Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është gjendur sot para një precedenti të rrezikshëm për procesin e gjykimit të ankesave, pasi subjektet zgjedhore, në këtë rast “Vetëvendosja”, e më pas PD dhe LSI, në vend të provave, kanë paraqitur në KAS kërkesën e tyre për të angazhuar strukturat shtetërore, përfshi dhe KQZ, në sigurimin e provave.
Pra e shpjeguar më thjeshtë, opozita ka shkuar të ankohet në KAS, jo duke çuar prova, pro duke kërkuar t’i sigurohen prova nga KQZ dhe institucionet.
Kjo tregon se opozita nuk ka asnjë provë që të mbështesë pretendimet e saj, por ky është problem i tyre, jo i ligjit.
Ligji përcakton qartë dhe sot u pranua dhe në seancë, se disa nga kërkesat e atyre partive, siç është “kryqëzimi i të dhënave nga pajisjet teknologjjke” dhe “rinumërimi i votave”, bëhen pasi të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Ligji e ka parashikuar këtë mekanizëm me qëllim që të dhënat e përfituara të mos përdoren në procedurë ankimore.
Në këtë pikë, komisioneri i Zgjedhjeve, Celibashi e ka bërë dhe më rrëmujë situatën, duke deklaruar publikisht se “KQZ po merret me kete punë”, d.m.th me sigurimin e provave.
Ashtu siç e përcaktoi dhe një nga anëtarët e KAS, opozita ka shkuar në KAS, sikur ka shkuar për gjah, me shpresë se mos kap ndonjë gjë rrugës.
KAS duhet të shyqrtojë provat që sjell ankimuesi, dhe jo dëshirat e tyre për të gjetur prova.
Partia Demokratike ka paraqitur sot 19 kërkesa nga institucionet zyrtare, që t’i sigurojnë asaj prova, sipas dyshimeve të saj.
Ky nuk është një proces që ka të bëjë me KAS, por një proces që ka të bëjë me hetimin e zgjedhjeve, pasi të shpallet rezultati përfundimtar.
Nëse kjo procedurë shkelet, pra nëse prishet radha e punës, atëhere shkrihen kompetencat e CAS me ato të SPAK, dhe integriteti i zgjedhjeve nuk është më çështje ligjore, por çështje perceptimesh, bazuar në raste të supozuara.
PD dhe kushdo tjetër është e lirë të mbledhë prova për zgjedhjet. Nëse i ka tani, mund t’i çojë në KAS. Nëse i gjen pas çertifikimit, ka të drejtë të verifikojë dyshimet e saj, sipas procedurave ligjore që kërkon një krim zgjedhor.
Por KQZ duhet të ruajë integritetin e procesit, duke u marrë me procedurën e zgjedhjeve dhe mënyrën si është votuar dhe numëruar, bazuar në prova, dhe jo bazuar në pretendime apo dëshira politike.
Pasi kjo procedure e çertifikimit të përfundojë dhe KQZ të çertifikojë zgjedhjet, PD mund të vazhdojë të mbledhë prova për të mbështetur pretendimet e saj, pasi ato janë objekt i hetimit penal të krimit zgjedhor, por jo objekt i KAS, apo Kolegjit Zgjedhor. Këto të parat çertifikojnë zgjedhje. Hetimet çertifikojnë krime zgjedhore dhe këto procese duhet të jenë të ndara.
Fakti që PD dhe aleatët e saj nuk kanë asnjë provë, por mbushin dosje me kërkesa, është një tregues që nuk ka shkelje, por ne mund të qëndrojmë në anën e tyre dhe të themi se ndoshta edhe ka, por ata akoma nuk i kanë gjetur.
Kur t’i gjejnë, mund t’i çojnë në SPAK dhe t’i hetojnë, por KQZ duhet mbajtur në shina ligjore, duke bërë detyrën e saj për të verifikuar çertifikimin e zgjedhjeve, dhe jo duke u kthyer në “qen gjahu” për kërkesat e opozitës, për të gjetur ndonjë fakt.
KAS nuk është organ që mund të sigurojë prova për PD, por një trup gjykuese që mund të hetojë vetëm provat që ajo sjell.
Nëse nuk ka prova, nuk ka pse humbet kohë që të ndjehet Lulzim Basha i justifikuar deri më 20 korrik, sa të rizgjidhet. KAS nuk ka punë me zgjedhjet në PD. Ato dhe mund t’i vidhni, se s’ka kush ankohet. Siç ka ndodhur gjithmonë.