TIRANË- Së shpejti adresat e banesave apo bizneseve, do të identifikohen me anë të një kodi unik!

Ministria e Brendshme ka propozuar një projektligj, ku kërkon shtimin e një elementi tjetër përbërës të adresës, që ka të bëjë me një kod që identifikon në mënyrë unike vendndodhjen e çdo ndërtese apo trualli të lirë, në shkallë vendi.

Sipas propozuesit, ministrit Bledi Çuçi, ky ndryshim ndër të tjera, do të ndihmojë që adresa të jetë më e lehtë për t’u memorizuar.

Ende nuk është specifikuar se si do të jetë ky Kod Unik, pasi mënyra e krijimit e përshkrimi i detajuar teknik i tij do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ky numër do të jetë vetëm për ndërtesa, jo për bulevarde, rrugë, park ose shesh.

Dokumenti është ende në fazë konsultimi dhe pritet që në fillimin e vitit të ri të kalojë në Kuvend.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)