'Një pemë për nënën'! Gra e vajza i bashkohen nismës së Bashkisë së Tiranës

“Një pemë për nënën”, ishte nisma e veçantë e Bashkisë së Tiranës me rastin e 8 marsit. Gra dhe vajza të institucioneve të ndryshme në varësi të Bashkisë së Tiranës, e jo vetëm, mbollën pemë në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se në këtë ditë të bekuar një pemë e mbjellë në Tiranë, ishte dhurata speciale për njerëzit më të çmuar, nënën, motrën, bashkëshorten.

“Një bekim i vërtetë, që sot në 8 mars kemi mbjellë një pafundësi pemësh, patjetër nga zonjat, zonjushat, nga nënat, gjyshet, motrat, por edhe nga shumë çuna. Jam shumë i lumtur që në të gjithë qytetin, në çdo cep, pranë pallateve, shtëpive, nëpër rrugica afër shkollave, çerdheve, kopshteve, në çdo qoshe të Tiranës janë mbjellë pemë për të kujtuar nënën me diçka që zgjat”, deklaroi Veliaj.

Tashmë, është kthyer në traditë që qytetarët e Tiranës t’i bashkohen nismës së Bashkisë për mbjelljen e pemëve në raste të veçanta për ta, si ditëlindje, përvjetore, martesa, etj. “8 Marsi” ishte dita e duhur për të bërë një dhuratë të tillë.

“Lulet janë shumë të bukura, por vyshken pas një dite, kurse një pemë është përgjithmonë, ndaj dua të ftoj të gjithë, pema është një kujtim fantastik për çdo festë që kemi, qoftë edhe Dita e Verës. Unë sot jam i lumtur që mbolla një pemë për nënën time, një pemë për gruan  time, për vjehrrën time dhe u bëj thirrje të gjithë meshkujve të Tiranës, që të kujtojnë që jemi këtu falë femrave që na rrethojnë, nga ato që na kanë bërë kokën, tek ato që e bëjnë Tiranën dritë çdo ditë, tek ato që marrin përsipër përgjegjësi që jo të gjithë i bëjnë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se transformimi i këtij qyteti këto katër vite i dedikohet jo vetëm votës së gruas, por edhe punës së tyre në çdo nivel, duke kontribuar për qytetin. “Transformimi i këtij qyteti këto katër vite i dedikohet jo vetëm votës së gruas, sepse kanë qenë gratë ato që masivisht kanë votuar për ndryshimin dhe transformimin e Tiranës, por mbi të gjitha të grave që e kanë bërë këtë realitet, secila, qoftë në Bashki, qoftë në prefekturë, qoftë në njësi administrative apo qoftë edhe me edukatën qytetare në çdo klasë, shkollë, kopsht, çerdhe apo edhe në tavolinën e bukës në shtëpi, ne ju themi faleminderit dhe mirënjohje nga zemra”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari vlerësoi se falë suksesit të arritur në vitet e para, edhe numri i atyre që dëshirojnë të kontribuojnë duke dhuruar pemë për qytetin është rritur. “Ne ndihemi shumë mirë sot që institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë, së bashku me Bashkinë, u bashkuan për të disatën herë në këtë aksion kaq të bukur, në këtë nismë kaq të bukur, “Mbill pemën tënde”. Kjo po bëhet një traditë, dhe realisht ndjejmë një ndryshim shumë të madh, nga viti në vit. Njerëzit kanë dëshirë, dhe strukturat kanë mjaft dëshirë që të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës sonë”, deklaroi Jahollari.

Administratorja e Njësisë nr. 5, Violeta Kile falënderoi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës duke  e cilësuar si një nga njerëzit më vlerësues të vajzave dhe grave. “Dua të uroja gjithë gratë dhe vajzat që kanë 8 Marsin, dhe pa diskutim është një ditë shumë e bukur, kur kemi kryetarin një nga njerëzit më vlerësues të vajzave dhe grave”, deklaroi Kile.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë