Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, në pjesën juglindore të Shqipërisë, është i pari në këtë vend që do të flasë në gjuhën ukrainase. Nisma për këtë audio-guidë erdhi nga zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, me mbështetjen e zonjës së parë të Shqipërisë, Armanda Begaj, si dhe të institucioneve vendore në Korçë. mNë video-mesazhin e saj, gjatë prezantimit të nismës në fillim të kësaj jave, bashkëshortja e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ajo do t’i forcojë më shumë marrëdhëniet Shqipëri-Ukrainë.
“Kjo do të thotë se ukrainasit do të mund të dëgjojnë për kulturën dhe trashëgiminë e vendit tuaj në gjuhën amtare. Në këtë mënyrë, ata do ta kuptojnë Shqipërinë edhe më mirë. Në një kohë kur Rusia flet me gjuhën e agresionit, ne flasim me ju nëpërmjet gjuhës së artit, historisë, kujtesës dhe kulturës. Le të dëgjohet me zë të fuqishëm gjuha e njerëzimit”, tha zonja e parë e Ukrainës.
Vendi i saj ka një vit që është nën pushtimin e ushtrisë ruse. Mijëra civilë janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë. Drejtorja e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë, Fjoralba Prifti, thotë për Radion Evropa e Lirë se nisma për audio-guidën në gjuhën ukrainase do të krijojë një lidhje të fortë mes dy vendeve.
“Ky është një hap i parë, simbolik, drejt formimit të një lidhjeje të vazhdueshme midis muzeut, qytetit tonë dhe shtetasve ukrainas, si popuj me besime, rite dhe tradita të përbashkëta. Aplikacioni i audio-guidës sonë tashmë mund të dëgjohet edhe në gjuhën ukrainase, duke krijuar mundësinë e prezantimit të koleksionit tonë muzeal, si dhe rritjen e numrit të vizitorëve”, thotë Prifti.
Ajo tregon se, deri më tash, audio-guida e muzeut ka qenë në gjuhën shqipe, angleze dhe frënge, ndërsa tani shtohet dhe ajo ukrainase. Por, sa ukrainas e kanë vizituar këtë muze vitin e kaluar?
“Në vitin 2022, rreth 27 mijë vizitorë kanë parë nga afër koleksionin e rrallë që ofron ky muze - gjysma e tyre, rreth 14 mijë, kanë qenë të huaj. Sa u përket shtetasve ukrainas, kanë qenë vërtet të paktë - rreth 15 ukrainas”, thotë Prifti.
Zëdhënësja e Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri, Yunna Gayduchyk, thotë se audio-guida në gjuhën ukrainase ekziston në muzetë e famshme të 33 vendeve të botës.
Duke përcjellë mesazhin e ambasadorit Volodymyr Shukrov, ajo thotë se Korça është “qyteti i preferuar për ukrainasit që jetojnë në Shqipëri”.
“Turistët tashmë do të jenë të interesuar të njihen me ekspozitat e mrekullueshme të këtij muzeu, duke pasur mundësi të dëgjojnë në gjuhën ukrainase, dhe jam i bindur se vizitat në muze do të shpeshtohen tani”, janë fjalët e ambasadorit Shukrov.
Nisma pritet të shtrihet edhe në muze të tjera në Shqipëri, ndërsa në Korçë nuk është vetëm Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar që flet në gjuhën ukrainase. Në këtë qytet është përuruar edhe Këndi i Librit Ukrainas në bibliotekën publike “Thimi Mitko”. Fondi i librave të këtij këndi, i cili i është dhuruar bibliotekës nga Ambasada e Ukrainës në Shqipëri, përfshin botime në gjuhën ukrainase dhe angleze mbi historinë, identitetin dhe kulturën ukrainase. Pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, në Shqipëri janë strehuar mbi 3 mijë shtetas ukrainas. Deri atëherë, atë e kanë vizituar mijëra turistë ukrainas në vit.
Shqipëria, po ashtu, u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë./REL