Një tenor dhe një bariton për ‘Gjergj Kastriotin’, bashkë Shqipëria e Kosova! Opera flet shqip me premierën e Toles, ovacione në sallë: Skënderbeu i fiton të gjitha betejat

Teatri i Operas mbrëmjen e së martës, mblodhi artdashësit e lirikës me një vepër shqiptare.

“Ka një publik tradicional në Shqipëri të teatrit të Operas dhe Baletit por gjithashtu për shkak të historikut të pas viteve ’90 ku krijimtaria shqiptare ka zënë pak vend, nuk mund të them që ka pasur një publik shumë të afërt me krijimtarinë muzikore shqiptare. Kështu që për mua ishte një surprizë sot që vepra u mirëprit”, shprehet Tole.

“Daullet e Luftës” e silueta bust e heroit, paralajmërojnë fillimin e premierës botërore të operas solemne koncertale “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kryezot i Arbrit”, shkruar mbi tekstin e Fan Nolit e kompozuar nga Vasil Tole.

Në dy akte e katër arie që prekin jetën e heroit nga ëndrra e Shën Gjergjit, te Malli për Atdhe, “Lirinë s’jua solla unë” e thirrja për betejë, roli i Skënderbeut i besohet dy solistëve të rinj.

“Ishte emocion i veçantë! Ne ishim dy artistët e parë që e vumë në skenë këtë operë, ndaj ishte kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Besoj do t’i mbetet repertorit të Operas dhe pse jo të vendosej edhe në skenat e Evropës do të ishte kënaqësi e madhe” thotë tenori Gerald Murrja.

“U ndjeva mirë me një përgjegjësi të madhe mbi supe të cilën u mundova ta justifikoj gjatë gjithë kohës me një punë intensive në teatër! Uroj t’ia kemi dhuruar publikut tonë këtë ‘shpirtin’ tonë në zë!”, thotë baritoni Artur Vera.

Orkestra Simfonike e Teatrit u dirigjua nga Sieva Borzak, ndërsa dy koncertmaestrot ishin ETrita Ibrahimi dhe Thanas Paskali. Mes solistëve nuk munguan as zërat femëror me sopranon Eva Golemi dhe mëzo-sopranon Amelda Papa.

Në skenë u bashkua kori i Teatrit dhe i Filarmonisë së Kosovës, ku me elementët meshtarë të kënduar prej tyre kompozitori i mëshon përjetësisë së heroit.

“Është mjaft e rëndësishme që premiera e kësaj vepre të jetë bashkë me Kosovën, sepse gjithmonë pretendojmë të jemi një, kështu që të paktën, të jemi një në art”, shprehet Hajrullah Syla, dirigjent i Filarmonisë së Kosovës.

“Një vepër mjaft impenjative, e vështirë, por me sonoritete të reja. Një vepër shumë e bukur por është bërë akoma më e bukur kur janë bashkuar dy koret bashkë”, thotë Dritan Lumshi, dirigjent i korit të TKOB.

Rikthimi i Operës në gjuhën mëmë, ku mungesa e veprave shqiptare ka qenë ‘thembra e Akilit’ ka entuziazmuar publikun.

“Si duket Skënderbeu i fiton të gjitha betejat”, shprehet Tole.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari