe kryeministri nuk kanë asnjë dieni. Ç’po ndodh kështu? Para një situate të tillë, afërmendsh që Haradinaj do merrte masa shkarkimi, të cilat nuk duhet të jenë të mjafta për të hequr nga fytyra e një shteti europian, Kosova, ndotjen që i kanë bërë e që asaj mund t’i kushtojë paragjykime të vrazhda historike. Të jetë shmangur kryeministri vallë nga islamistët turq, “vëllezërit” tanë, sepse dihen e janë të njohura qendrimet e tij sekulariste e laike? Të shohim çdo dale e çdo ngjasë më tej!

Rëndom dëgjon nga qeveritarë kalimtarë t’u drejtohen krerëve turq në fjalimet hipokrite që mbajnë, “vëllezërit turq”. Nga ana e tyre, Erdoganit dhe paraardhës të tij, u ka patur lezet kur na cilësojnë të tillë, se kjo u shkon për shtat qendrimit të zotërinjve mbi ish skllevërit dhe politikave të shpallura të neootomanizmit. Prej nesh, shqiptarëve, kur shtiresh dhe qendron si lipsar, se mos përfiton ndonjë kockë që i shërben përmes lëpirjes shëndetit të dobët të ekonomisë dhe shtetit, përpos se na bën me turp. Zotërinj! Prindër, vëllezër e motra ka vetëm në atdhe. Mos i kërkoni kund tjetër se nuk i gjeni. Vëllezër për shqiptarët janë vetëm shqiptarët, kudo që ata të ndodhen, ndaj lodheni më kot të na armiqësoni mes nesh, duke na bërë vëllezër me turqit. Vetëm në gojën e veprimin e atyre shqiptarëve që ndjehen më mirë si skllevër, mund të ndeshësh të tilla dashuri, siç ndodhi të ishte turpërimi që ju bë dje Republikës së Kosovës, duke arrestuar dhe deportuar gjashtë shtetas turq. E gjitha kjo, për një çudi që s’ta kap truri, që siç thuhet, është bërë pa dijeninë e drejtuesve të shtetit?! Skllevërit e lakejtë anadollakë (që flasin shqip) që ja bënë këtë nder Turqisë dhe këtë të keqe shtetit të Kosovës, kanë ndërmarrë veprime që bien ndesh me të drejtat e njeriut në Bashkimin Europian dhe SHBA, me ligjet e atyre që filluan, si në asnjë rast tjetër që njeh historia botërore, një luftë për t’i dhënë këtij kombi lirinë.

O mosmirënjohës! Me fqinjët turq kemi detyrimin të mbajmë marrëdhënje miqësore, siç edhe i kemi mbajtur parreshtur, por jo të lejohen të shtrijnë pushtetin në popullin e vendet tona. Ka kohë që Turqia nuk orvatet të fshehë më fuqinë e saj, në raport me ne. Pushteti që Erdogan ka fituar në vendin e vet shihet se po e shtrin, pa gjetur ndonjë pengesë që ta ushtrojë atë, edhe në Kosovë e Shqipëri. Sektorë strategjikë të ekonomisë së të dy vendeve tashmë janë nën kontrollin e tyre. Porte e aeroporte, komunikacion e telekomunikacion ndodhen nën pronësinë turke. Eksportet turke drejt “Tregut çam” nuk janë mjaftuar vetëm me mallrat që i drejtohen një shoqërie të mjerë, por tashmë i sheh edhe si ekspansion politik në të mjerat sfera të larta të administrates shtetërore. Sheshbeteja Erdogan-Gylen ka mbërritur e frikshme tek të dy shtetet shqiptare, shumë e frikshme për të ardhmen europiane që duam e për të na rrezikuar seriozisht demokracinë.

Ndërsa marrëzia e shqiptarve të Kosovës (mbase e qëllimshme) kryente deportimin e paligjshëm të shtetasve turq, në Shqipëri “Kazani mediatik”, disa organe shtypi dhe media vizive jepnin intervistën e parapërgatur të ambasadorit të Turqisë për ne “viktimat”  në Tiranë. Është vërtet e habitshme dhe e pa mundur të besosh se nuk janë të organizuara. Edhe njëherë, siç kishte ndodhur me ish ambasadorin Bayraktari, sulmohet opinioni shqiptar me një intervistë, theksi i të cilës qëllonte te pasiviteti shqiptar ndaj veprimtarisë guleniste Feto, të cilën pushteti i sotëm në Turqi e vlerëson si rrezik për vëndin tonë. Shqiptarve u jep sihariqin se shkuljen nga rrënjët të shkollave guleniste”, do ta zëvendësojnë shpejt me një tjetër shkollë, më të mirë, më të përshtatshme për trurin arnaut, me fondacion Marif. Feto, Marif, këta emra po na tingëllojnë paralajmërim për fatkeqësinë, kur ndodhi t’u hapeshin dyert katër kanatësh turqve, do t’i vuajmë, sepse e meritojmë t’i vuajmë, kur thirrja “Drejt Europës” mbeti në eter.

Turqia e sotme nuk është ajo e kohës së Ataturkut. Këtë e dinë dhe vetë turqit. Ndryshimin mes  Turqive të dy kohëve, duhet ta shohim në përmbysjen social-kulturore e botëkuptimin që sundon. Ajo që nuk do deshnim të ndodhë, ajo që i druhemi është instalimi edhe në Shqipëri i pushtetit të pakufizuar fetar, ndërsa shihet se në Kosovë ata kanë fituar terren. Termat Sheriat e Kalifat, për ne shqiptarët e Shqipërisë, atje ku përdoren, marrin menjëherë kuptimin se s’kanë lidhje me Europën dhe kulturën e saj. I qendrojnë larg, i përkasin një kulture që është e huaj për kontinentin tonë. Më tej: ferexheja, burka, shallvaret, poturet dhe festet, përfshi po deshe dhe filmat, europianëve veçse mund t’u ngjallin neveri. Ataturku, sapo filloi të vëjë Turqinë në rrugën e përparimit, nga gjërat e para që bëri ishte, përpos heqjes së kalifatit, edhe ndalimi e përzënja nga Turqia e sekteve fetare, njërën prej të cilave, bektashijtë, i degdisi në qoshen më të prapambetur atë botë, në Shqipëri. Të përzënë me nga Stambolli u rehatuan në Tiranë si Kryegjyshatë Botërore. Personalisht s’kam gjë as me ta dhe me askënd tarikat tjetër që vepron në Shqipëri, sepse besoj dhe ndjek tjetër parim nga botëkuptmet fetare. Kjo nuk më pengon t’i respektoj dhe të bëj me ta shoqëri në rrethana individuale. Për mua mjafton të mos më fusin hundët në parimet kushtetuese dhe qëllimet arsimore dhe edukuese.

Pozicioni i Turqisë ndaj Europës është krejt i ndryshëm nga koha kur ata aplikuan për anëtarësim. Qenja si fuqi-anëtare e NATO-s i përket kohës së luftës së ftohtë, kur, e ndodhur në kufi me ish Bashkimin Sovjetik, duhej të merrej në mbrojtje nga aleanca atlantikase. Gjithsesi, marrëdhenjet me Turqinë kanë qenë miqësore, ku prej nesh janë bërë përpjekje për të harruar shumë gjëra. Miqësi, por jo vëllazërore! Shqipëria e emanicipuar ka qenë e prerë dhe është e vendosur të integrohet në perëndimin europian dhe jo në lindje. Të lë një shije të hidhur guximi që ndërmerret për të diktuar politikën e qendrimet e shtetit të Turqisë në vendin tonë.

Agresiviteti që shfaqet haptas për përhapjen e besimit islam synon edhe përdorimin e shkollave. Administrata e lartë shtetërore dhe Ministria e Arsimit kanë për detyrë të vigjëlojnë në kërkesat turke. Të tregohen të matur e të mos përzihen në sherret e tyre të brendshme në luftën për pushtet dhe të mos lejojnë krijimin e hapësirave të propagandës politike për të shtrirë kthetrat fetare në institucionet tona arsimore. Ato duhet të mbeten tërsisht laike.

Po mediat tona, “zemërgjera” e liberale? Kush ka punuar e punon në media këto 20 vjetët e fundit, e ka të njohur, e di që s’janë të lira dhe as të pavarura. Të tilla nuk ka, nëse ato nuk mund të vetëfinancohen. Kjo gazetari servile se ka për gjë që për dy aspra të botojë shrime, artikuj e intervista që bien në kundërshti me mbrojtjen e interasave kombëtare. Janë kambana që bien. Ato kurdoherë janë përdorur për të kujtuar, për të nderuar veten e Zotin, për të njoftuar festat, për të dhënë kushtrimin. Në Kostandinopojë i futën venedikasit. Kur erdhën turqit, nuk i duronin dot. I hoqën se “trazonin shpirtrat”. Ali pashë Tepelena i lejoi, populli ortodoks, katolik, por dhe ai musliman në Shqipëri i ka dëgjuar kurdoherë. Në mënyrë figurative, tani është koha t’i dëgjojmë: përse bien?!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • draiver: 01/04/2018 08:27

    e reziksheme per shqiptaret

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja