Një ngjarje që më lidh me Dritëro Agollin-njeri në vitet ‘87-‘88

Një ngjarje që më lidh me Dritëro Agollin-njeri në vitet ‘87-‘88

Mihallaq Qilleri dhe Dritëro Agolli

Ishte po ajo sallë e Lidhjes së shkrimtarëve ku shumë vite më parë Dritëro Agollin synonin ka kryqëzonin. Qe bërë gati kryqi, gozhdët, kurora prej gjembash, litari. Vendi qe po aq i mbushur, si sheshi në Jerusalem, dera e hapur ku hynin e dilnin gjithfarë “talente” të përndjekur, gjithfarë prokurorësh politikë, pretorësh romakë, judë, por edhe njerëz që lotonin. Synonin jo thjesht ta hiqnin nga drejtimi i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, por për ta fundosur përgjithmonë, për ta shuar. Sapo kishte nisur të botohej ai shtyp që do ta fyente shumë vite më pas. Më kujtohet se atë ditë u sulmua edhe Fatos Arapi. Njerëz që i kishin thurur vetë po aq vargje, filma, piktura e skulptura veprave të totalitarizmit, tani bërtisnin sikur ktheheshin nga Zimbabve... Qe një kryengritje. Akuza për krime, për dosje, për intriga..

Ishte po ajo sallë edhe më 13 tetor. Po aq e mbushur. Dera e madhe, e rëndë, edhe atë darkë ishte e hapur. Kishte atje edhe disa nga bërtitësit e dikurshëm. Jo të gjithë, natyrisht. Sepse të tjerët qenë pluhurosur krejt, apo ua kishin mbathur nga sytë këmbët. 

Poeti i madh mbushte 75 vjeç... Atëherë ishte vetëm 60... Tani nuk kishte më as postet, as nderet zyrtare, as mundësi për të ndihmuar njerëzit që vazhdimisht kanë trokitur në derën e shtëpisë së tij. Veç, ndryshe nga 15 vite më parë, tryeza kryesore e sallës, u mbush me tufa të mëdha lulesh, me lloj-lloj dhuratash, me kartolina urimi ndonëse të gjitha këta e dinin se nuk mund t’i serviloseshin më Kryetarit të Madh.

Dritëro Agolli i takon një familjeje fshatare. Ndonëse disi e kamur, siç thotë diku vet poeti, ai doli partizan, sepse kështu bënin aso kohe të gjitha familjet e ndershme. Ai u bë edhe komunist. Komunizmi ishte një iluzion moderno-fantazist,siç u provua. Ai u burrërua së toku me kohën, por si poet i vërtetë që ishte asnjëherë nuk u pajtua plotësisht me të. Këtë do ta tregonte e ardhmja. Edhe si poet ai qe shqiptar. Asgjë nuk kishte kundër zhvillimeve letrare moderne në Evropë e gjetiu, derisa përktheu Uitmanin dhe Elyarin. Dhe mund t’i imitonte ata. Të gjithë krijuesit kanë dishepuj dhe i imitojnë ata. Ai kishte studiuar në Rusi, një vend vërtetë i varfër, po që kishte pjellë një nga letërsitë më të famshme të Evropës. Besoj se nuk mund të ketë një Gabriel Markez shqiptar. Edhe Agolli qe nga një brumë tjetër. Nga brumi që i kishte sendërtuar ADN-në e tij, nga brumi ku fluturimet poetike nuk mund t’ia krisin matanë kufijve të shpirtit. Dhe erdhi koha kur ai i pari, në Kongresin e 10 të PPSH dhe të parin e PS, ua tha në fytyrë militantëve të partisë së vet. Enver Hoxha nuk duhej të ishte një idhull, madje kishte bërë gabime të rënda. Dhe e tha atëherë kur të tjerë, jo vetëm vazhdonin të heshtnin, vazhdonin të mbeteshin vrimave të moralit, apo të ndynin rrugët e reja kur flaknin teserat, sikur shpëlanin duart si Pont Pilati.
Ishte po ajo sallë e madhe e Lidhjes... Dhe dera e rëndë ishte krejtësisht e hapur. Dhe Kryetari i Poetëve bënte humor me vdekjen..

Nuk kam qenë kurrë mik i tij. Mik në kuptimin e marrëdhënieve shoqërore, apo familjare. E kam njohur si të gjithë lexuesit e tjerë, më pat njohur kur hyra edhe unë në portën e letërsisë. Madje i duhet t’i kujtoj se më ka kritikuar në dy evenimente tepër të rëndësishme për letërsinë e artet, ndoshta edhe për zhvillimet në vend. Nuk është koha këtu..”për Belulin”! As të marr poza të persekutuari. Përkundrazi. Unë shkruaja siç shkruanin të gjithë shkrimtarët e Shqipërisë. Për njerëzit e saj.

Por një ngjarje e rëndësishme për mua, krejt e natyrshme ndofta për të, më lidh më shumë me Dritëroin-njeri. Duhej të ishte fundi i vitit 1987, apo ’88. Aso kohe banoja në Gjirokastër. Zhvillohej analiza vjetore e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve atje. I dërguar i Qendrës ishte Dritëroi. Siç dogmatizoheshin aso kohe raportet partiake, edhe atë ditë u tha se,...në se kishte pasur arritje të letërsisë e arteve në rrethin e Gjirokastrës kjo qe meritë e organizatës së partisë!(siç!) Pasuan diskutime e diskutime. Diku më duhej të shprehesha edhe unë diçka. Thashë prerë se në se kisha botuar atë vit një libër, kjo nuk ishte aspak meritë e organizatës së partisë. Shtova se letrën e bardhë ku shkruaja mezi e gjeja në ndërmarrjen gjeologjike ku punoja, makinën e shkrimit e kisha blerë me thërrimet e shtëpisë në Tiranë, udhëtimet nuk m’i paguante askush, grindjet me time shoqe për këto shpenzime nuk i shmangte njeri dhe tani që libri botohej e paskish meritën organizata e partisë! Dritëroi atje. Në presidium. Edhe vet sekretari i parë. Kuptohet se ç’zhurmë shkaktova!

Pas mbledhjes, siç e kishim traditë në rrethe, shtruam një dreko-darkë në hotel turizmi. Isha thuajse i shpërfillur. Ndaj zura vend sa më afër derës. E ndjeva ftohtësinë e gjindjes dhe ia mbatha pa mbaruar dreko-darkën. Në shtëpi gruas nuk thashë asgjë. Por nuk do të kalonin veçse disa orë kur ja, tek unë ia behu një i afërt i familjes. Ky qe poeti Arben Duka, kushëriri i parë i sime shoqeje. Qe ngrysur. Tha nxitimthi se Dritëro Agolli kishte shprehur dëshirën të vinte atë darkë tek unë. Iu përgjigja me humor se darkën sapo ia kisha dhënë.

I afërti shtoi se në hollet e hotel turizmit prisnin shumë krijues që e ftonin Dritëronin në shtëpitë e tyre..Por ai, pasi më kishte kërkuar me sy, pat thënë se do të donte të shkonte në shtëpinë e Mihallaq Qillerit. E dija. Në Gjirokastër ai kishte shumë miq, jo vetëm për shkak se kishte mbaruar gjimnazin atje,por edhe miq të rinj kishte bërë. Madje ai vinte shpesh herë në atë qytet, jo me shërbim, apo i dërguar i ndokujt, por kur merrte telefonata urgjente nga miqtë dhe i duhej të nisej me shpejtësi për t’i shpëtuar ata nga kthetrat e partisë. Miq që më pas i kthyen shpinën. Unë isha më i largëti...Si i thonë fjalës, kushëri i pestë! Lajmësi priste vendimin tim. Ime shoqe e nervozuar tha se tjetri më bënte nder dhe unë nguroja akoma. Epo, i thashë.. në se ke me se e shtron darkën..

Për fat Dritëroi u vonua të vinte. Në shtëpi kishim një kile mish dhe fare pak raki. Për verë nuk bëhej fjalë. Ca karamele të sheqerosura qenë fshehur në katin më të sipërm të bufesë për të mos i gjetur fëmijët. Gruaja vrapoi tek një familje mike të cilët duke qenë burrë e grua mjekë e kishin frigoriferin edhe më të mbushur. Dhe vërtetë, u kthye e gëzuar. Sollën nga të gjitha. Vetëm një gjë nuk sollën, të cilën do ta them më poshtë. I mbajta edhe ata për darkë për të shoqëruar mikun e çmuar.
Ora nëntë e darkës. Trokiti dera. Nxitova ta hapja. Nuk prisja njeri tjetër përveç tij. Por me që llampa e shkallëve qe djegur trupi i madh i Dritëroit më ngjau më kaba. E mirëseardha dhe e ftova të hynte brenda.

- Jo,- ma ktheu.- Më parë duhet të bëjmë një sqarim. Dera është shtrunga. Unë po bëj një hap brenda. Ti do të rrish në pritë të shtrungës dhe do të lejosh të hyjnë brenda vetëm ata që janë vërtetë miqtë e tu. Kam prapa meje dhjetë të tjerë, të cilët kanë bërtitur gjithë rrugës se janë miqtë e tu. Tani ti i njeh më mirë.
Nuk shiheshin nga llamba e djegur...
Dhjetë veta! Jo ushqime, por as karrige nuk kisha për të gjithë! Belbëzova se as hasmi nuk i kthen miqtë dhe i futa të gjithë në kuzhinë. Vërtetë vetëm njëri prej tyre ishte miku im. Me të tjerët... Të tjerët kishin ardhur, me sa shihej, të dëgjonin se ç’do të thoshte Dritëroi për qëndrimin tim të çuditshëm në analizën e Degës së Lidhjes.
Qenë shkëmbyer përshëndetjet e para, kur Dritëroi iu drejtua sime shoqe, Aleksandrës.
- E ke pak budalla tët shoq, - i tha.- Nuk flitet kështu nëpër mbledhje!

Buzëqesha. Madje do të flisja fare pak atë darkë. Por e kuptova njeriun e mirë Dritëro. E kuptova se ishte i kënaqur për ç’ka thashë në atë mbledhje. Ndryshe nuk do të zgjidhte shtëpinë time atë darkë!

Duhej të ishte mesnatë, kur ai nisi të na tregonte historinë e turkeshës së famshme nga lindi edhe poema e paharruar. Edhe sesi kishin pirë gjatë gjithë udhëtimit me avion konjak duke harxhuar të gjitha dietat që u kishte dhënë shteti. Edhe që, nga vizita në Turqi u patën tepruar aq të holla sa të blinte vetëm një rrip mesi..Pikërisht atë çast dera troket përsëri. E hapa. Njeriu që bujti nisi menjëherë të më shante për pabesi e poshtërsi. Ishte i paharruari Niko Nikolla. Ndonëse kishin udhëtuar nga Tirana bashkë, Dritëroi e kishte shmangur me takt atë darkë, madje nuk i kishte lënë as adresën se ku ndodhej. Por Gjirokastra është një pëllëmbë qytet dhe, ja ai e gjeti... Erdhi, po.. nuk donte as të hante, as të pinte raki. Donte vetëm verë. Ku ta gjeja unë verën në mesnatë? Po edhe sikur hapur të ishin dyqanet me siguri nuk kishte. E, ja, verë nuk kishin sjellë atë darkë miqtë e mi mjekë!
Seç ndodhi më pas nuk e ka vendin këtu.. 

Këto të gjitha doja t’ia kujtoja Dritëro Agollit kur kishte 75-vjetorin e lindjes së tij. T’u thosha miqve dhe armiqve të tij se ai është nga dera e madhe fisnike e poetëve dhe si i tillë nuk i kishte duruar kurrë sloganet dhe politikat mediokre të të gjitha regjimeve. Madje tallej me Zylot dhe soj e sorollopin e tyre!I paharruar qoftë, poeti i shqiptarëve!

b.ha.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki