Që prej vitit 2012 e deri më sot, Kristi Shkodra menaxhon një nga galeritë më të vjetra në qytetin e Shkodrës, themeluar nga i ati dhe kolegët e tij piktor.
Provoi emigrimin disa herë, por nostalgjia dhe pasioni për artin e riktheu sërish në vendlindje, për të dhënë kontributin e tij artistik aty ku hodhi hapat e tij të parë.
“Kjo galeri është hapur që në vitin 2000 dhe është quajtur "Shoqata e piktorëve Kolë Idromeno". Në moshën 22 vjeçare m'u dha mundësia për ta trashëguar.
Mbaj mend që kur isha 13 vjeç, bëra një pikturë dhe e ekspozova këtu dhe kisha shumë emocione dhe frikë se isha shumë i ri. Shumë piktorë më përgëzonin për punën dhe aty e mora frymëzimin. Ajo pikturë u shit direkt, m'u vlerësua dhe aty thashë me vete që po bëj diçka. Ishte një hap, një shtysë që të vazhdoja rrugëtimin.
Fatkeqësisht ka pasur disa shkëputje. Kam emigruar në Itali për një afat 2-3 vjeçar dhe kisha nostalgji për pikturën. U riktheva si më i frymëzuar, më i apasionuar sepse më kishte munguar diçka që nuk kisha mundur ta provoja andej. Pata dhe një shkëputje tjetër, por kurrë nuk jam dorëzuar dhe nuk e lashë artin”, tregon i riu.
Një nga arritjet më të rëndësishme mbetet shitja e një pikture në vlerën 3500 euro, një moment kulmor që i ka dhënë shtysën për të vazhduar rrugëtimin e tij.
“Piktura ka vlerë, është si një pasuri e paluajtshme, se shumë vetë investojnë dhe në piktura. Një pikturë 200-vjeçare ka vlerën e vetë, plus i rritet nësë është një pikturë e mirë. Çmimi nuk vlerësohet nga madhësia e pikturës sepse mund të jetë një vepër e punuar detajisht, shumë e lodhshme sepse ka vlerë cilësia. Unë kam shitur një pjesë të Shkodrës, pazarin Bexhisteni 3500 euro. Ka qenë shumë e ngarkuar, ka dashur shumë orë punë për elementët aty. Nuk di a e ka marrë hakun se mund të kisha bërë 5 piktura të tjera në atë kohë”, thotë artisti shkodran.
Ky sukses është rezultat i punës, përkushtimit dhe këmbënguljes për të dhënë maksimumin në këtë drejtim. Vizitat në galeri kanë qenë edhe nga figurat e njohura publike ndërsa hapi i radhës do të jetë një ekspozitë personale në Itali.
"Personalitetet që më kanë blerë kanë qenë shumë sidomos politikanët sepse kanë gjendjen financiare. Deputetët e Shkodrës, ambasadorja Yuri Kim e cila e ka pasur pasion Shkodrën dhe ka marrë piktura. Ilir Meta vlerësoi një pjesë të kalasë së Shkodrës ndërsa i ndjeri Sokol Olldashi ka blerë një pikturë me kalanë e Shkodrës. Donte të bënte një koleksion me piktura nga Shkodra. Kryeministri Edi Rama ka dhënë vlerësimin e tij.
Piktura e mirë shet veten, ka për të ardhur një ditë që do vlerësohet. Do të realizoj një ekspozitë vetjake në Itali, ma ka mundësuar një miku im, por do jetë dhe si ankand.”, përfundon rrëfimin e tij.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente










