I rritur në një familje mjeshtrash, me nënën rrobaqepëse dhe babanë marangoz, Astrit Krasniqi ndoqi po të njëjtën rrugë. Prej 45 vitesh punon me mjeshëri metalin, një zanat që po shkon drejt zhdukjes.
Kjo e ka detyruar që të fokusohet tek instalacionet artistike duke lënë mënjanë punët kolosale të dikurshme me skenografitë dhe projektet që kërkonin staf të madh punëtorësh.
“Kam bërë mbi 300 skenografi, por tani kam realizuar rreth 40 vepra artistike. Arsyeja pse po merrem me to, është se nuk gjejmë fuqi punëtore për punë më të mëdha. Kjo situatë nuk është sezonale, për mua është shumë keq. Niveli që po del nga shkollat profesionale nuk është si dikur. Tani që erdhi koha kështu, që po kërkoj ustallarë, jam bërë pishman që nuk ia mësova tim biri.”, thotë mjeshtri ndërsa shton se punët e imëta nuk i japin lodhje, janë vetëm krijimtari.
Astriti vazhdon të dëshmojë se dashuria për profesionin nuk njeh moshë. Shumë prej punimeve bëhen duke ricikluar materiale metalike, por nuk mungojnë as veprat e ndryshme artistike sipas kërkesave të klientëve, të cilat përdoren për arredimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme.
“Shumicën e punimeve i dizenjoj dhe prodhoj vet. Duhet të jenë përmasat fikse, të jetë çdo gjë fine. Unë e kaloj kohën me hekurat, jam i dashuruar me hekurat dhe ky është pasioni im, këtu e gjej veten gjithë kohës. Unë vij tek reparti edhe të dielave që të realizoj diçka. Këto janë punë që unë i krijoj përditë me porosi të klientëve dhe arkitekteve.“, tregon mes të tjerash për këtë profesion të veçantë.
Emisionin Një nga Ne mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente