Ai është ndër të paktët të rinj që ka zgjedhur të ndërtojë jetën në Griqan të Elbasanit, pranë familjes dhe në shërbim të banorëve të fshatit me instalimet elektrike. Jetmir Kaçuli e ushtron këtë zanat prej 9 vitesh me pasion dhe përkushtim.
“Në moshën 12 vjeçare fillova të rregulloja lavatriçe dhe soba. Unë kam studiuar tek shkolla profesionale “Ali Myftiu” në Elbasan. Aty kam marrë njohuritë që sot jam në fazën time më të mirë. Kam 9 vite që e ushtroj si punën time kryesore.”, tregon Jetmiri.
“Në fshat kanë mbetur shumë pak të rinj.”, thotë elektricisti duke shtuar se mungesa e të ardhurave dhe emigrimi janë dy faktorët që i kanë detyruar t’a braktisin vendlindjen.
“Duhet një zanatçi në fshat. Unë bëj instalime elektrike, por edhe riparime elektroshtëpiakesh, çdo gjë. Kam arritur të riparoj dhe zetorët pa problem.
Ndaj kam qendruar në fshat. Këtu kam njerëzit e afërt, familjen time. Kam dhe gjyshen, kujdesem për të, e dua shumë. Për mua është shtylla e shtëpisë.”, shprehet Jetmiri.
Problematikat që ka vënë re ndër vite janë të shumta, qoftë nga ana e elektricistëve amator apo nga mungesa e informacionit të qytetarëve.
“Ndodh që tokëzimin e vjedhin nga Nuli, por nuk është e lejueshme sepse shkakton dëm tek personi në familje, ose rrezikon ta kapë korrenti. Sot automatet janë të ndara në seri dhe çdo gjë është e cilësuar si prizat, ndriçimet apo kondicionerët.
Më herët vendosnin vetëm një siguresë në shtëpi që shërbente për çdo gjë. Kur digjej ajo nuk kishte energji elektrike shtëpia. Rëndësi ka të bëhet testi i shtëpive. Me energjinë elektrike frikësohem pak sepse është gjë që nuk shihet.
Tek shtëpitë që bie zjarri, ndodh që njerëzit vrapojë për të hedhur ujë dhe jo për të ulur automatin kryesor. Është si t’i hedhësh benzinë zjarrit.”, thotë ndër të tjera elektricisti lidhur me problematikat që ka vënë re në fushën e tij.
Emisionin "Një nga Ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente












