Politika shqiptare është futur në debat për sistemin zgjedhor, ku nuk kanë munguar versionet që secila palë ka për t’i hedhur në tavolinën e diskutimit. Sistemi aktual elektoral është një përzierje që alternon votën e hapur për kandidatët, me elementë të listave të mbyllura. Ky sistem është kritikuar pa ndonjë arsye shumë bindëse, ndërsa si “shpëtim” është promovuar ideja e listave plotësisht të hapura në një zonë të vetme zgjedhore. Meqenëse janë shtuar zërat në nivele politike e analitike, po ndaj idenë time se si e mendoj një sistem alternativ, duke marrë për bazë listat tërësisht të hapura, edhe pse sistemi aktual nuk më rezulton aq i keq sa thuhet.
Personalisht do të preferoja një ndarje të Shqipërisë, jo më në 12 qarqe siç e kemi, as në një të vetme siç propozohet, por në tri rajone të mëdha zgjedhore: Veri, Qendër dhe Jug, me një Kuvend prej 121 deputetësh, ku Veriu përfaqësohet me 40 deputetë, Qendra me 41 dhe Jugu me 40 deputetë. Kjo ndarje krijon një ekuilibër më të drejtë territorial dhe politik në vend.
Veriu do përfshinte 13 bashki: Shkodër, Lezhë, Dibër, Kukës, Bulqizë, Has, Kurbin, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Tropojë dhe Vau i Dejës.
Qendra do përfshinte 11 bashki: Tiranë, Durrës, Elbasan, Kavajë, Gramsh, Kamëz, Krujë, Librazhd, Peqin, Shijak dhe Vorë.
Jugu do përfshinte 22 bashki: Vlorë, Fier, Korçë, Berat, Gjirokastër, Delvinë, Devoll, Dropull, Finiq, Himarë, Kolonjë, Konispol, Kuçovë, Lushnjë, Mallakastër, Përmet, Pogradec, Tepelenë, Sarandë, Skrapar, Roskovec dhe Pustec.
Një nga problemet që ka Shqipëria është ulja demografike, gjë që ka sjellë që shumë bashki në Veri dhe në Jug kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së tyre. Nëse përfaqësimi politik do të varej vetëm nga numri aktual i banorëve, këto territore do të rrezikonin të humbnin vazhdimisht peshë në Kuvend.
Ndarja 40-41-40 krijon simetri sepse asnjëra prej tri zonave nuk ka epërsi të dukshme në numrin e mandateve. Kjo do t'i detyronte partitë politike të ndërtonin platforma kombëtare dhe të mos mbështeteshin vetëm te disa bastione tradicionale elektorale. Mandati i 41-të për Qendrën është si njohje modeste e peshës së saj demografike dhe ekonomike. Tirana, Durrësi dhe Elbasani përbëjnë një bosht të rëndësishëm të zhvillimit të vendit tonë dhe kanë një ndikim të madh ekonomik. Dhënia e 40 mandateve Veriut dhe 40 Jugut shmang përqendrimin e tepërt të përfaqësimit në boshtin qendror. Kjo ndarje balancon realitetin demografik me interesin e përgjithshëm kombëtar, pavarësisht dallime të forta në numër popullsie. Pa diskutim që një deputet në rajonin qendror do duhet të përfaqësonte një numër shumë herë më të lartë votuesish sesa ai në rajonin verior, por ky është një kompromis i pashmangshëm.
Një element tjetër i rëndësishëm është vendosja e një pragu prej 4% në rang kombëtar për hyrjen në Kuvend, të shoqëruar edhe me një kusht tjetër prej 5% në nivel rajonal. Shqipëria ka nevojë për një sistem ku partitë të konkurrojnë mbi alternativa të qarta, e jo për një parlament të copëzuar në shumë grupe të vogla politike, të cilat ndikojnë në krijimin e shumicës qeverisëse./TemA









Komente
Komento