TIRANE - Plot një muaj nga zhdukja e 10-vjeçarit Julian Çela, djalit të nëndrejtorit të Antiterorrit në SHISH Skënder Çela, i cili u zhduk në rrethana misterioze ditën e 30 nëntorit.

Grupi hetimor i ngritur për rastin e humbjes së Julianit ka mbledhur dëshmi të shumta por ende nuk ka informacione konkrete se çfarë ka ndodhur me fatin e tij.

Free and Fair Media Group (A1Report dhe Shqiptarja.com) i është bashkuar prej disa ditësh përpjekjeve të familjes Çela për gjetjen e djalit. Nëpërmjet një hapësire të veçantë kushtuar zhdukjes së 10-vjeçarit, grupi mediatik u sensibilizua me dhimbjen dhe ankthin e familjarëve, të cilët prej një muaji nuk dinë asgjë për fatin e djalit të tyre. Foto e Juliani u shfaq në një hapësirë të veçantë në Shqiptarja.com dhe A1Report së bashku me numrat e telefonit të cilat mund t’i kontaktojë kushdo që ka informacion lidhur me vendndodhjen e Julian Çelës.

FAMILJARET: SHPERBLIM PER KE INFORMON
Më 11 dhjetor familjarët e djaloshit 10-vjeçar Julian Çela, vunë në dispozicion një shpërblim në shumë parash për këdo që jep informacion lidhur me djalin e tyre. Familjarë të tij thanë për televizionin A1Report se janë të gatshëm të ofrojnë një shumë të konsiderueshme parash për çdo person që mund të ketë çfarëdo informacioni që do të çonte në gjetjen e Julianit. Për këtë arsye familjarët e tij kanë vënë në dispozicion 3 numra telefoni 0696503814, 0694321796, 0685804565 dhe luten që çdo e dhënë apo informacion të përcillet në këta numra.

PISTAT E HETIMIT
Pista e parë është natyrisht ajo e një rrëmbimi nga persona të interesuar dhe që lidhet me detyrën e Skënder Çelës, babait të Julianit. Ai është nëndrejtor në Drejtorinë e Antiterorrit në SHISH dhe mbulon Sektorin Kundër Krimit të Organizuar. Por e kaluara e 10-vjeçarit dhe rrethanat e fundit kur ai është parë nga disa njerëz kanë ngritur dhe dy pista të tjera.

Pista e dytë autoritetet policore janë informuar se 10-vjeçari edhe më parë ishte larguar disa herë nga shtëpia por megjithatë asnjëherë largimet e tij nuk kanë zgjatur kaq shumë. Kjo është një tjetër mundësi për hetuesit, që Julian Çela të jetë larguar me vullnetin e tij, sikundër ka bërë edhe më parë.

Pista e tretë lidhet me një të ri 16-vjeçar të quajtur G.Prendi i cili dyshohej në ditët e para nga familja dhe hetuesit si personi që e kishte thirrur i fundit Julianin gjatë kohës që ai ishte në internet-kafe. Madje deri pasditen e së mërkurës policia i dinte “të zhdukur” që të dy, por të mërkurën 16-vjeçari G.Prendi u gjet dhe u mor në pyetje. Ai ka pasur disa precedentë të lehtë penalë kryesisht për vjedhje. Por gjatë marrjes në pyetje ai mohoi kategorikisht të kishte shok Julianin duke thënë se thjesht e njihte atë. Me tepër forca G.Prendi ka mohuar faktin se mund të kishte qenë personi që e thirri i fundit kur Juliani ishte në internet. Pasi u pyet tre orë rresht 16-vjeçari G.Prendi u la i lirë nga policia.

JULIANI HUMBI GJURMET NE 30 NENTOR
Dita kur Juliani ka humbur gjurmët ka qenë ajo e 30 nëntorit. Djali nuk kishte shkuar në shkollë pasi oraret e mësimit ishin të shkurtuara për shkak se ishte një ditë pas festave të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Vogëlushi ka qëndruar në orët e paradites në shtëpi, ndërsa është detyruar të dalë jashtë për shkak të shkëputjes së linjës së internetit në banesën e tij. Gjurmët e tij të fundit janë në një qendër interneti në lagjen e tij në Laprakë ku banonte familja Cela.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)