Protesta e opozitës u transmetua live në shtatë televizione, mbi të paktën 30 faqe web dhe qindra faqe facebook. Nuk ka asnjë skenë të asaj çfarë ndodhi të dielën në mbrëmje mes bulevardit dhe parlamentit që qytetarët shqiptarë të mos e kenë parë me sytë e tyre në kohë reale. E megjithatë, është e pabesueshme se si Lulzim Basha vazhdon të gënjejë duke mohuar edhe të dukshmen. "Policia kriminale ka përdorur një forcë të pabarabartë kundër protestuesve" ulëriti në fund të protestës duke denoncuar se "disa protestues" janë plagosur.

Ashtu siç e panë të gjithë shqiptarët, për tri orë me radhë krahu ekstremist i Partisë Demokratike lëshonte me qindra shashka, flakadanë dhe tymues kundër kryeministrisë duke i flakur rrezikshëm në kokën e kordonit të policisë. Dhe policia nuk reagoi. Pastaj e njëjta skenë u përsërit përpara kuvendit, me qindra shashka të tjera, flakadanë dhe tymuese të hedhura këtë herë direkt mbi kordonin e forcave speciale. Dhe policia nuk reagoi. Pastaj u futën në skenë "bateri" fishekzjarresh (të blera ilegalisht) të cilat në vend që të hidheshin drejt qiellit, siç parashikohet kur bëhet festë, lëshoheshin në lartësinë e njeriut si raketa të vogla katiusha drejtuar ndaj policisë. Dhe policia nuk reagoi. Kështu shkoi për disa orë, me bilancin e 10 policëve të mbetur të plagosur, ndërsa policia nuk reagonte. Pastaj kur qëlluesit e fishekzjarreve-katiusha u afruan akoma e më shumë ndaj kordonit të policisë, ndodhi reagimi i parë dhe i vetëm: më parë  tre hedhje uji që rezultuar joefikase për të ndaluar sulmet, kështu policëve iu desh të mbroheshin duke hedhur 4 ose 5 granata me gaz lotsjellës.

Qëllimi i provokimit që zgjati tre orë, u arrit. Basha, kështu, do të mund të akuzonte policinë se përdori gaz lotsjellës dhe me një urdhër të partisë të zbatuar menjëherë, grupi i zjarrit të PD-së uli "armët" duke u përzier me turmën që e kënaqur i bindej vendimit të Bashës për t'u kthyer në shtëpi. "Policia kriminale përdori forcën e pabarabartë kundër protestuesve", bërtiti Basha, duke kapërcyer pragun e qesharakes. Dhe duke gënjyer përballë më shumë se 1 milion telespektatorë që nga shtëpia panë çdo gjë se si ndodhi.

Basha dhe mediat e tij tentuan deri të prezantojnë një nga militantët e vet (të goditur nga fishekzjarret) si viktimë të "zjarrit" të policisë. Një gënjeshtër tjetër e përgënjeshtruar menjëherë jo vetëm nga pamjet televizive, por edhe nga provat mjeksore të ofruara nga spitali: gërvishtje në këmbë që tregoni shenjat e ciflave të nxehta të fishekzjarreve.

Basha gënjeu edhe përballë komunitetit ndërkombëtar, i cili ashtu si qytetarët shqiptarë, pati mundësi të ndiqte protestat direkt në televizione. Dhe reagimi nuk u vonua. ''Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik. Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv", deklaron ambasada e SHBA-ve. Dënimi, përsëri, ishte unanim dhe gënjeshtra e Bashës tashmë është e njohur botërisht.

Në mbrëmjen e dhunës dhe të gënjeshtrave nuk mund të mungonte specialisti i artit të gënjeshtrës, Sali Berisha: Në Facebook Berisha publikoi fotot e dy protestuesve të plagosur dhe të shtruar në spital me një koment të tijin: ''Kriminele te narkopolicise civile kane goditur me qyte revolveri dhe shkaktuar plage te renda ne koke, ne hunde, ne nofull dhe trup protestuesve paqesor Ymer Çela dhe djalit te tij Erjon Çela. Duke denuar me ashpersine me te madhe keto akte brutale te gangstereve te narkoshtetit, i them Edvin Krimit dhe Vasal Kimikut do te mbani personalisht pergjegjesi per keto krime te shemtuara.'' Por siç pamjet e Report Tv treguan dhe vazhdojnë të tregojnë, në të vërtetë ata dy demonstrues u plagosën në një sherr mes ''protestuesve paqësorë'' që kishin dalë në shesh jo me lule, por me shufra hekuri të fshehura nën xhaketë.

Që beteja radikale e opozitës të gjejë mbështetje, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka nevojë të shndërrohet në paqësore, por duhet të bëhet edhe e besueshme. Të zëvendësosh molotovin me fishekzjarre të përdorura si mitraloz, ose me shufra hekuri, dhe pastaj para televizioneve të betohesh se ishte policia ajo që përdori dhunë kundër protestuesve paqësorë, është tashmë një tallje që ka lodhur të gjithë. Gënjeshtrat e Bashës dhe Berishës minojnë gjithë betejën e opozitës, sepse nëse arrijnë të gënjejnë mbi fakte të ndodhura para syve të mbi një milion qytetarëve, si mund të jenë të besueshëm kur denoncojnë pa prova mbi mafie, copëza dossierësh, krimi dhe korrupsioni?

Post scriptum: Dhe tani një shënim personal. Janë shkrime si këto që shtyjnë Partinë Demokratike të na akuzojnë si "media të kapur", të bojkotojnë studiot tona dhe të kërcënojnë gazetarët tanë. E gjitha kjo vetëm sepse kemi kurajon të zbulojmë dhe të faktojmë gënjeshtrat e tyre në vite.