Tërmetet në Korçë/ Sistemohen në banesa sociale 140 banorë! 95 shtëpi të shkatërruara totalisht

Pasi kaluan dy netë në çadra, banorët e fshatit Floq janë akomoduar në ambientet e përcaktuara nga Emergjencat Civile. Mësohet se 45 banorë i janë drejtuar shkollës së fshatit, ndërtesë që nuk pësoi dëme nga lëkundjet sizmike. Ndërkohë, 25 banorë të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë janë transferuar në qendrën sociale "Kenedy". Ndërkohë vetëm 70 banorë do vijojnë të qëndrojnë në çadër, pasi pjesa tjetër janë rikthyer në banesat e tyre, të cilat u dëmtuan më pak nga tërmetet.

Mesditën e sotme ka mbërritur në Korçë, ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka ku ka vizituar nga afër banorët e prekur nga tërmetet, por gjithashtu edhe figura të tjera të politikës, si kryetarja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, deputeti Andi Përmeti, deputeti Niko Peleshi.

Ndërkohë një ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se të gjitha banesat do të rindërtohen. Kreu i qeverisë deklaroi se pas inventarit të dëmeve do të nisë dëmshpërblimi dhe rindërtimi i banesave.

"Të gjitha banesat do të rindërtohen. Dje, në Floq dhe Qafëzezë të Korçës, me banorët e prekur nga tërmeti që goditi këtë rajon, si dhe drejtues të institucioneve qendrore dhe lokale. Pas inventarit të dëmeve, nis shumë shpejt dëmshpërblimi dhe rindërtimi për të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore!", njoftoi Rama.  Edhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj njoftoi se edhe Bashkia e Tiranës do të marrë përsipër rikonstruktimin e disa prej banesave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:24
Tërmetet në Korçë/MM: Në total 307 banesa të dëmtuara, 95 prej tyre të shkatërruara

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc zyrtar se si paraqitet situata në qytetin e Korçës, pas tërmetit. Bëhet e ditur se në total janë 95 banesa të shkatërruara dhe 212 banesa me dëmtime të lehta.

Në fshatin Floq të bashkisë Korçë rezultojnë 65 banesa të shkatërruara, ndërsa 100 të tjera kanë pësuar dëmtime të lehta. Në fshatin Qafëzezë të bashkisë Kolonjë janë 18 banesa të shkatërruara dhe 71 të tjera me dëmtime të lehta.

Në fshatin Vidohovë të bashkisë Devoll janë 12 banesa të shkatërruara dhe 41 banesa me dëmtime të lehta. Fillimisht 160 banorë të fshatit Floq u strehuan nëpër çadra, por pas vlerësimit të shkollës së fshatit, një pjesë e tyre u akomodua në nëpër klasa.

Pjesa tjetër e banorëve në Floq janë strehuar në çadra të pajisura me krevate e ndriçim. Disa prej familjeve, kryesisht me fëmijëve të vegjël janë strehuar në Korçë përmes institucioneve vendore.

Ora 14:44
Xhaçka: Do rregullohen të gjitha shtëpitë, bëni vetëm pak durim

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka mbërritur në Korçë ku i ka siguruar banorët se shtëpitë e të gjithëve që janë prekur nga tërmeti do të rregullohen, por ka kërkuar që të bëjnë durim. Ajo ka qenë e shoqëruar nga ish- kryebashkiaku Niko Peleshi dhe kryetari aktual, Sotiraq Filo.

"Do ju ndihmojmë të rimëkëmbim çdo gjë që keni humbur. Këto janë ditë të vështira, por ne do bëjmë maksimumin. Në mënyrë sa më të shpejtë do përpiqemi t'ju dëmshpërblejmë. Të gjithë shtëpitë do të rregullohen. Bëni vetëm pak durim, sepse këto janë ditë të vështira", u shpreh Xhaçka.

Ora 13:26
Prefekti i Korçës për Report Tv: 60 banorë s'pranojnë të largohen nga çadrat nga frika

Në një intervistë për Report Tv, prefekti i Korçës, Dhori Spirollari është shprehur se situata është drejt përmirësimit. Ai bën të ditur se një pjesë e banorëve, nuk kanë pranuar që të largohen nga çadrat, ashtu si kurse disa të tjerë nuk kanë pranuar që të largohen nga banesat e tyre, për shkak se i tremben një vjedhjeje të mundshme të shtëpive të tyre.

"Situata është në përmirësim e sipër. Gjendja është e stabilizuar, banorët kanë marrë ndihmën e parë. Po përpiqemi që banorët që janë në çadra t'i strehojmë në banesat sociale. Banorëve u është dhënë e gjitha ndihma. Hapi i parë është vendosja në çadër në të gjitha vendet Europiane, dhe ne këtë e arritëm me sukses. Është bërë furnizimi me ushqim i banorëve. Ka pasur vetëm një vonesë në sjelljen e ushqimit të kompanisë private, por ishte një ngatërresë e vogël. Një pjesë janë zhvendosur, ka banorë që nuk lëvizin nga çadra për shkak të frikës. 60 banorë në çadër', tha prefekti Dhori Spirollari.

Ora 13:16
Hajdari mbërrin në Korçë, bashkëbisedon me banorët e prekur nga tërmeti

Në Korçë ka mbërritur edhe kryetarja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari së bashku me deputetin, Andi Përmeti. Ajo ka pasur një komunikim me një prej banorëve, e cila është strehuar në një nga banesat e përcaktuara nga Emergjencat Civile. Ndërkohë deputetit, Andi Përmeti ka këmbëngulur që banorët të kërkojnë nga shteti gjendjen e jashtëzakonshme. 

Rudina Hajdari: Ju kanë ardhur për ndihmë këta të Bashkisë?

Banorja: Na kanë dhënë ushqime, bereqavers

Rudina Hajdari: E kanë për detyrë t'ju gjejnë shtëpi

Banorja: I panë inspektorët. Janë të pa banuara.

Ora 12:58
Situata në Korçë, Salianji akuzon: S'po furnizohen me ushqime simpatizantët e PD

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka ngritur akuza se punonjësit e administratës nuk po furnizojnë me ushqime simpatizantët e PD. i është shprehur se situata në Korçë është shumë emergjente, sipas së cilit duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

"Situatë më emergjente se çdo emergjencë, shpallja e gjendjes se jashtëzakonshme, dëmshpërblimi për çdo pronë të dëmtuar dhe përqendrimi i gjithë burimeve në bashkitë Korçë, Devoll dhe Kolonjë, kryesisht në Floq, Qafzez dhe Vidohovë në zonat e shkatërruara nga tërmeti!

Fëmijë të vegjël, gra, të moshuar dhe burra të gjunjëzuar dhe me lot dhimbje për mundin e gjithë jetës te shkuar dëm dhe për pamundësinë për të ndihmuar familjet që flenë me keq se bagëtitë në kasolle apo çadra skandaloze pa asnjë kusht.

Nuk është kërkesë për përfitim politik, është kërkese njerëzore përveçse detyrim ligjor për të ndihmuar qindra familje që vuajnë në mes të rrugëve! Nuk zgjidhet situata me facebook dhe me parada por me përqendrim të çdo burimi në zonë, ka nevojë emergjente për ushqime, ilaće, batanije dhe më shumë se këto kanë nevojën të sigurohen që prona dhe jeta e tyre do të rindërtohen!

Turpi i mbuloftë gjithë ata punonjës administrate që e ndajnë për të majte dhe jo për votuesit e PD dhe pakon e makaronave që nevojitet për të mbajtur frymën e banorëve", shkruan Salianji.

Ora 09:52
Manastirliu nga Korça: Mjekë dhe psikologë në dispozicion 24 orë

Gjatë takimit me banorët e Floqit, zona më e prekur nga tërmetet e njëpasnjëshme në Korçë, ministrja e shëndetësisë, Manastirliu garantoi shërbimin shëndetësor pa ndërprerje për banorët e zonave të prekura nga tërmeti.

“Jemi këtu për të garantuar mbështetjen maksimale për banorët e zonave të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore, në këto ditë të vështira. Kemi organizuar shërbimin me mjekë dhe infermierë këtu në kampin e emergjencës 24 orë, në mënyrë që të monitorojmë situatën shëndetësore, sidomos të fëmijëve, grave dhe të moshuarve”, tha Manastirliu.

Shërbimi shëndetësor është organizuar edhe me autoambulanca në dispozicion dhe shërbim të përforcuar në spitalin e Korçës.

Gjatë takimit me banorët, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i siguroi edhe për shërbimin psiko-social, me psikologë dhe psikiatër që po monitorojnë situatën e banorëve të tronditur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Ora 09:44
Kamione me ndihma për banorët e Korçës, Veliaj: Bashkia e Tiranës do rindërtojë disa shtëpi (VIDEO)

Qytetarët e Tiranës janë solidarizuar me banorët e qytetit të Korçës dhe kanë mbledhur një numër të madh ndihmash që përfshijnë ushqime dhe veshmbathje. Kamioni i dytë, me një 200 pako ushqimore dhe 300 batanije është nisur drejt Korçës në ndihmë të banorëve të prekur nga seria e tërmeteve. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj ka njoftuar gjithashtu se pas zgjedhjeve, kur të krijohet Këshilli i ri Bashkiak, Bashkia e Tiranës do të marrë një numër shtëpish në Korçë ku do të bëjë rindërtimin e tyre.

"Si prindër të një bebi të vegjël, kishim merak fëmijët e vegjël, prandaj u kujdesëm që të jepnim panolino, qumësht. Duhet të bëjmë diçka. Edhe pas mbushjes së 3 kamionëve do e mbajmë stendën hapur, një mundësi e mirë për sevap. Kemi çuar një ekip emergjencat, staf mjekësor dhe para mjekësor. Një nga vendimet e para do të jetë një fond për ndërtimin e disa shtëpive. Duam të marrim një numër shtëpisë në qytetin e Korçës. Është mesazhi më i mirë i një dite besimi", tha Veliaj.

Bashkia bën të ditur se deri më tani janë mbledhur 200 pako ushqimore dhe 300 batanije, si dhe tezga do të vijojë të qëndrojë e hapur gjithë ditën. "Një mundësi e mirë për të bërë sevap këtë ditë Bajrami", e cilësoi Veliaj.

 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Saliu: 04/06/2019 18:00

    NUK E KUPTONE QE PO BEHESH I BEZDISUR DHE I PA BESUSHEM E THENE TROC LEGEN PA BYTHE

    Përgjigju
  • asolingo: 04/06/2019 13:32

    Sali-jani kete mendim vetem ca tipa si puna jote e kane ne koke,shko beji lavazh trurit mos te lind ndonje ide me serioze.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainës/ Tre të vdekur nga sulmet ruse me dronë në Donetsk dhe Sumy

Lufta në Ukrainës/ Tre të vdekur nga sulmet ruse me dronë në Donetsk dhe Sumy