Çdo ditë e gjen mes lulesh, duke u kujdesur për to me përkushtim dhe dashuri. Prej 2 vitesh, Bakije Çupa u jep jetë hapësirave të gjelbra pranë Bashkisë në Klos. Ndonëse pranvera mbërriti me vonesë në këtë qytet, Bakija tregon se ka disa bimë specifike të cilat përshtaten me klimën e ftohtë.
"Koha në Klos është më shumë ftohtë sesa ngrohtë se normal zonë malore. Secila lule ka kohën e saj. Deri në maj kemi periudhën e vënies së luleve.", tregon Bakija teksa nis proceset e para të ditës.
Përhumbet mes lulesh, ndaj punën në natyrë nuk e ka problem, por relaks.
"Klosi shquhet për natyrën e bukur me gjelbërim.
Është kënaqësi kur i sheh lulet t'u çel, është një pamje shumë e bukur. Kanë nevojë për kujdes, i heqim barin, i prashisim, ujisim.
Gjatë kohës së dimrit vetëm bëjmë punimin dhe vëmë disa lule të stinës. Në kohën e pranverës ne punojmë vendin dhe vëmë lulet e përshtatshme për këtë stinë.
Lule që i reziston dimrit është zambaku i kuq, është shumëvjeçare. Lulja e parë që kam mbjellë është mëllaga. Tani fillon faza e çeljes, bën lule shumë të bukura. Nga prilli deri në tetor vazhdon fazën e lulëzimit.
Kalendula ose verdhashka është po ashtu rezistente. Përdoret për kozmetikë, në mjekësi e përdorin si bimë kuruese", shprehet 'zonja e luleve'.
Dashuria për lulet e ka shoqëruar që kur ishte fëmijë. Ëndrra e saj më e madhe është të hapë një biznes.
"I kam shumë debulesë lulet, më pëlqejnë jashtëzakonisht. Meqë i kam pasion lulet, kam dëshirë që në të ardhmen të hap një dyqan dhe të bëj buqeta.", thotë Bakija.
Nga lulet bora tek trëndafilat e deri tek zambakët, lulishtarja tregon shërbimet dhe specifikat e secilës lule.
Për më shumë ndiqni linkun e mësipërm. Emisionin Një nga ne mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13.00 në ekranin e Report Tv.
Komente










