Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe për mosmarrjen e vendimeve në 5 episode, që sipas prokurorisë janë shfrytëzuar në vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj në repartin e Emisionit të Monedhës, pjesë e Thesarit të Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili u shkarkua nga detyra në një mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës të nesërmen e arrestimit, mësohet se nuk ka preferuar të japë shpjegime në këtë seancë, që është e para që prej prangosjes. Sipas burimeve të A1Report ka deklaruar se “Rezervoj të drejtën për të folur në një moment tjetër. Më sillni aktet për të cilat më akuzoni dhe dyshoni”.
Më herët në ambientet e paraburgimit kishte hyrë avokati Maks Haxhia, i cili ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës kur Fullani ballafaqohej me kërkesat e oficerëve të policisë gjyqësore, të cilët kanë dalë rreth orës 14:45 dhe janë nisur në drejtim të Prokurorisë së Tiranës.
Për t’i marrë një prononcim avokatit Haxhia na është dashur të vrapojmë pasi për të shmangur ballafaqimin me kamerat ka dalë nga porta e kontrollit të ushqimeve dhe e takimeve të familjarëve të të dënuarve. Nuk janë të qarta arsyet se pse avokati ka mohuar që Fullani është marrë në pyetje.
Të enjten është parashikuar të merret në pyetje edhe kryeinspektorja Elivar Golemi, e cila u arrestua mbrëmjen e të premtes bashkë me Fullanin. Në total janë 19 urdhër-arreste, nga të cilët 14 janë në masën e arrestit në shtëpi. Por nga këta vetëm Ardian Bitraj akuzohet për vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj në repartin e Emisionit të Monedhës, ndërsa të tjerët vetëm për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.
(Në foto: Dy oficerët e policisë gjyqësore që janë paraqitur në ambjentet e paraburgimit 302 )
10 pyetje për Fullanin
Ish-guvernatori Fullani që prej 6 ditësh është arrestuar me urdhër të prokurorisë, nëse do pranonte të fliste do t’i duhej t’u përgjigjej 10 pyetjeve të prokurorisë, të cilat ishin përpiluar nga prokurorët Ramadan Troci dhe Petrit Fusha. Pyetjet konsistonin me mos nxjerrjen e akteve juridike, të rregulloreve dhe mos ushtrimin e ndikimit të tij në kohë të caktuara, për të kontrolluar veprimtarinë e Departamentit të Emisionit që drejtohet nga ish-drejtori Dorian Çollaku. Ky i fundit njihet si burri i mbesës së Ardian Fullanit. Lidhur me këtë çështje janë arrestuar plot 19 persona. Ndër të parët që janë arrestuar janë Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, ndërsa deri në këto momente personat e fundit që janë arrestuar janë Ardian Fullani dhe Elivar Golemi.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)