Studioi Inxhinieri Elektrike, por ndoqi një rrugë tjetër që e motivon çdo ditë. Prej 25 vitesh, Fati Bici i qëndron strikte rutinës së re me një dietë të ekuilibruar, ushtrime aerobie dhe meditim.
"Më njohin si Fatin e aerobisë dhe jogës, por une faktikisht kam mbaruar shkollën për inxhiniere elektrike që nuk ishte ajo që pëlqeja. Pas kësaj unë u riformatova në një profesion që ishte ëndrra ime në aerobi, joga, pilates dhe meditim", thotë ajo.
Sipas saj, trupi nuk duhet lënë i ngarkuar dhe i lodhur, por duhet gjetur mënyra sesi ta pastrojmë nga toksinat. Përveç ushtrimeve fizike, ajo organizon edhe leksione të vogla mbi rritjen shpirtërore.
"Unë kam ndjekur një orë program dhe më pas mund të pastrojmë toksinat trupore dhe mendore. Prej 25 vitesh unë përdor metodën: dobësim, tonifikim, relaks fizik dhe relaks mendor dhe shpirtëror.
Epokat ndryshojnë. Ne jemi në formimin e një rendi të ri, të një bote të re dhe të një mendje të re sepse ndër vite mendja ka mbledhur shumë plehra dhe duhet t'i pastrojmë. Ne këtu bëjmë pak leksione sesi të rritemi në anën shpirtërore.
Për të shkarkuar dhe qetësuar mendjen, unë meditoj duke bërë qendërzimin, ekuilibrimin dhe frymëmarrjen me diafragmë", tregon instruktorja nga Elbasani.
Një tjetër anë e saj kreative, të cilën pak e njohin, është puna me grep. Në kohën e lirë realizon çanta dhe kapele plazhi, të cilat i shet gjatë pushimeve verore.
"Energjitë e mia dyfishohen nga aktiviteti dhe meditimi dhe unë kam zgjedhur të bëjë çanta, kapele për plazh. Kur shkoj me pushime, unë i shes dhe kam pasur sukses.
Për mua nuk është fare lodhje se ky është një pasion dhe unë e bëj me kënaqësi shpirtërore.
Asnjëherë nuk e mendon se ti po lodhesh, sepse ora të duket si 5 minuta.", thotë Fati.
Emisionin Një nga ne mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13.00 në ekranin e Report Tv.
Komente










