Një sondazh i pavlerë i PD-së

Një sondazh i pavlerë i PD-së

Para disa ditësh, një i njohur më tha se e kishte marrë dikush në celular, për ta pyetur në kuadër të një sondazhi. “Sapo më tha që ishte nga Partia Demokratike, ia mbylla telefonin”, më tha i njohuri. (Shënim: ai është votues socialist.)

Një ditë më pas, më ndodhi mua e njëjta gjë, por nuk e mbylla telefonin. Pavarësisht se e folura e anketuesit kishte një monotoni robotike (tipike e atyre që telefonojnë nga call center), e vazhdova telefonatën deri në fund.

“Cilat janë tre problemet kryesore të vendit, sipas jush?”, ishte pyetja e parë; “Në cilin qark banoni?”, ishte e dyta; “Sa vjeç jeni”, ishte e treta; “Për cilën parti do të votonit, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot?, ishte e katërta; dhe e fundit ishte “A mund të ma tregoni emrin tuaj?” (Pyetjes së fundit nuk iu përgjijga dhe besoj se shumë pak njerëz i janë përgjigjur asaj)

Të nesërmen, një i njohur tjetër më tregoi se edhe atij i kishin telefonuar nga Partia Demokratike për të njëjtin sondazh, por e kishte ndërprerë telefonatën në mes. (Shënim: ai nuk ka marrë pjesë fare në zgjedhjedhjet e fundit.)

Me sa duket, PD-ja ka angazhuar një call center për të zhvilluar një sondazh masiv me telefonata celulare. Por ky lloj sondazhi ka një problem të madh qysh në çastin e parë, kur telefonuesi prezantohet si përfaqsues i Partisë Demokratike. Ta do mendja se shumica dërrmuese e votuesve socialistë dhe e mosvotuesve e mbyllin telefonin sapo dëgjojnë një të panjohur në celular, që u thotë: “Po ju telefonoj nga Partia Demokratike. A mund t’ju bëj disa pyetje?” Si rrjedhojë, kampioni do të rezultojë me votues kryesisht të opozitës. Pra, nuk përfaqëson elektoratin e gjerë shqiptar.

Është njësoj si të shkosh në një liqen ku ka peshq të kuq e peshq blu dhe të përdorësh një lloj karremi që e pëlqejnë peshqit blu. Në këtë rast, fakti që shumica e peshqëve të kapur janë blu nuk do të thotë se ai liqen ka kryesisht peshq të tillë...

Në fakt, në qoftë se të anketuarit do të ishin pyetur edhe se për kë kanë votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, sondazhi do të vlente të paktën për të parë nëse opozita ka më tepër apo më pak votues sot, në krahasim me 2017-ën (krahasimi bëhet duke llogaritur sa të anketuar janë gati të votojnë sot për opozitën dhe sa deklarojnë se kanë votuar për të në zgjedhjet e 2017-ës). Sidoqoftë, kjo pyetje nuk ishte pjesë e pyetësorit…

Po ndoshta synimi i zhvilluesve të sondazhit nuk është që të masin kuotat aktuale elektorale të partive, por thjesht për të ditur opinionin e votuesve të opozitës rreth problemeve më të mëdha të vendit.

Edhe në këtë rast, sondazhi i zhvilluar në mënyrën e mësipërme përbën një shpenzim të pavlerë kohe e parash. Sepse PD-së i duhet në rradhë të parë të dijë se ç’mendojnë ata që nuk janë gati të votojnë për të sot. Me 455 mijë votat që mori në zgjedhjet e fundit parlamentare, PD-ja mbeti 310 mijë vota pas PS-së. Pra, asaj i duhet të shtojë shumë votues këtë vit, që mos ta humbasë garën e ardhshme pa e filluar atë…

Në qoftë se PD-ja don të zhvillojë një sondazh që t’i vlejë si për të ditur preferencat e elektoratit për partitë e ndryshme, edhe për opinionin e votuesve të lëkundur rreth problemeve të vendit, duhet të pajtojë një kompani të pavarur sondazhesh. Një kompani e tillë nuk është e detyruar të deklarojë se për kë e zhvillon sondazhin, e për rrjedhojë mund të sigurojë një kampion me të të gjitha llojet e “peshqve” – të kuq, blu, gri etj…

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fationi: 19/02/2020 17:11

    Eshte nje lajthitje e Ilir Metes,i cili eshte i shqetesuar nga reforma ne drejtesi,sigurimi i burimeve financiare per eleminimin e pasojave te termetit si dhe pritshmeria per celjen e negociatave

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja